Limaj: Jam i gatshëm t’ia dorëzoj dialogun opozitës

Aktuale September 11, 2018 - 07:58
Intervistë me zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj
Image

Zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, i cili së fundi është propozuar nga Qeveria si kryesues i ekipit negociator në dialogun me Serbinë, ka thënë se është i gatshëm që t’ia dorëzojë opozitës çështjen e dialogut.

Ai në një intervistë për gazetën Zëri ka thënë se deri tani bisedimet i ka zhvilluar Institucioni i presidentit, ndërsa me votimin e ekipit negociator nga Kuvendi, sipas Limajt, Kosova do të ketë adresë të qartë për këtë proces.

Prandaj ai u ka bërë thirrje opozitarëve që të bashkohen në këtë çështje, të cilën ai e quan shumë të rëndësishme për të ardhmen për Kosovën.

LEXO EDHE: Thaçi s’i bindet Merkelit

Limaj po ashtu ka thënë se Kosova është kundër ndryshimit të kufijve, ndërsa duke folur për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe zëvendëskryeministri ka thënë se nuk do të pranohet një Republikë Serbe brenda Kosovës, pasi sipas tij ky do të ishte shkatërrim për Kosovën.

Në këtë intervistë për ZërinLimaj ka folur edhe për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.

Sipas tij, së shpejti do të ketë lajme të mira.

Zëri: Zotëri Limaj, javën e kaluar as koalicioni qeverisës dhe as opozita nuk arritën t’i mbajnë seancat që u thirren nga të dyja kampet. A po shkon Kosova drejt një krize të re?

Limaj: Mendoj që debatet e shumta në opinion kanë ndikuar në krejt atë që kemi parë ne, qëndrimet jo krejt të kristalizuara të grupimeve politike janë reflektuar në procesin e dy seancave. Por e rëndësishme është se javën e kaluar të gjithë e kanë kuptuar se duhet të lëvizim nga vendi dhe duhet të jemi sa më të përgatitur për t’iu përgjigjur rrethanave dhe situatave që po zhvillohen në Kosovë. Kosova duhet të marrë hapa konkretë në drejtim të dialogut dhe të ketë qëndrimin e saj si shtet.

Zëri: Takimi i fundit ndërmjet presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe atij të Serbisë Aleksandër Vuçiq ka dështuar. A mund të vazhdohet dialogu në këtë nivel apo duhet të ketë ndryshim të formatit?

Limaj: Besoj që tashmë jemi në hapa konkretë dhe besoj se këto zhvillime në Bruksel janë rezultat i zhvillimeve që kanë ndodhur edhe në Kosovë dhe kjo është mirë. Dalëngadalë të gjithë po pajtohemi që duhet seriozisht t’i qasemi kësaj teme serioze. Tash janë hapat konkretë, siç e dini ju koalicioni qeverisës dhe Qeveria kanë dhënë një propozim konkret, kanë marrë një vend, është emëruar një grup i përfaqësuesve nga koalicioni qeverisës për dialogun me Serbinë dhe kjo ka ecur drejt Parlamentit, shpresoj se edhe në Parlament do të gjendet rruga për ta marrë legjitimitetin, për ta marrë mbështetjen dhe të zgjerohet ky grup edhe me përfaqësuesit e opozitës dhe kështu të rrumbullakohet një delegacion shtetëror i gatshëm për bisedime me Serbinë.

Zëri: Duke e parë kundërshtimin e opozitës, a prisni që do të votohet ky ekip negociator?

Limaj: Ne besojmë se si Qeveri e kemi kryer detyrën tonë, pasi ka qenë kërkesë e opozitës që dialogu të jetë në Parlament, ka qenë vazhdimisht vërejtje e opozitës se Qeveria nuk po e kryen detyrën e saj, sepse është larguar nga dialogu dhe ne pak a shumë i kemi marrë me dashamirësi këto kritika dhe kemi bërë hapa konkretë. Praktikisht krejt çka ka kërkuar opozita ne kemi vepruar, siç thashë, kemi emëruar grupin nga Qeveria, kemi shkuar në drejtim të Parlamentit, opozita ka kërkuar që të kemi edhe platformë, të kemi njerëz që do t’i përgjigjen Parlamentit. Të gjitha këto janë rrugës duke u bërë, do t’i kemi edhe njerëzit, nesër do të ndërtohet edhe platforma ose principet e përbashkëta që do të diskutohen në Parlament. Kemi thënë se do të kemi një konsensus sa më të gjerë, duke përfshirë edhe opozitën, kemi lënë mundësi që të vijë edhe opozita që të bëhemi bashkë, duam një grup negociator që në vazhdimësi kontrollohet, mbikëqyret dhe i jep llogari Parlamentit të Kosovës dhe pikërisht është kjo që kemi propozuar ne, mjafton të jetë edhe opozita brenda dhe kështu të shkojmë përpara dhe nuk di çka tjetër duhet të bëjmë që të jemi të gjithë së bashku.

