Korrigjimi, tragjik për Kosovën

Aktuale September 06, 2018 - 08:24
Mësoni më shumë detaje
Image

Liderët politikë opozitarë të Kosovës, përfaqësuesit e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në vend e kanë vlerësuar tragjike idenë e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjimin” e kufirit të Kosovës me Serbinë, duke shtuar se çdo marrëveshje e tillë matet me Mitrovicën, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kështu u tha në tryezën “Loja me kufij: luftë apo zgjidhje në Ballkan?”, që është organizuar nga emisioni “Jeta në Kosovë” gjatë ditës së djeshme.

Edhe pse në këtë tryezë ishin të ftuar kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli, si dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ata nuk kanë marrë pjesë në tryezë.

Kurti: Me korrigjim e humbim veriun, nuk e marrim Luginën

LEXO EDHE: Pushteti dhe opozita, pa numra për mbajtjen e seancave

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se çështja e kufijve i takon Republikës së Kosovës dhe asnjë person, sipas tij, nuk ka të drejtë t’i diskutojë në tavolinë të bisedimeve me Serbinë, shkruan më tutje "Zëri".

“Është e domosdoshme që ne ta përpilojmë listën e kërkesave për Serbinë, sepse na ka shumë borxh. Nuk ka ndonjë dokument zyrtar të Qeverisë ose të Kuvendit në të cilën ne i shtrojmë të gjitha borxhet që na ka Serbia. Me idenë për korrigjimin e kufijve dhe kompromisin e dhimbshëm presidenti Thaçi e ka relativizuar shtetësinë e Kosovës dhe integritetin e saj territorial”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, një marrëveshje e tillë për “korrigjim” nënkupton humbjen e veriut dhe pamundësinë për ta marrë Luginën.

“Me këtë orvatje të presidentit ka tendencë të kthehemi në kohën para shpalljes së pavarësisë, në vitin 2007, kur Kosova e kishte ende statusin e papërcaktuar. Me tezën për shkëmbim territorial nga pala kosovare disa eksponentë kanë hequr dorë nga veriu e Luginën nuk do ta marrin. Çdo marrëveshje me Serbinë matet me Mitrovicë. Kufijtë e Kosovës duhet të konsiderohen të Kosovës dhe asnjë person nuk ka të drejtë t’i vendosë në tavolinën e diskutimeve”, ka thënë Kurti.

Hoti: Shkëmbimi i territoreve, tragjik për Kosovën

I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Avdullah Hoti, i cili tha se ngecjet në njohje të reja nuk ia japin askujt të drejtën për të diskutuar shtetësinë e Kosovës.

“Është qëndrim i LDK-së tash e tri dekada kur është vendosur për të luftuar politikisht dhe me të gjitha mjetet e tjera për Kosovën e pavarur. Ka 3 vjet që kemi ngecje në numrin e njohjeve të Kosovës dhe kjo nuk na jep të drejtë për shkak të kësaj që të rikthehemi dhe ta rishikojmë shtetësinë e Kosovës. Kjo është ide tragjike dhe është ide e presidentit Thaçi”, ka thënë Hoti.

Më tutje Hoti tha se ideja për shkëmbimin e territoreve buron nga lidershipi i Serbisë, është ide e Beogradit dhe e Moskës e jo nga perëndimi.

“Kjo ide buron nga lidershipi i Serbisë dhe është ide për të shmangur konsolidimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Pra, është ide e Beogradit, e Moskës dhe fatkeqësisht është përkrahur nga disa kuzhina politike në rajon. Ne si LDK nuk jemi kundër dialogut, unë shpresoj që sot ose nesër të arrijë mençurinë e nevojshme për ta filluar këtë rezolutë për bisedimet me Beogradin, por jo për shkëmbim territoresh. Kjo Qeveri është e marrë peng dhe nuk e di, Haradinaj është zmbrapsur nga ideja jonë”, ka theksuar Hoti.

Haradinaj: AAK-ja, kundër korrigjimit

Në tryezën “Loja me kufij: luftë apo zgjidhje në Ballkan?” ishte i pranishëm edhe Daut Haradinaj nga radhët e AAK-së, i cili ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij kundër korrigjimit.

“AAK-ja ka koalicion me PDK-në, ndërsa Hashim Thaçin e ka zgjedhur LDK-ja. Jemi kategorikisht kundër korrigjimit, ndryshimit, shkëmbimit. Askush nuk ka guximin të diskutojë diçka të tillë, koalicioni nuk shantazhohet, këtë e kemi dëshmuar dhe e dëshmojmë, jemi në koalicion me PDK-në dhe do të përkrahim iniciativat që janë për të mirën e vendit, ju po e linçoni PDK-në, por ata nuk janë pro korrigjimit”, ka thënë Haradinaj.

Hoxhaj: Qëndrimi i PDK-së i prerë, Thaçi flet në emër të vet

Ndërsa zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj tha se qëndrimi i PDK-së është i prerë, nuk ka ndarje të Kosovës, as shkëmbim e as korrigjim të territoreve, por për fazën finale duhet konsensus të brendshëm politik.

“Nuk mbrohet interesi i Kosovës në hotelin ‘Sirius’. Ne do të duhej ta mbështesim ekipin negociator në Kuvendin e Kosovës. Duhet të definohet cili është roli i Kuvendit, duhet të bisedojmë për temat e dialogut. Qëndrimi i PDK-së është i prerë, nuk ka ndarje të Kosovës, as shkëmbim e as korrigjim të territoreve, Hashim Thaçi flet në emër të vet”, ka potencuar Hoxhaj.

Përfaqësuesit e Luginës: Mos e jepni veriun për neve

Shaip Kamberi, kryetar i Komunës së Bujanocit, ka thënë se ideja për korrigjimin e kufirit me Serbinë, e cila sipas presidentit Thaçi nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, po ngjall shpresa te popullsia në këtë pjesë, por që sipas tij është Kosova ajo që vendos për vijat e kuqe në të gjithë këtë proces.

“Kur të dalë një ide e tillë nxit emocione dhe shpresë, por ne nuk i përcaktojmë vijat e kuqe. Është vetë Kosova ajo që i përcakton vijat e tilla. Ne nuk kemi thënë që ju jepeni veriun dhe merreni Luginën, edhe nëse bashkësia ndërkombëtare është e pajtimit. Lugina e Preshevës ka vullnet të bashkohet me Kosovës dhe për neve nuk ka asnjë moment, nuk kemi vullnet për ta ndarë popullatën dhe cila është më e mira për Kosovën le të vendosë ajo vetë”, ka thënë Kamberi.

Ndërkaq Sami Salihu, nga Kuvendi Komunal i Preshevës, ka thënë se duke e njohur historinë e Serbisë ajo kurrë nuk do ta japë Luginën pa kërkuar diçka tjetër, duke shtuar se pacenueshmëria e integritetit të Kosovës është gur i çmuar për Ballkanin.

“Ideja e shkëmbimit të popullatës nuk pi ujë dhe nuk e beson kurrkush, as nuk ka për ta besuar. Në dy dekadat e fundit është se pacenueshmëria e territorit të Kosovës është gur i qëndrueshëm për gjithë Ballkanin. Se a do ta japë Serbia Luginën e Preshevës pa këmbyer diçka me territor, si e njohim Serbinë, është e pamundur kjo”, ka thënë Salihu.