Nuk nis mësimi në të gjitha shkollat e Kosovës

Aktuale September 04, 2018 - 08:42
Mësoni më shumë detaje
Image

Në njëmbëdhjetë shkolla të Kosovës nuk ka filluar dje viti i ri shkollor, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Këto shkolla do të qëndrojnë të mbyllura për nxënësit derisa t’i përfundojnë renovimet objektet shkollore, të cilat ende nuk kanë përfunduar. Kjo është bërë e ditur dje nga ministri i Arsimit, Shyqri Bytyqi.

Në anën tjetër, ekspertë të arsimit thonë për gazetënZëri se ky sektor vazhdon të përballet me probleme të vjetra si: mungesa e infrastrukturës shkollore, mungesa e teksteve adekuate, vonesa në përfundimin e punimeve, punësimet klanore, si dhe “kërcënimi” i mësimdhënësve për grevë.

Skeptikë për gjendjen e arsimit në Kosovë janë shprehur edhe anëtarë të Komisioni Parlamentar për Arsim në Kuvendin e Kosovës.

“Arsimi në Kosovë ka sfida të mëdha. Është një numër i konsiderueshëm i shkollave, të cilat nuk kanë filluar vitin e ri shkollor me arsyetimin se po riparohen, edhe pse kanë pasur 2 muaj e gjysmë kohë për ta bërë një gjë të tillë. Kjo është e paarsyeshme që t’u merren fëmijëve ditët e mësimit për shkak të neglizhencës, duke filluar nga Ministria deri te shkollat”, ka thënë për Zërin kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi.

Ndërsa Dukagjin Pupovci, ekspert i çështjeve të arsimit, ka sugjeruar që duhet  përqendruar në dy fusha.

“Përpjekjet për përmirësimin e gjendjes në arsim duhet të përqendrohen në dy fusha: 1) Të sigurohet se ajo që punohet në shkolla është cilësore, gjë që mund të arrihet përmes kontrollit të brendshëm nga organet e shkollës dhe të kontrollit të jashtëm nga Inspektorati i Arsimit dhe 2) Të krijohen kushte për zbatimin e kurrikulës së re, duke përgatitur tekstet shkollore adekuate, duke siguruar mjete konkretizimi për shkolla, duke i trajnuar mësimdhënësit dhe duke ofruar mbështetje profesionale të vazhdueshme për ta”, ka thënë ai.

Ndërsa kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të hyrë në grevë nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre.

“Nuk mund të them saktë datën e grevës, edhe pse ne jemi përgatitur. E gjitha varet nga veprimet e institucioneve shtetërore. Ne kemi dy çështje për të cilat paralajmërojmë grevë. E para, çështja e Projektligjit për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip të Republikës së Kosovës për Vitet e ’90-ta, ku Komisioni na ka premtuar se pas kthimit të deputetëve nga pushimi ata do t’i bëjnë rekomandimet e duhura dhe do ta dërgojnë për lexim të dytë, ndërsa jemi në përplasje edhe për Ligjin për Pagat, ku kemi reaguar dhe e kemi kundërshtuar për shkak të radhitjes tepër poshtë në tabelarin e këtij Projektligji”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj tutje ka thekuar se shpresojnë që institucionet të mos i neglizhojnë duke i detyruar të hyjnë në grevë.

Në Kosovë janë rreth 350 mijë nxënës, ndërsa për herë të parë në bankat shkollore dje janë ulur rreth 20 mijë nxënës.