Deliu kërkon që në Bruksel të diskutohet për të pagjeturit

Aktuale September 04, 2018 - 11:01

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, derisa u deklarua pro formimit të një ekipi negociator për bisedimet me Serbinë, tha se në fazën finale të dialogut me Serbinë duhet të diskutohet edhe për çështjen e të pagjeturve.

“Çështja e zbardhjes së fatit të të pagjeturve duhet të jetë njëra nga pikat që do të diskutohet në këtë fazë. Duhet të ketë një koordinim të institucioneve të Kosovës sa i përket fazës së fundit të dialogut dhe duhet të ketë gjithëpërfshirje të partive nga pozita dhe opozita në këtë proces”, tha ajo.

Në anën tjetër, deputeti nga radhët e PDK-së, Zenun Pajaziti tha se për bisedimet në Bruksel duhet të ketë koordinim të partive në pozitë dhe atyre në opozitë.

“I gjithë ky vit ka qenë me sinjale se duhet me qenë të vëmendshëm në këtë proces. Shpresoj që ky ekip të filloj dhe të kryej detyrën e vet por ta dini që vendit tonë i duhet një proces gjithëpërfshirës. Kërkojmë përgjegjësi më të madhe. Ju ftoj të jeni më aktiv me të gjithë në këtë drejtim dhe të ketë një koordinim të brendshëm me presidentin dhe të gjithë. Këtij procesi i duhet edhe një ekip negociatës”, tha ai.