Policia konfirmon largimin e Vuçiqit nga Kosova

Aktuale September 09, 2018 - 15:26
Policia jep disa detaje interesante

Policia e Kosovës edhe zyrtarisht ka njoftuar për mbarëvajtjen e protestës kundër presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit si dhe tentimin e këtij të fundit për tu futur në Drenicë, transmeton “Zeri.info”.

LEXO EDHE: Gjithçka çfarë ndodhi sot gjatë vizitës së Vuçiqit në Kosovë (FOTO)

Policia përmes një njoftimi ka bërë të ditur se protesta ka kaluar në mënyrë paqësore pa ndonjë incident.

Ndërkohë bëhet e ditur se presidentit serb është larguar nga Kosova përmes rajonit të veriut të Mitrovicës drejt pikës kufitare në Jarinje, dhe i njëjti ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës rreth orës 13:50.

“Referuar situatës dhe vendimit të institucioneve shtetërorë të RKS-së lidhur me vizitën e presidentit serb në rajonin e Drenicës, Policia e Kosovës i ka ndërmarr të gjitha masat e nevojshme për realizim dhe implementim të këtij vendimi. Delegacioni me presidentin serb është kthyer nga rajoni i veriut të Mitrovicës drejt pikës kufitare në Jarinje, dhe i njëjti ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës rreth orës 13:50”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë së Kosovës.

Tutje organet e hetuesisë shtetërore kanë folur edhe për raportimet e mediave serbe të cilat kanë raportuar se në Drenicë janë dëgjuar të shtëna armësh.

Nga policia thonë se këto raportime nuk janë aspak të vërteta.

“Ndërsa sa i përket disa raportimeve në mediat serbe, ku thuhet se janë dëgjuar të shtëna armësh në këtë rajon, Policia e Kosovës nuk posedon ndonjë informacion për të shtëna dhe aktualisht nuk mund të konfirmoj lajmin si të tillë, i cili i referohet këtij lokacioni dhe personit të apostrofuar në këto media si të dyshuar. Policia e Kosovës do të punoj me njësitet relevante policore në verifikimin e këtij informacioni”, sqarojnë nga policia.

E nga ky institucione tutje deklarojnë se të gjitha veprimet karshi vizitës së Vuçiqit janë marrë në përputhje me ligjet e Kosovës në fuqi.

“Lidhur me vizitat e delegacioneve apo personaliteteve ndërkombëtare në vendin tonë, përfshirë edhe vizitën dyditore të Presidentit serb, Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit të gjitha veprimet e saja planifikuese dhe operacionale i ndërmerr konform autorizimeve ligjore dhe vendimit të institucioneve shtetërore të RKS-së, në funksion të garantimit të sigurisë për të gjithë”, thuhet më tutje në njoftim.

Thonë se lidhur me vizitën e lejuar të presidentit serb në vendin tonë, Policia e Kosovës përmes planifikimeve operacionale ka ndërmarr masat e nevojshme policore për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend, si dhe përcjelljes së eskortës dhe ofrimit të sigurisë së delegacionit.

“Referuar kësaj vizite, sot në orët e hershme të mëngjesit Policia e Kosovës ka pranuar disa informacione për tubime të disa qytetarëve dhe bllokim të rrugës në rajonin e Drenicës, për të protestuar kundër vizitës së presidentit serb në këtë rajon. Policia e Kosovës ka ndërmarr të gjitha veprimet operacionale për ruajtjen e rendit dhe sigurisë së përgjithshme, përderisa situata ka qenë e qetë dhe nuk është raportuar për ndonjë incident”, shpjegohet në letrën e policisë së Kosovës. /ZËRI/