Pushteti dhe opozita, pa numra për mbajtjen e seancave

Aktuale September 06, 2018 - 08:12
Mësoni më shumë detaje
Image

Dy seancat e jashtëzakonshme të së mërkurës në lidhje me dialogun me Serbinë nuk kanë arritur të mbahen si pasojë e mungesës së numrave si nga ana e partive në pushtet, ashtu edhe nga ato opozitare, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Seanca e thirrur nga Qeveria e Kosovës për emërimin e ekipit negociator, që do ta shoqërojë presidentin Hashim Thaçi në Bruksel, nuk ka arritur të mbahet as pas disa shtyrjeve të njëpasnjëshme.

Përpos kësaj séance, nuk ka arritur të fillojë as seanca e partive opozitare për ta kundërshtuar idenë e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjimin e kufijve” me Serbinë. Edhe kjo seancë dështoi në mungesë kuorumi.

LEXO PO ASHTU: Thaçi anashkalon Kuvendin, kufijtë në referendum

Duheshin 61 deputetë, përderisa në sallë ishin vetëm 58. E njëjta seancë pritet që të vazhdojë sot në orën 10:00 me kërkesë të grupeve parlamentare.

Në anën tjetër, përderisa subjektet e pozitës dhe ato opozitare i bojkotuan seancat e thirrura nga njëra tjetra, partia e pushtetit Nisma Socialdemokrate iu bashkua opozitës në seancë për ta kundështuar Thaçin.

LEXO EDHE: Këta janë deputetët e pushtetit që po marrin pjesë në seancën e opozitës (FOTO)

Disa deputetë të partnerit të koalicionit qeverisës Nismës Socialdemokrate kanë marrë pjesë në seancën e thirrur nga opozita, megjithatë sërish nuk kishte kuorum.

Bilall Sherifi, nga kjo parti, ka thënë se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrim dhe se do të jenë në Kuvend për seancën që nis në orën 19:30, porse nuk dihet nëse do ta votojnë rezolutën ose jo.

Në anën tjetër, partneri tjetër i koalicionit qeverisës, AAK-ja, ka thënë se nuk do të marrë pjesë për shkak të mungesës që opozita pati në seancën e ftuar nga Qeveria për ekipin qeveritar për dialog.

Këtë seancë e bojkotoi edhe partia tjetër e pushtetit, Partia Demokratike e Kosovës.

Përfaqësuesit e subjekteve opozitare të vendit kanë dalë dje në konferencë të përbashkët, ku kanë paraqitur kërkesën e tyre për vazhdimin e seancës së thirrur nga opozita.

Kjo thirrje e opozitës u bë me qëllim që të formonte një rezolutë e cila do t'i ndalonte Thaçit që në bisedime me Serbinë të diskutonte për kufijtë e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në këtë konferencë ka thënë se mënyra si po sillet koalicioni qeverisës nënkupton që Kuvendi është i kapur.

"Janë më shumë se 24 orë prej kur kemi kërkuar që të mbahet seanca. Kjo formë e sjelljes së kryetarit të Kuvendit është kapje e Kuvendit, në veçanti kur kemi parë edhe deklarimet e partisë së koalicionit qeverisës Nismas, që do të votojë pro rezolutës së opozitës", tha Hoti.

Ndërsa Shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Glauk Konjufca, tha se kjo vonesë e vazhdimit të seancës së thirrur nga Qeveria po bëhet që presidenti Thaçi të shkojë në Bruksel pa u miratuar rezoluta e opozitës.

“Kemi shtyrje të qëllimshme të seancës që Thaçi të takohet me Vuçiqin. Ky është qëllimi i Kadri Veselit. Ky është uzurpim i Kuvendit. 40 orë nuk i kanë mjaftuar pushtetit të përfundojë seancën, por qëllimi i tyre është që faktikisht të mos e përfundojnë këtë seancë”, ka thënë Konjufca në një konferencë për medie bashkë me Hotin e LDK-së, Kusari-Lilën e Alternativës dhe Pantinën e PSD-së.

Njëherësh ai në emër të subjekteve opozitare i ka bërë thirrje Kryesisë së Kuvendit që të thërrasë seancën e opozitës, pasi që thirrja e seancës është obligim i tyre.

Ndërkaq deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi si personin e vetëm që ka prodhuar krizat e deritanishme në Kosovë dhe ka bërë thirrje që Kuvendi t’ia heqë kompetencat për dialog.

“Në Parlament duhet të kthehet diskutimi për platformën e dialogut dhe pastaj të diskutohet për ekipin negociuar. Ai ka kidnapuar kompetencat për të cilat është thirrur Qeveria. Kosova ka nevojë për kthim në normalitet dhe i vetmi që i shkakton këto kriza është presidenti Thaçi”, ka thënë deputetja Kusari-Lila.