Selimi: Haradinaj e Limaj dikur e kundërshtonin Thaçin, sot e përkrahin

Aktuale September 04, 2018 - 08:02
Intervistë me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi
Image

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë që është për t’u habitur fakti se si kryeministri Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj me të ardhur në pushtet kanë ndërruar qëndrimet. Sipas Selimit, Haradinaj e Limaj sa ishin në opozitë kundërshtonin fuqishëm qëndrimet e presidentit Thaçi, ndërsa tani po i mbrojnë ato, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se është e çuditshme se si kryeministri Ramush Haradinaj dhe zëvendësi i tij Fatmir Limaj, të cilët në kohën sa ishin në opozitë e kundërshtonin presidentin Hashim Thaçi, me të ardhur në pushtet kanë ndryshuar qëndrim, duke e përkrahur kreun e shtetit.

Këtë deklaratë Selimi e ka dhënë në një intervistë për gazetën Zëri.

LEXO EDHE: Thaçi e Vuçiqi në shtator ''i hapin letrat''

Deputeti Selimi në këtë intervistë në mes të tjerash ka folur edhe për protestat e paralajmëruara nga Lëvizja Vetëvendosje, për të cilat ka thënë që nuk varet nga partia e tij nëse do të kenë dhunë ose jo, por është në dorë të Qeverisë së shtetit se a do të përdorë dhunë ndaj protestuesve.

Selimi po ashtu ka folur edhe për listat e fryra të veteranëve, me ç’rast ka thënë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte më shumë se 20 mijë ushtarë.

Thaçi nuk do ta respektojë as këtë rezolutë

Zëri: Presidenti Hashim Thaçi tash e një kohë është duke folur për idenë e “korrigjimit të kufijve” me Serbinë, që sipas tij nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Si e vlerësoni këtë ide, sa është e mundshme një gjë e tillë?

Selimi:
Në radhë të parë presidenti Thaçi po e kamuflon qëllimin e tij të vërtetë me një retorikë që herë e quan “korrigjim i kufirit” e herë e quan “bashkim i Preshevës me Kosovën” dhe prapa kësaj retorike hipokrite fshihet një plan i keq për Kosovën, plan që po të ishte i mirë ai do ta ndante me ne, por duke qenë i keq dhe i dëmshëm për Kosovën Thaçi po përpiqet që të implementojë në një rast të mundshëm për ta dhe për Serbinë.

Zëri: Të martën Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme për të kundërshtuar idenë e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por a do ta ndalë Thaçin kjo rezolutë në prezantimin e kësaj teme në takimin e 7 shtatorit në Bruksel?

Selimi:
Në radhë të parë, Thaçi nuk ka kredibilitet dhe seanca e thirrur nga opozita do të dëshmojë edhe një herë që ai nuk është personi kredibil për ta përfaqësuar as Kosovën dhe as spektrin politik në përputhje me mandatin që do të duhej ta kishte si president dhe si përfaqësues i qytetarëve të Kosovës dhe forcave politike në vend, por edhe se do të duhej të ishte mbrojtës i Kushtetutës. Ai nuk po e bën as të parën, as të dytën dhe kjo seancë edhe një herë e dëshmon që ai nuk e ka kredibilitetin dhe kjo do të jetë një porosi që ai është jokredibil edhe për këtë fakt. Sido që të jetë, ne do ta miratojmë edhe një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, por duke e ditur që ky person ka shkelur edhe vetë Kushtetutën e Kosovës, atëherë mund edhe të mos e respektojë këtë rezolutë, siç nuk i ka respektuar edhe rezolutat e tjera. Janë rreth katër rezoluta të mëhershme që i ka aprovuar Kuvendi e që Thaçi nuk i ka respektuar sa ishte në pozitën e kryeministrit e që nuk do t’i respektojë as sot në pozitën e presidentit të vendit.

Zëri: A prisni përkrahje në seancë edhe të partive në koalicion (AAK dhe Nisma), të cilat tashmë janë deklaruar kundër idesë së Thaçit për ndryshim të kufijve. A do të miratohet kjo rezolutë me 80 vota?