Kosova s’ka ekip tjetër negociator

Zëri: Cili do të jetë roli i këtij ekipi, a do të jetë pjesë e ekipit të presidentit apo si do të veprohet, pasi është krijuar përshtypja se po bëhet një dublifikim i ekipit negociator?

Limaj: S’ka ekip tjetër sot Kosova, nuk ka ekip të bisedimeve. Më thoni kush është ai ekip, m’i thoni emrat. Këtu kemi problem me opinionin, sepse ka keqinformim të opinionit. Së pari Kosova nuk ka ekip, tash është bërë hapi i parë për ndërtimin e një ekipi. Deri tani bisedimet i ka zhvilluar Institucioni i presidentit dhe presidenti me Kushtetutë e ka të përcaktuar ta përfaqësojë Kosovën gjithkund, por ekip të Kosovës për bisedime nuk ka. Nuk ka zgjedhur as Qeveria dhe as Parlamenti, pra po ndodh vetëm tani kjo. Dhe ajo që duhet të ndodhë është se duhet të shkojë drejt Parlamentit, të bëhet ekipi, natyrisht secili brenda kompetencave të veta të japë angazhimin për Kosovën, presidenti nga pozita që ka me kompetencat që i ka me Kushtetutë, ekipi merr mandatin e Parlamentit dhe në emër të Qeverisë dhe të Parlamentit flet ose negocion me serbët.

S’kemi garë në mes vete, por me Serbinë

Zëri: Me këtë rast a po minohet roli i presidentit në dialog?

Limaj: Nuk ka çka minohet, prapë po e them, nuk kemi garë të emrave këtu, nuk kemi garë në mes nesh, gara jonë është me Serbinë. Nuk minohet dhe as nuk mbivlerësohet roli i askujt, këto punë i ka ndarë ligji dhe Kushtetuta e Kosovës. Kosova ka një president dhe i ka eksplicit të sqaruara se cilat janë detyrat e tij, pikë. Kosova ndërton një delegacion të Qeverisë, që miratohet në Parlament dhe kjo Kushtetutë jona ia ka dhënë kompetencat e ndara Qeverisë dhe Parlamentit dhe dihet se çfarë kompetencash ka Parlamenti dhe çfarë Qeveria dhe çfarë një delegacion që emërohet nga Qeveria dhe votohet nga Parlamenti. Janë gjërat e ndara, por duhet t’i bashkërendojmë qëndrimet, duhet të kemi një platformë të përbashkët, që pajtohemi të gjithë, që duhet të pranohet edhe nga presidenti, edhe nga grupi ynë dhe të gjithë duhet të flasim me një zë. Ajo duhet të shkojë në Parlament të diskutohet dhe më pas të jetë dokumenti zyrtar i orientimeve të delegacionit të Kosovës e në këtë rast është Kushtetuta e Kosovës.

Zëri: Presidenti Thaçi ka propozuar që në dialogun me Serbinë të diskutohet për korrigjim të kufijve, që sipas tij nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Cili është qëndrimi juaj?

Limaj: Qëndrimi ynë është: Kosova është shtet i pavarur, e ka një Kushtetutë, e ka Deklaratën e Pavarësisë, e ka vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe ky është qëndrimi i Kosovës, kjo është detyra jonë, ky është mandati ynë. Ne ende nuk kemi dëgjuar asnjë propozim prej Serbisë. Ne e dimë çka duam si Kosovë, njohjen e Kosovës nga Serbia, anëtarësimin e saj në OKB, funksionalizimin e këtij shteti përfundimisht, integrimet tona euroatlantike, hapja e rrugës për BE. Këto janë përpjekjet ose pozicionet e Kosovës. Serbia ende nuk ka dhënë asnjë propozim konkret, i cili do të tregonte se me çfarë kushti Serbia e njeh Pavarësinë e Kosovës. Përderisa nuk kemi asnjë propozim nga Serbia ne nuk dimë se cili është qëndrimi i saj, ndërsa qëndrimi i Kosovës është ky që e thashë.

Zëri: Nëse Kosova e kërkon Luginën e Preshevës a i hap rrugë Serbisë ta kërkojë veriun?

Limaj: Përsëri po them, detyra jonë është ta mbrojmë Kushtetutën e Kosovës dhe ato dokumente mbi të cilat është themeluar shteti ynë, kaq, ky është mandati ynë për të diskutuar.

Zëri: Presidenti Thaçi ka dhënë ide të tilla?

