Një vit qeverisje me skandale

Aktuale September 10, 2018 - 08:04
Lexo tjera detaje
Image

Në fundjavën e kaluar qeveria “Haradinaj” ka mbushur vitin e parë të funksionimit, ndërsa vlerësohet se ka dështuar t’i përmbushë premtimet për liberalizimin e vizave dhe për formimin e ushtrisë brenda tre muajve, siç kishte premtuar kryeministri Ramush Haradinaj. Për më shumë, kjo Qeveri vlerësohet se ka marrë vendime skandaloze, siç është ai për rritjen e pagave për qeveritarët, për emërimin e rreth 75 zëvendësministrave, për faljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit, për pranimin e dënimit prej 53 milionë eurove për “Bechtel Enka”-n e të tjera. Kurse Kuvendi në këtë periudhë është karakterizuar me dështim të shumë seancave plenare për shkak të mungesës së kuorumit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Liberalizimi i vizave brenda tre muajsh prej fillimit të punës së Qeverisë së re, si dhe formimi i ushtrisë së Kosovës brenda asaj periudhe kanë qenë dy nga premtimet më të mëdha të kandidatit për kryeministër nga koalicioni PAN Ramush Haradinajt, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit të kaluar. Megjithatë, qytetarët e Kosovës ende janë pa liberalizim dhe Kosova është pa ushtri edhe pse në fundjavën që lamë pas është bërë një vit prej konstituimit të Kuvendit dhe të formimit të qeverisë “Haradinaj”. Partitë opozitare dhe analistët politikë thonë se gjatë kësaj periudhe njëvjeçare qeveria “Haradinaj” ka dështuar t’i përmbushë premtimet parazgjedhore, si dhe programin qeverisës, madje sipas tyre kjo Qeveri karakterizohet me vendime skandaloze. Ata gjithashtu vlerësojnë se Kuvendi ka dështuar të përmbushë agjendën legjislative, ndërsa thonë se deputetët më shumë janë marrë me sharje e me fyerje ndaj njëri-tjetrit sesa që kanë kryer detyrat që u takojnë.

Limaj: Është herët të flitet për dështime të Qeverisë

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka thënë për gazetën “Zëri’’ se Qeveria aktuale është ballafaquar me tema të mëdha, të cilat i ka trashëguar. Kurse si sukses të qeverisë “Haradinaj” zëvendëskryeministri e ka vlerësuar ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi dhe ecjen përpara në procesin e liberalizimit të vizave. “Jemi ballafaquar me tema të mëdha, i kemi trashëguar temat e mëdha, jemi vend ende në konsolidim e sipër. Çdo ditë kemi probleme e telashe që duhen zgjidhur, kërkesa, nevoja e ambicie të këtij vendi. Temën më të madhe e kemi pasur Demarkacionin, e kemi zgjidhur dhe i kemi hapur rrugë liberalizimit të vizave... Tashmë procesi i vendimmarrjes ka kaluar në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Ministrave. Nuk është meritë vetëm e kësaj Qeverie. Dua të besoj që vitin e ardhshëm qytetarët tanë do të lëvizin pa viza”, ka deklaruar Limaj.

Ai po ashtu ka thënë se kjo Qeveri njihet për punën dinamike, ndërsa ka përmendur disa prej punëve të bëra.  “Qeveria ‘Haradinaj’ njihet për vendime dinamike, janë marrë disa vendime të mëdha, të rëndësishme dhe rëndësia e efektet e tyre duhet të shihen rrugës. Kemi ndërhyrë në politikat tatimore, kemi lehtësuar të bërit biznes, kemi hequr doganën për lëndën e parë, kemi tentuar t’i mbrojmë produktet vendore aty ku ka qenë konkurrenca e pabarabartë. Me një fjalë janë bërë shumë punë, por është herët për të bërë një analizë përfundimtare”, ka shtuar Limaj.