Selimi: R
ezolutat e tilla mjafton që me shumicën e thjeshtë të miratohen dhe nuk kërkohen 80 vota të domosdoshme, por sido që të jetë do të ishte mirë që t’i kishim edhe më shumë se 80 vota në mbrojtje të Kosovës, pra do të ishte mirë që deputetët e Kuvendit të Kosovës pavarësisht forcave politike të ishin të rreshtuar në mbrojtje të Kosovës. Kështu që unë pres që edhe deputetët e tjerë të mazhorancës ta kuptojnë se me kë kanë të bëjnë kur po flitet për një individ si Thaçi, i cili shkel edhe parimet më elementare në dëm të shtetit. Pres që kjo rezolutë të ketë përkrahje, ashtu siç pres që ata të reagojnë. Unë nuk po e kuptoj se ku janë këta njerëz, të cilët pavarësisht se mund të mos kenë dakordime politike me opozitën ata do të duhej të ishin të dakorduar me Kushtetutën e Kosovës, me ligjet e saj dhe do të duhej të ishin në anën e Kosovës. Në këtë rast nuk po i thërrasim që të vijnë me opozitën, por po i thërrasim të bëhen me Kosovën, sepse si deputetë ata përfaqësojnë qytetarët e Kosovës. Deri sot kjo nuk ka ndodhur dhe për mua është çudi sesi deputetë të cilët dje e kanë kundërshtuar “Zajednicën” dhe thoshin që “Zajednica” nuk kalon sot po shkojnë edhe përtej saj. Për mua është çudi sesi personalitete politike që sot janë në Qeveri e dje në opozitë kanë ndryshuar dhe sesi u rreshtuan pas Thaçit në temat që dje i kundërshtonin bashkë me ne, pra nuk po e kuptoj Haradinajn e Limajn, ku janë këta njerëzit e djeshëm të cilët kanë dalë edhe në protesta për të kundërshtuar atë që sot po e proklamojnë.

Thaçi po i mashtron qytetarët e Preshevës dhe të Mitrovicës

Zëri: Presidenti Thaçi vazhdimisht po e rithekson se në bisedime do të kërkohet bashkimi i Preshevës, i Medvegjës dhe i Bujanocit, por thotë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës. A mendoni që Serbia do të pranojë ta japë Luginën e të mos marrë asgjë?

Selimi:
Edhe e para, edhe e dyta janë gënjeshtra të Thaçit, janë një retorikë për ta mbajtur opinionin edhe të hutuar, edhe me shpresë. Kjo u adresohet edhe qytetarëve të Mitrovicës, edhe atyre të Medvegjës, të Bujanocit dhe të Preshevës. Por kjo është thjesht një gënjeshtër e Thaçit për ta mbuluar të vërtetën, sepse e vërteta sado që është plan i tij dhe i Vuçiqit është e rëndë për Kosovën. Nuk është e vërtetë që Thaçi po mundohet ta bashkojë Preshevën e as nuk është e vërtetë që ai po mundohet të mos e ndajë Mitrovicën, është e kundërta, sepse Thaçi së bashku me Vuçiqin kanë plan të keq për Kosovën, ai bashkë me të po duan ta realizojnë një interes të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe jashtë saj për shqiptarët atje dhe kjo do të jetë keq edhe për Preshevën dhe Mitrovicën. Kjo është lojë vetëm me ndjenja të njerëzve dhe gjithsesi s’ka të bëjë me të vërtetën.

Zëri: Të dielën lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, paralajmëroi protesta të Lëvizjes Vetëvendosje pikërisht për ta kundërshtuar presidentin Thaçi. A prisni mobilizim të partive të tjera opozitare, por edhe të qytetarëve për këto protesta?