Limaj: Shikoni, idetë dhe opinionet janë çështje tjetër, ato duhet të diskutohen me presidentin. Unë po them nga pozicionet tona si Qeveri dhe si Parlament, detyrat tona  do të jenë këto: në respektimin e Kushtetutës, në njohjen e Kosovës, në anëtarësimin e saj në OKB dhe hapjen e perspektivës euroatlantike. Këtë mund ta flasim kur ta bjerë Serbia një propozim se si do ta kishte njohur Kosovën me çfarë kushti, atëherë na pyesni ne se çka mendojmë për propozimin e Serbisë? Derisa nuk kemi një dokument nga Serbia nuk kemi çka flasim, qëndrimi i Kosovës është i pastër.

Zëri: Si kryesues i ekipit të ri, a prisni se do të keni marrëveshje të shpejtë me opozitën dhe a do të shkoni në Bruksel nëse nuk e merrni mbështetjen e Kuvendit?

Limaj: Presim një bashkëpunim dhe do të punojmë fort me opozitën siç e thashë më herët në interes të përbashkët. Koha është që të afrohemi e të bashkohemi nëse kemi mospajtime e mosbesime për individë të caktuar, është koha të bashkohemi, të mos lejojmë që lloj-lloj opinione nga jashtë të përplasen në opinionin e Kosovës dhe t’i shqetësojmë njerëzit e Kosovës. Qytetarët tanë në veri janë të shqetësuar me deklaratat e pamatura që po vijnë. Nuk ka këtu pozitë dhe opozitë, jemi përfaqësues  të popullit, duhet të ulemi dhe të shohim se çka po ndodh në fakt dhe t’ia themi të vërtetën popullit. Ju mund ta luani rolin dhe ta mbroni interesin e vendit vetëm nëse jeni aty në tavolinë e i shihni gjërat dhe nuk guxon një grup politik të bëhet opinionist, pasi opinionistët kanë të drejtën të japin mendime, analiza, por ne e kemi obligim të mbrojmë interesin qytetar të vendit. Koha është të largohemi nga inatet partiake, nga interesat e ngushta dhe nga kalkulimet partiake sepse po flasim për një temë, e cila e përcakton mënyrën e jetesës së përhershme të vendit tonë. Të gjithë e dimë sa ka rëndësi ta njohë Serbia Kosovën. Miqtë tanë ndërkombëtarë po na kërkojnë që të japim kontributin tonë në përmbylljen e kësaj çështjeje. A do të jetë e lehtë? Jo. A do ta njohë lehtë Serbia Kosovën? Jo, nuk do ta njohë lehtë. Por kjo nuk do të thotë se ne duhet të rrimë dhe të vëzhgojmë. Nëse inkurajohemi nga ata që na kanë ndihmuar të vijmë deri këtu, ne duhet të bëjmë përpjekjen tonë. E rëndësishme është që në këtë përpjekje duhet të kemi një gjë të qartë, kurrë në Kosovë Republika Serbe nuk ka për t’u bërë. Ky duhet të jetë vendimi ynë i parë dhe me asgjë nuk e rrënojmë shtetin tonë. Këto janë vijat e kuqe të vendit tonë. Prandaj nuk kemi çka i frikësohemi kësaj pune, prandaj duhet të jemi në tavolinë. Nëse jeni të pakënaqur ose nëse keni rezerva nga presidenti, ejani të ulemi bashkë. Sepse çfarëdo gabimi që mund të bëj unë, ti ose presidenti mund t’i kushtojë vendit. Prandaj kjo ka qenë arsyeja pse kam pranuar të jem në krye të delegacionit qeveritar. Apeli im për opozitën është që t’i lëmë për një moment interesat e ngushta partiake. I kam bërë ftesë opozitës, u kam thënë ejani, ju udhëhiqeni edhe sot po u them ejani ju merreni detyrën, udhëhiqeni, unë kam për të ardhur pas jush nëse keni nevojë.

Zëri: A do ta mbështesin këtë ide edhe presidenti, edhe kryeministri?

Limaj: Në Parlament janë votat që vendosin, mbi 50 vota i ka opozita dhe ne. E rëndësishme është se a janë të gatshëm të marrin përgjegjësinë. Sot me kënaqësinë më të madhe jam që ta luaj rolin tim në këtë proces, që kushdo nga grupi opozitar të udhëheqë dhe unë t’i shkoj prapa dhe ta mbyllim këtë çështje, të jemi seriozë me këtë temë që është shumë e rëndësishme për vendin tonë. Këto tjerat, përplasjet t’i lëmë për fushata. Kemi plot tema që mund t’i kthejmë në fushatë, por jo dialogun. Jemi në moment të mirë ta fusim në shtat dialogun. Dialogu nuk guxon të bëhet individualisht, duhet të bëhet me një mandat, duhet t’u jepet mundësi të gjithëve, por duhet të ketë vullnet edhe nga ana tjetër. Tjetra, hajde po shkojmë në zgjedhje siç po kërkon opozita. Çfarë ndryshimi ka për të ndodhur? Përsëri duhet  pozitë e opozitë të shkojmë të dialogojmë me Serbinë sepse vjen kjo opozitë nesër bëhet pushtet dhe nuk mund t’i dialogojë pa qenë të bashkuar sepse po flasim për temë nacionale. Nëse nuk duam të ngutemi, atëherë të formojmë ekipin dhe të mos ngutemi.