Ndërsa i pyetur nëse ka pasur ngecje ose dështim në ndonjë çështje, Limaj ka thënë se është ende herët të konkludohet për ndonjë dështim. “Dështimi shihet kur të mbyllet mandati, nëse ka telashe diku ose jo. Ajo është ende në përpjekje, prandaj ka shpresë që aty ku kemi pengesa do të arrijmë suksese”, është shprehur Limaj.

Opozita numëron skandalet e qeverisë “Haradinaj”

Zëdhënësja e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti, ka thënë për “Zërin” se kryeministrit Ramush Haradinajt nuk i është dashur një vit qeverisjeje për ta parë se sa skandale mund të prodhojë. “Që prej fillimit të udhëheqjes ishte gabim, duke i nisur pazaret për koalicion për kriminelin nga veriu Milan Radojçiq, vazhdimin me Rikalon, emërimin e mbi 80 zëvendësministrave, faljen e borxheve të ndërmarrjeve të papërgjegjshme, ndryshimin e qëndrimit për demarkacionin me Malin e Zi dhe ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, pas kësaj edhe mashtrimi me liberalizimin e vizave, gjithsesi edhe me rritjen e pagës vetvetes, dhënia e 53 milionë eurove për ‘Bechtel Enka’-n paligjshëm e skandale të tjera të panumërta”, ka deklaruar Kurti.

Ajo më tej ka thënë se derisa skandalet e Haradinajt lulëzojnë si në prezantimet e tij publike e po ashtu në vendimet që merr papunësia dhe mjerimi social rritet. Ajo ka rikujtuar pushimet e kryeministrit në një vend shumë të shtrenjtë. “Para kësaj situate jo vetëm që nuk ka bërë asgjë, por përkundrazi e ka ekspozuar luksin e tij të tepruar si është rasti me pushimin në Saint Morriz, të cilin shumica e qytetarëve as nuk kishin dëgjuar për të e lëre më që do ta përballonin një pushim disaditor atje”, ka shtuar Kurti.

Edhe deputeti i Partisë Socialdemokrate, Sali Salihu, ka përmendur disa nga vendimet të cilat ai i ka quajtur skandaloze. “Kjo Qeveri është karakterizuar me vendime të çuditshme, si rritja e pagës për qeveritarët, ndërrimi i shpejtë i bordeve dhe përgjithësisht nuk është parë se ka pasur progres. Fokusi ka qenë te zhvillimet politike, pra në këto temat e mëdha dhe nuk ka pasur fokus zhvillimi ekonomik. Demarkacioni me Malin e Zi ka qenë përgjegjësia më e madhe, të cilën e ka marrë kryeministri deri më tani, i cili ka qenë vendim i dëmshëm”, ka potencuar Salihu.

Kurse duke folur për premtimin e kryeministrit Haradinaj të dhënë gjatë fushatës elektorale për liberalizim të vizave brenda tre muajve pas marrjes së mandatit, si dhe për formimin e ushtrisë në të njëjtën periudhë, Salihu ka thënë se tashmë është bërë e zakonshme që gjatë fushatës të jepen premtime të paarritshme. “Premtime në kohë të fushatave zgjedhore jepen pa mbulesë, pra jepen premtime të parealizueshme dhe më pas ato legjitimohen. Shembull e kemi dëgjuar në të kaluarën Isa Mustafën të premtojë 120 mijë vende pune dhe pasi erdhi në pushtet pati thënë se ai ka qenë premtim fushate”, ka rikujtuar Salihu.

Qeveria me vendime ad hoc, Kuvendi dështoi në përmbushjen e agjendës

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë për “Zërin” se qeveria “Haradinaj” në këtë periudhë njëvjeçare është karakterizuar me vendime të shpejta dhe të paplanifikuara. “Qeveria është karakterizuar me vendime të shumta ad hoc, kryesisht që i ka marrë kryeministri me kosto financiare dhe në këtë mënyrë është përpjekur t’i rehatojë të pakënaqurit, t’i qetësojë të gjitha grupet e njerëzve që kanë protestuar ose që kanë kërkuar zgjidhje të problemeve të tyre. Kjo Qeveri nuk ka punuar sipas një plani të paracaktuar. Kështu po vazhdon ende dhe kjo nuk është mirë”, ka vlerësuar Mushkolaj.

