Zmbrapset Thaçi, s’diskuton për kufijtë të premten

Aktuale September 05, 2018 - 07:57
Lexo detajet
Image

Pavarësisht paralajmërimeve, “Korrigjimi i kufijve” dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të diskutohen në takimin e së premtes ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Zyra e presidentit Thaçi ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se në takimin e pasnesërm do të diskutohet rreth modaliteteve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, shkruan sot Gazeta 'Zëri".

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, javë më parë kishte paralajmëruar se gjatë shtatorit do ta prezantojë në Bruksel idenë e korrigjimit të kufijve, i cili nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Megjithatë, në takimin e së premtes të Thaçit me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq nuk do të diskutohet për “korrigjimin e kufijve” dhe as për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Të paktën kështu ka thënë zyra e presidentit Thaçit për gazetën “Zëri”: “Korrigjimi i kufijve dhe Asociacioni nuk do të  jenë në tavolinën e bisedimeve”.

Më tej Presidenca thotë se në takimin e 7 shtatorit do të diskutohet për modalitetet e arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

“Modalitetet për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, në mes të Kosovës dhe të Serbisë do të sjellin paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon”, përfundon përgjigjja e zyrë së Presidentit.

Ndërkaq opozita e vendit vlerëson se presidenti me deklarime dhe me iniciativa të tilla është duke luajtur me integritetin dhe me sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Ndërsa organizatat, të cilat monitorojnë bisedimet Kosovë – Serbi, i kanë thënë gazetës “Zëri” që integriteti territorial duhet të jetë i padiskutueshëm, duke shtuar se miratimi i rezolutës për dialogun nga Kuvendi është një hap që ndihmon në vendosjen e vijave të kuqe të domosdoshme për këtë proces.

AAK: Nuk lejojmë diskutimin e kufijve

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,Time Kadrijaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës qëndron mbrapa deklarimeve të saj se korrigjimi i kufijve sjell luftë.

“Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është i qartë, tërësia territoriale e Republikës së Kosovës nuk duhet të diskutohet dhe nuk lejojmë të diskutohet dhe as të propozohet diçka e tillë. Ndryshimi i kufijve do të thotë arenë lufte për Ballkanin dhe këtë nuk e duan as miqtë ndërkombëtarë që kanë thënë se diçka të tillë nuk do ta përkrahim”, ka thënë Kadrijaj në një prononcim për gazetën “Zëri”.

Sipas saj, edhe Asociacioni është një çështje që do të zgjidhet në bazë të Kushtetutës së Kosovës, por për këtë proces të bisedimeve janë në kërkim të konsensusit.

“Nuk e di agjendën, e cila do të diskutohet në Bruksel në mes të dy presidentëve, por një gjë dihet se nuk do të ndodhë asnjë asociacion përpos atij që e ka bërë Gjykata Kushtetuese. Kosova është në një skenar të procesit të bisedimeve dhe për këtë është kërkuar një konsensus, për këtë edhe janë bërë emërimet për ekipin negociator, në të cilin ka përfshirë edhe partitë opozitare. Opozita po bën opozitarizëm në kurriz dhe në dëm të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar ajo.

LVV: Thaçi po luan me identitetin dhe me sovranitetin e vendit

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se presidenti Thaçi nuk ka autorizim për të diskutuar rreth integritetit territorial të Kosovës.

“Momentalisht asnjë person nuk është i autorizuar të flasë në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kuvendi, i cili është organi më i lartë vendimmarrës, fillimisht duhet të diskutojë lidhur me platformën që duhet ta kemi, sepse asnjëherë nuk është bërë analiza e dialogut për vitet 2011 - 2017 dhe pa u bërë një analizë e dialogut, i cili deri më tani i ka sjellë favore vetëm Serbisë, ndërsa Kosovës humbje të vazhdueshme”, ka thënë ajo.

Tutje Mulhaxha ka thënë se Kosova ka një pozitë shumë të brishtë në dialogun me Serbinë.

