'Vizita ka treguar realitetin e vrazhdë në Kosovë, por edhe triumfin diplomatik të Serbisë dhe fiaskon e Prishtinës'

Aktuale September 09, 2018 - 13:26
Lexoni më shumë detaje

Vizita e presidentit serb në Kosovë dhe të gjitha ngjarjet që lidhet me këtë vizitë në enklavat serbe, janë një fitore e madhe për Serbinë në aspektin diplomatik dhe një fiasko e madhe e autoriteteve të Prishtinës, ka vlerësuar ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, përcjell "Zeri.info".

Ai ka theksuar se secila fjali e Vuçiqit ishte në vijë me atë që flitet në Bruksel, Uashington dhe Moskë.

“Kjo është nevoja që të zgjidhim problemet me shqiptarët dhe të fillojmë një epokë të re në marrëdhëniet tona. Nëse dikush i kundërvihet kësaj, ai nuk është për zgjidhje paqësore”, ka thënë Daçiq, transmeton "Zeri.info".

Ai ka shtuar se kjo vizitë e ka treguar një realitet të vrazhdë, e kjo është se pozita e serbëve në Kosovë është e padurueshme, por se edhe ekzistojnë dy pozita plotësisht të ndryshme, e kjo është veriu dhe serbët që jetojnë në enklava, respektivisht në jug të Kosovës.

Ka thënë se nuk mund të pajtohet me vlerësimin e autoriteteve të Kosovës se populli në Banjë është mbledhur në mënyrë spontane.

“Mendoj se kjo është kundër produktive për palën kosovare dhe kanë treguar se me çfarë problemesh përballen serbët që jetojnë atje, e kjo është pjesë e përditshmërisë së tyre”, ka theksuar ai./ZERI