Kuvendi sot përcaktohet kundër ndryshimit të kufijve

Aktuale September 04, 2018 - 08:15
Lexoni më shumë detaje
Image

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sot në orën 10:00 në një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën do të votohet një rezolutë përmes së cilës legjislativi i vendit përcaktohet kundër idesë së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për “korrigjimin e kufijve” me Serbinë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Deputetë nga subjektet opozitare janë shprehur optimistë se sot do të miratohet rezoluta, e cila do t’ia ndalonte presidentit të Kosovës Hashim Thaçit që të dialogojë me homologun serb Aleksandar Vuçiq për “korrigjim të kufijve” në kuadër të dialogut të Brukselit.

LEXO EDHE: Selimi: Haradinaj e Limaj dikur e kundërshtonin Thaçin, sot e përkrahin

Pro kësaj rezolute tashmë janë deklaruar deputetët e të tria partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Socialdemokrate, si dhe ata të dy partive në pushtet, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nismës për Kosovën, shkruan më tutje "Zëri".  

Pavarësisht kësaj, deputetët opozitarë dhe analistët politikë thonë se presidenti Thaçi ka gjasa që të mos e respektojë as këtë rezolutë, ashtu siç ka vepruar në disa raste tjera kur nuk ka respektuar rezolutat e Kuvendit.

Selimi: Rezoluta do të miratohet sot

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se sot do ta miratojnë rezolutën, e cila e ndalon presidentin Thaçi që të dialogojë për kufijtë e Kosovës.

Sipas tij, për miratimin e rezolutës duhen më pak se 80 vota.

“Ne do ta miratojmë rezolutën në Kuvendin e Kosovës. Rezolutat e tilla mjaftojnë që me shumicën e thjeshtë të miratohen, por nuk kërkohen 80 vota të domosdoshme, por sido që të jetë do të ishte mirë që t’i kishim edhe më shumë se 80 vota në mbrojtje të Kosovës. Pra do ishte mirë që deputetët e Kuvendit të Kosovës pavarësisht forcave politike të ishin të rreshtuar në mbrojtje të Kosovës para se të ishin të rreshtuar në këtë rast në një thirrje të tillë të opozitës”, ka thënë ai.

Selimi ka theksuar se pret që rezoluta të përkrahet edhe nga mazhoranca.

“Unë nuk po e kuptoj se ku janë këta njerëz të cilët pavarësisht se mund të mos kenë pajtime politike me opozitën, ata do të duhej të ishin të dakorduar me Kushtetutën e Kosovës, me ligjet dhe do të duhej të ishin në anën e Kosovës”, ka thënë ai.

PSD-ja kërkon që Kuvendi të vendosë për dialogun, LDK-ja kërkon përkrahje

Zyrtarë për informim në Partinë Socialdemokrate kanë thënë për “Zërin” se partitë në opozitë do ta votojnë rezolutën.

Sipas tyre, Kuvendi duhet të vendosë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Për ne është shumë e rëndësishme që debati mbi procesin e dialogut të zhvendoset në Kuvend sepse është i vetmi institucion, të cilit i takon të marrë vendime për çështje aq të rëndësishme për vendin”, kanë thënë ata.

Në anën tjetër shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit në ditën e djeshme ka thënë për medie se presin mbështetje nga të gjitha grupet parlamentare pa dallim për votimin e rezolutës, që ia ndalon presidentit të bisedojë me Serbinë për kufijtë.

Deputetët e AAK-së përkrahin rezolutën

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se deputetët e kësaj partie do ta votojnë rezolutën.

“Do ta kemi qëndrimin tonë të përbashkët, por ajo që do të jetë edhe si qëndrim imi, edhe si qëndrim i partisë është që ne jemi për një rezolutë e cila ia ndalon kujtdo qoftë të diskutojë për kufij, përkatësisht për shkëmbim të territoreve. Ne do ta përkrahim rezolutën, e cila e cakton që nuk mund të ketë shkëmbim të territoreve”, ka thënë ai.

Sipas tij, për këtë çështje deputetët e AAK-së edhe do të mbajnë sot një takim.

Nisma nuk voton rezolutën nëse atë nuk e votojnë edhe të gjitha partitë tjera

Derisa deputetë të Nismës ditë më parë kanë deklaruar se do të përkrahin rezolutën, ata në ditën e djeshme janë shprehur më të distancuar, po në këtë ditë kur në medie u publikua edhe një vendim në të cilin thuhet se kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tani e tutje do të jetë kryetar i delegacionit qeveritar për bisedimet me Serbinë.

Deputeti i Nismës, Haxhi Shala, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se nëse rezolutën do ta votojnë të gjitha partitë,atëherë do ta votojnë edhe deputetët e Nismës.

“Sado ta mbështesim ose nuk do ta mbështesim rezolutën, përderisa nuk kemi parë asgjë, varet nesër se si do të zhvillohet seanca e debatet dhe në bazë të tyre do të vendosim. Çdo rezolutë normalizohet në mes të grupeve parlamentare dhe nëse të gjitha grupet parlamentare e harmonizojnë qëndrimin, atëherë mund të themi që do ta votojmë, nëse nuk ka harmonizim të qëndrimeve, atëherë nuk do të ketë edhe votë pozitive nga pjesa jonë”, ka thënë ai.

Tahiri: Rezoluta nuk do ta ndalë Thaçin

Analisti politik Ramush Tahiri ka konsideruar se nuk do të ketë vota të mjaftueshme për ta nxjerrë rezolutën, pasi partitë në pozitë nuk do ta votojnë atë.

“Unë pres debat, por nuk pres se do të ketë vota për rezolutën aq më parë që PDK-ja nuk voton kundër presidentit të vet. Opozita i ka mbledhur 40 nënshkrime për ta thirrur seancën dhe për të diskutuar. Unë nuk besoj që do të mundë të nxirret rezoluta, pasi nuk ka vota të mjaftueshme, sepse nuk e voton PDK-ja dhe partitë tjera”, ka thënë ai.

Ai ka thënë për “Zërin” se edhe nëse votohet një rezolutë e tillë, ajo nuk do të mundë ta ndalë presidentin Thaçi.

“Edhe nëse nxirret rezoluta, ajo nuk është përmbi Kushtetutë. Ai është akt, por nuk ka asnjë fuqi ligjore kundër Thaçit. Kuvendi edhe po t’i mbledhë 90 vota, ai duhet t’i plotësojë dy kritere. Ai duhet të ketë një vendim të gjyqit që Thaçi është duke e tradhtuar vendin dhe duhet të ketë një vendim të mjekëve që ky nuk është i aftë ta bëjë detyrën e tij. Pa i plotësuar këto kushte ata nuk mund ta shtrojnë një procedurë për ta shkarkuar presidentin”, ka thënë ai.

Tahiri ka treguar se partitë politike kanë thirrur rezolutë, e cila nuk ka asnjë bazë, andaj ajo është edhe kundërkushtetuese.