PAN-i pro ekipit të ri negociator

Aktuale September 04, 2018 - 10:35
Lexoni më shumë detaje

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, sot para deputetëve propozoi vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, raporton "Zeri.info".

Sipas këtij vendimi, kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj do të jetë kryesues i ekipit negociator, ndërsa si anëtarë do të jetë deputetë të pozitës dhe opozitës.

Partitë në pushtet u deklaruan pro formimit të këtij ekipi negociator, ndërsa subjektet opozitare nuk pranuan të flasin rreth kësaj çështje.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi tha se PDK është pro emërimit të ekipit negociator për bisedime.

“Ka kaluar një kohë e gjatë për të arritur një konsensus. Besojmë që vendimi i Qeverisë është i drejtë dhe ne si PDK do ta votojmë”, tha ai, raporton “Zeri.info”.

Edhe deputeti nga radhët e AAK-së, Ahmet Isufi theksoi se deputetët e kësaj partie e përkrahin formimin e këtij ekipi, sipas tij, duke marrë parasysh respektimin e Kushtetutës.

Në anën tjetër, deputeti nga radhët e NISMA-s, Bilall Sherifi, tha se edhe pse janë pro formimit të këtij ekipi, ata janë që dialogun ta udhëheq Qeveria dhe Kuvendi.

Sipas tij, me Serbinë nuk duhet të diskutohet për kufij.

“Seanca e parë na doli të jetë për atë që nuk kemi mundur ta bëjmë për gjashtë muaj, që të caktojmë një delegacion të emëruar nga Qeveria për të përfunduar dialogun me Serbinë. Megjithatë nuk është bërë krejt ajo që kemi kërkuar. Nuk është një projekt që Qeveria do të i udhëhiqte bisedimet bashkë me Kuvendin. Pasi që këto bisedime kanë dy agjenda, atë të Qeverisë e cila thotë se nuk do të diskutohet për territorin e Kosovës dhe kemi një komponent tjetër që është Presidenti Thaçi i cili deklaron se bisedimet duhet të zhvillohen në atë drejtim që të diskutohet edhe korrigjimi i kufirit”, tha ai. /ZËRI/