S’do të ketë Republikë Serbe në Kosovë

Zëri: Një temë tjetër është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Duke i parë procesverbalet e ekipit menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit, a prisni që propozimi të jetë për një Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe a do të tolerohet kjo?

Limaj: Mund të shkruajnë çfarë të duan, por e thashë që në Kosovë nuk do të ketë një Republikë Serbe. Kjo është e barabartë ta shkatërrojmë shtetin. Nuk besoj që ka personalitet zyrtar, grup ose çfarëdo qoftë që pranon ta rrënojë shtetin e vet. Kjo është përtej asaj që nuk mund të lëvizim. Kjo është përtej asaj që mund ta bëjë Kosova. Ne jemi të gatshëm ta zbatojmë pikë për pikë, ta zbatojmë atë që e ka thënë Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe këtu mbyllet çështja e Asociacionit?

Zëri: Qeveria “Haradinaj” tashmë ka bërë një vit. Si e vlerësoni punën e deritanishme? Cilat kanë qenë vendimet më të rëndësishme, të cilat janë marrë për Kosovën gjatë kësaj kohe?

Limaj: Jemi ballafaquar me tema të mëdha, i kemi trashëguar temat e mëdha. Jemi vend ende në konsolidim e sipër. Çdo ditë kemi probleme, telashe që duhen zgjidhur, nevoja, kërkesa, ambicie të këtij vendi. Temën më të madhe që e kemi pasur ka qenë demarkacioni. Fatmirësisht siç e dini e kemi përmbyllur, ia kemi hapur rrugën vendit tonë për liberalizimin e vizave. Para rreth një muaji praktikisht Kosova e ka marrë rekomandimin për liberalizim dhe është një hap i jashtëzakonshëm. Nuk është meritë vetëm e kësaj Qeverie, por e të gjitha qeverive, e administratës me të gjitha institucionet. Ne presim që tani në Parlamentin Evropian të trajtohet dhe më pas në Këshillin e Ministrave të Brendshëm dhe të shteteve veç e veç. Dua të besoj që vitin e ardhshëm qytetarët tanë të lëvizin pa viza. Qeveria njihet për vendime dinamike, janë marrë disa vendime të mëdha, të rëndësishme dhe rëndësia e efektet e tyre duhet të shihen rrugës.

Zëri: Ku ka pasur ngecje?

Limaj: Dështimi shihet kur të mbyllet mandati, nëse ka telashe diku ose jo. Ajo është ende në përpjekje, prandaj ka shpresë që aty ku kemi pengesa do të arrijmë suksese. Mund ta konstatoni pasi të kryhet mandati.

Së shpejti lajme të mira për ushtrinë

Zëri: A prisni të formohet shpejt ushtria e Kosovës?

Limaj: Jemi duke punuar shumë. Jemi duke punuar shumë. Jemi duke punuar, po punojmë me kujdes, duhet të punohet me kujdes. Besoj që shpejt do të kemi lajme të mira.

Zëri: Do të shkohet përmes ndryshimeve kushtetuese apo përmes ndryshimeve ligjore?

Limaj: Do të ketë shpejt lajme të mira. Do të shkojmë ashtu siç do të duhej të jetë, ashtu siç vërtet e transformon FSK-në në ushtri dhe që nuk e dëmton rrugën e saj.

Zëri: Sigurisht do të shkohet me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë?

Limaj: Sikur që thashë ajo ushtri e ka një mision dhe nga FSK-ja të transformohet në ushtri, por jo të tentohet diçka që e dëmton misionin e saj. Jemi të kujdesëm dhe do të kemi lajme të mira.

Zëri: Deri më tani kemi parë që Lista Serbe nuk po lëviz nga qëndrimi kundër?

Limaj: Jemi duke punuar. Duhet që të lexohet mirë Kushtetuta, gjithmonë ka gjëra aty. Një jurist që e lexon ligjin ngurtë ashtu siç është nuk është jurist. Ligji është i gjallë, çdo nen është i gjallë dhe juristi i mirë e gjallëron atë ligj, atë Kushtetutë ose atë nen.

Zëri: Doni të thoni se Lista Serbe nuk mund ta bllokojë?

Limaj: Jemi duke punuar. Nuk kam dëshirë të ngutem kështu, por pres sinjale pozitive, besoj shumë shpejt do të kemi sinjale pozitive në këtë drejtim. Por gjithmonë në mosdëmtimin e misionit ku duam të shkojmë.