Selimi:
Ne presim me plot arsye që në ndalje të Thaçit të jenë të gjitha partitë politike opozitare, gjithsesi sepse kanë bërë publike mbështetjen e tyre, por presim që edhe shoqëria civile, siç ka paralajmëruar, do të jetë kundër ideve “të çmendura” të Thaçit për këmbim të kufijve gjithsesi në favor të Serbisë, por pse jo presim edhe nga deputetë dhe subjekte të caktuara që kanë rastisur të jenë pjesë e mazhorancës që të reagojnë dhe ta kundërshtojnë Thaçin, madje disa prej tyre presim që vetëm ta bëjnë atë që kanë bërë në të kaluarën, pra kur kanë qenë në opozitë për të njëjtën temë, madje tash edhe për çështje akoma më të rënda dhe të vështira për Kosovën. Ka ardhur koha që qytetarët e Kosovës të reagojnë dhe normalisht që Lëvizja Vetëvendosje do të jetë aty ku ka qenë, në anën e mbrojtjes së interesit të qytetarëve dhe do të jetë pjesë e reagimit të qytetarëve për ta ndalur çdo të keqe që i vjen Kosovës. Por duke e ndalur Thaçin ne e ndalim edhe Vuçiqin dhe duke i ndalur të dy në këtë projekt ne ndalim edhe Serbinë që të avancojë në dëm të Republikës së Kosovës.

Vetëvendosja nuk e ka në dorë nëse në protestë do të ketë dhunë ose jo
 
Zëri: Kur do të fillojnë saktësisht protestat dhe çfarë strategjie do të përdoret për ta ndalur presidentin Thaçi (do të ketë në vazhdimësi protesta apo si)?

Selimi:
Unë nuk mund të ndaj tash me ju diçka konkrete për shkak se ka shumë faktorë me të cilët ne do të duhet të diskutojmë, por ne si Lëvizje Vetëvendosje nuk jemi të vetëm në këtë rrugë dhe nuk mund të ndaj diçka konkrete përpara se të dakordohemi me faktor të tjerë, qoftë të spektrit opozitar, qoftë edhe të shoqërisë civile.

Zëri: Pavarësisht se keni thënë që këto protesta do të jenë paqësore, por në rast se nuk ndalet kjo ideja e ndryshimit të kufijve, pra nëse shkohet drejt ndarjes ose shkëmbimit të territoreve a mendoni se mund të ketë protesta të dhunshme?

Selimi:
Pres që të mos përdoret dhunë nga ana e shtetit kundër qytetarëve, protestat janë të kuptueshme dhe ato nuk janë luftë, por pres që shteti të mos na luftojë ne. Pres që shteti të mos ushtrojë dhunë ndaj qytetarëve dhe në këtë rast është në dorën e shtetit dhe të mekanizmave të saj se a do të ketë dhunë kundër qytetarëve ose jo, protestat tona janë protesta, pavarësisht se si cilësohen ato. Protestat ndodhin në vende të avancuara dhe në shoqëri që janë të vetëdijesuara dhe shoqëria e Kosovës po vetëdijesohet edhe më shumë dhe do të bëjë protesta në mbrojtje të ideve të veta. Pra, nuk është në dorën tonë se a do të ketë dhunë në protesta ose jo, por është në dorë të Qeverisë së shtetit se a do të përdorë dhunë kundër qytetarëve të vendit.

Zëri: Asociacioni i Komunave Serbe po ashtu është një kërkesë e vazhdueshme e shtetit serb, por sa ka rrezik që ky Asociacion të ketë kompetenca ekzekutive?

Selimi:
Gjithë ky projekt për ndarjen e Kosovës ka filluar vite më herët, që ka kulmuar deri në “Zajednicë” dhe që duket se nuk ka qenë adresa e fundit. Ne e kemi thënë që edhe kur kanë qenë në projekt komunat etnike i kemi quajtur si projekt për “Republikën Serbe në Kosovë”, edhe kur është nënshkruar “Zajednica” e kemi quajtur një hap më afër drejt kësaj Republike në Kosovë, por edhe sot bëhet fjalë për të njëjtën gjë, pra për ndarjen e Kosovës dhe pa mundësinë që Kosova të zhvillohet si shtet dhe në këtë rast interesat e Serbisë në Kosovë do të jenë determinuese edhe në zhvillimin e brendshëm dhe të jashtëm, kështu që ky është një plan disavjeçar, që tash ka arritur një shkallë tjetër. Kjo gjithsesi nëse qytetarët e Kosovës do të heshtin dhe nëse Lëvizja Vetëvendosje do të heshtë, por as qytetarët e as ne as nuk flemë e as nuk heshtim. Ky vend ka qytetarë dhe njerëz që do t’i dalin zot, siç i kemi dalë zot edhe më herët do t’i dalim edhe tani, pra pavarësisht formave dhe kohës ne nuk do të flemë ashtu siç duan Thaçi dhe Vuçiqi.
 