Ai më tej ka thënë se përpjekjet më të mëdha për ndryshime janë bërë në Ministrinë e Shëndetësisë nga ministri Uran Ismaili. “Përpjekjet më të mëdha për të punuar i ka bërë Ministria e Shëndetësisë, kemi një qasje ndryshe nga ministri Ismaili në krahasim me ministrat e kaluar. Ministria e Infrastrukturës e ka buxhetin e madh dhe ka vazhduar disa projekte, si dhe ka filluar disa tjera, por fatkeqësisht të gjitha ministritë dhe qeveria vetë është karakterizuar prej numrit të madh të njerëzve që përbëjnë kosto të madhe financiare për buxhetin e vogël të Kosovës”, ka shtuar Mushkolaj.

Megjithatë, për suksese të kësaj Qeverie mund të flitet vetëm nëse nuk kujtohen se cilat kanë qenë premtimet e dhëna gjatë fushatës parazgjedhore. “Nëse i analizojmë premtimet e kryeministrit, atëherë nuk mund të flasim për këto suksese të Qeverisë, pasi qysh në start ka qenë dështim, si për liberalizimin e vizave, si për ushtrinë, por nëse i harrojmë, në thonjëza po them, këto premtime atëherë mund të përmenden disa suksese të vogla”, ka deklaruar Mushkolaj.

Kurse sa i përket legjislaturës së gjashtë të Kosovës, Mushkolaj ka thënë se Kuvendi deri më tani ka dështuar t’i kryejë punët që i takojnë. Sipas tij, më shumë ka pasur fyerje e sharje në seancat e Kuvendit sesa ka pasur punë nga deputetët. “Kuvendin e kam parë të dështuar në këtë periudhë njëvjeçare, pasi nuk i ka kryer punët. Nëse i shohim ligjet që do të duhej t’i miratonte ose detyrat tjera që do të duhej t’i kryente ka dështuar, ka mbetur shumë prapa. Më shumë ka pasur sharje e fyerje me njëri-tjetrin sesa e kanë kryer punën që u takon. Agjenda legjislative nuk është përmbushur as për së afërmi”, ka përfunduar Mushkolaj.

Qeveri e skandaleve, Kuvendi i mospunës

Analisti Blerim Burjani ka thënë se në 12 muajt e parë të funksionit qeveria “Haradinaj” është karakterizuar me vendime skandaloze, ndërsa ka potencuar rritjen e pagave për qeveritarët, si dhe numrin e madh të zëvendësministrave. “Kjo Qeveri karakterizohet me vendime skandaloze, si rritja e pagës për vetveten, po ashtu kemi parë edhe numër të madh të ministrave e të zëvendësministrave. Po ashtu ka pasur edhe vendime tjera skandaloze, të cilat kanë bërë bujë në opinion. Sa i përket programit qeverisës, nuk është bërë asgjë. Pra deri më tani nuk kemi parë ndonjë sukses të theksuar të Qeverisë. Kjo Qeveri është më skandalozja në Kosovë”, ka deklaruar Burjani.

Ai më tej ka potencuar faktin se koalicioni qeverisës nuk e ka më shumicën në Kuvend, por Qeveria po qëndron në këmbë “të qelqit”, pasi as opozita nuk i ka votat e mjaftueshme për ta rrëzuar.

Burjani ka thënë se në këtë periudhë njëvjeçare nuk ka funksionuar mirë as Kuvendi. “As Kuvendi nuk ka funksionuar mirë, ka ngecje në përmbushjen e planit legjislativ, ndërsa tani siç po shihet po shkohet drejt një bllokade të re. Do të ishte mirë që partitë politike të vendosin se si do të veprojnë, do të bëjnë zgjidhje për zhbllokimin ose do të shkohet në zgjedhje të reja”, ka përfunduar ai.