AAK-ja s'do të jetë pjesë e seancës së opozitës

Aktuale September 05, 2018 - 19:13
Lexoni më shumë detaje

Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të jenë pjesë e seancës së thirrur nga partitë opozitare e që pritet të nisë në orën 19:30.

Këtë e ka konfirmuar deputeti i kësaj partie, Muharrem Nitaj.

“Është bojkotuar një nismë e Qeverisë për krijimin e një ekipi për të negociuar me Serbinë, kjo ka qenë një kërkesë e opozitës dhe faktikisht ka mundur të votohej në paketë, edhe ekipi negociator dhe rezoluta e propozuar nga LDK-ja”.

“Por duket se kanë dalë në sipërfaqe interesat meskine – kjo është arsyeja pse nuk do të jemi pjesë e seancës që është caktuar për në orën 19:30”, ka thënë ai në hollin e Kuvendit, njofton Klan Kosova.

Ndonëse seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga kryeministri i vendit për të votuar ekipin negociator për bisedimet me Serbinë, në fazën finale të dialogut nuk është mbajtur për shkak të mungesës së kuorumit, Nitaj ka thënë se kjo nuk është një dështim.

“Duket se ka hezituar Lista Serbe por nuk themi se kemi dështuar. Është edhe java tjetër dhe jemi të bindur se ekipi i unitetit do të votohet nga deputetët, shpresojmë se pjesë e këtij votimi do të jenë edhe deputetët e opozitës”.

“Spektri politik në Kosovë ka mundësi që të jetë i bashkuar, përndryshe do të dështojë në procesin më të rëndësishëm që Kosova ka përpara”.