“Ne e kemi një pozitë shumë të brishtë negociuese, njerëzit që po na prezantojnë po luajnë me identitetin dhe me sovranitetin e vendit, prandaj edhe seanca e thirrur për ekipin negociator është përpjekje që të minohet roli i opozitës. Deri më tani Qeveria ka qenë e fjetur dhe vetëm për shkak të seancës për rezolutë është zgjuar në mënyrë që të ngutë procesin për ekipin negocitor dhe në mënyrë që të mos diskutohet për presidentin, i cili shkon dhe flet për kufijtë pa asnjë autorizim. Ky gjest është shumë joserioz”, ka thënë tutje ajo.

Sipas saj, Marrëveshja e “Zajednicës” është një ndër marrëveshjet më të dëmshme për Kosovën dhe nuk duhet të merret asnjë hap në jetësimin e kësaj marrëveshjeje të dëmshme, duke shtuar se e vetmja rrugëdalje në këtë situatë janë protestat dhe pas tyre zgjedhjet.

PSD: Thaçi po bën aventura të rrezikshme

Natyra Kuçi, zëdhënëse e Partisë Socialdemokrate, në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” ka thënë që ky subjekt takimin e 7 shtatorit e sheh vetëm si vazhdimësi e takimeve private të presidentit Thaçi.

“Takimi i 7 shtatorit është vazhdimësi e takimeve private të Hashim Thaçit dhe të vartësve të tij, të cilat nuk janë legjitime dhe nuk përfaqësojnë interesat e Kosovës. Sipas PSD-së, përgjegjësia për procesin e dialogut është ekskluzivisht e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Tentimi i zotit Thaçi që të jetë në krye të këtij procesi pavarësisht kundërshtimit nga pjesa më e madhe e të të zgjedhurve të popullit dhe e shoqërisë civile është përpjekje për ta cenuar Republikën Parlamentare dhe është aventurë e rrezikshme”, ka thënë ajo.

Po ashtu ky subjekt konsideron se është urgjente miratimi i rezolutës për dialogun në mënyrë që të vizatohen vijat e kuqe për dialogun.

“PSD-ja mendon që përveç prijësit ose ekipit negociator paraprakisht nga Kuvendi duhet të dalë një platformë shtetërore për dialogun, e cila nënkupton pozicionimin shtetëror të Kosovës për këtë çështje dhe e cila duhet të votohet nga 2/3 e Kuvendit. Kjo platformë do të duhej të përmbante çështjet që do të mundë të diskutoheshin, por edhe vijat e kuqe”, ka potencuar Kuçi, duke shtuar se çështja e Asociacionit është mbyllur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

KDI: Të mos diskutohet për integritetin territorial

Jeta Krasniqi, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), për gazetën “Zëri” ka thënë që në këtë fazë të dialogut të mos preket integriteti territorial i Kosovës, por vetëm të përfundohen çështjet e hapura me Serbinë.

“Në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi të mos diskutohet për çështje të integritetit territorial të shtetit të Kosovës, por duhet të zgjidhen të gjitha çështjet të cilat janë të hapura me Serbinë, duke u hequr njëherë e mirë ndikimi dhe prezenca e shtetit të Serbisë në Kosovë, duke u shpërbërë të gjitha strukturat paralele dhe duke u bërë shtrirja e gjithë integritetit dhe e sovranitetit legal e ligjor të shtetit të Kosovës në gjithë territorin e saj”, ka thënë ajo.

Sipas saj, në procesin e dialogut platforma shtetërore për këtë proces është shumë e nevojshme të mos lejohen keqkuptimet për atë se çka do të diskutohet.

“Ka një mungesë të theksuar të transparencës për atë se çfarë është duke u diskutuar në dialogun e Brukselit, prandaj kemi kërkuar që Kosova të ketë platformë shtetërore e cila vjen nga baza e ndërtimit të një konsensusi politik, ku përcaktohen qartë temat dhe vijat e kuqe, si dhe pritshmëritë e palës kosovare nga ky proces”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se edhe Asociacioni si temë e rëndësishme duhet të formohet, por vetëm në bazë të Kushtetutës së Kosovës.