Si e vlerëson BE-ja deklaratën e Vuçiqit për Millosheviçin?

Aktuale September 10, 2018 - 15:47
Lexo detajet

Pajtimi, normalizimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore do të jenë të mundshme vetëm nëse refuzohen dhe tejkalohen politikat e së kaluarës.

Kështu u shpreh zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijançiq, e cila shtoi se ato politika, siç është e njohur, kanë shkaktuar një dekadë të mjerimit dhe vuajtjes së Ballkanit Perëndimor dhe njerëzve atje", raporton portali serb “B92”, transmeton zeri.info

Kocijançiq kështu iu përgjigj pyetjes së një gazetari në Bruksel se si e vlerëson Bashkimi Evropian deklaratën e djeshme të presidentit serb Aleksandar Vuçiq se "ish-presidenti serb Slobodan Millosheviq ishte një udhëheqës i madh me qëllimet më të mira".

Zëdhënësja e Federica Mogherinit tha se "nuk mund të ketë asnjë hapësirë, paqartësi dhe as respekt për ata që udhëhoqën ato politika apo veprime".

"Rregullat për forcat ndërkombëtare dhe vendore në këtë aspekt janë të qarta", bëri të ditur Maja Kocijançiq, duke nënvizuar se "pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë thelbi mbi të cilat mbështetet Bashkimi Evropian".

Ajo shtoi se "të gjithë partnerët në rajon kanë një perspektivë të qartë evropiane dhe prandaj kërkohet që t'i respektojnë këto parime".

Kocijançiq vuri në dukje deklaratën e Presidentit të Komisionit Jean-Claude Juncker këtë fundjavë se "nacionalizmi nuk ka dhënë kurrë zgjidhje, por vetëm probleme"./Zeri