Është trefishuar numri i veteranëve

Zëri: Problem tjetër në Kosovë janë edhe listat e fryra të veteranëve të UÇK-së. Sa ushtarë ka pasur UÇK-ja dhe kush është përgjegjës për fryrjen e listave të veteranëve?

Selimi:
Unë jam njëri ndër luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për çka jam krenar dhe do të jem gjithmonë, po ashtu unë jam njëri ndër ata të cilët nuk kam aplikuar fare për këtë status të veteranit jo sepse nuk e dua, por për shkak që kam kundërshtuar mënyrën, kriteret dhe parregullsitë në këtë proces, parregullsi të cilat kanë bazë edhe në ligjin e padefinuar mirë, por edhe në punën shumë të keqe të Komisionit Qeveritar për Verifikimin e këtyre listave. Normalisht që e kam deklaruar dhe e rideklaroj që ky Komision në vend që “t’i krasisë” parregullsitë e deriatëhershme e ka bërë të kundërtën dhe e ka trefishuar numrin e veteranëve të vërtetë të UÇK-së, kjo ka krijuar një shkelje masive të Ligjit për Veteranët, kurse në aspektin historik ka bërë një dëm shumë të madh ndaj së vërtetës dhe historisë së UÇK-së. Kështu që tani jemi në një situatë kur në listat e veteranëve janë infiltruar dhe është rritur numri deri në trefishimin e veteranëve të vërtetë, kur them trefishimin ju mund ta gjeni pastaj edhe atë që është e vërtetë. E mbështes komandantin e UÇK-së Sylejman Selimin në deklaratat e tij, sepse është mbështetur mbi dokumentet që ka pasur UÇK-ja dhe së fundmi edhe nga vetë Departamenti i Shtetit dhe nga protagonistë kredibilë, të cilët kanë folur për këtë temë.

Zëri: Sa veteranë kanë qenë sipas jush?

Selimi:
Unë kam qenë që nga dita e parë pjesë e UÇK-së dhe e di shumë mirë, por nuk po i jap vetes kompetenca që të jap shifra të sakta, gjithsesi atë çfarë kam deklaruar në cilëndo situatë, në cilëndo shkallë të lartë të mobilizimit, UÇK-ja për fat të keq nuk ka arritur që ta mbërrijë shifrën e 20 mijë ushtarëve, gjithsesi është nën këtë shifër, duke përshirë edhe ata që janë mobilizuar në rrethana të caktuara, qoftë brenda Kosovës ose në Shqipëri. Kjo është shifra pavarësisht se do të doja t’i kishim pasur 100 mijë ushtarë, por nuk i kemi pasur as 20 mijë ushtarë. Prandaj shifra 12 mijë e 13 mijë është shifër e saktë, duke iu referuar listave dhe evidencave që janë bërë menjëherë pas luftës dhe janë plotësuar me një pjesë tjetër, që për arsye objektive nuk kanë qenë pjesë e saj. Duhet një trajtim i mirëfilltë i kësaj çështjeje dhe kjo punë duhet të vijë edhe njëherë si çështje, duke vlerësuar dhe duke analizuar se çfarë thotë Ligji për Veteranët i bie që afër 20 ose 30 mijë vepra në shkelje të këtij ligji janë shkaktuar si pasojë e keqpërdorimeve nga ana e Komisionit të Verifikimit të këtyre listave.

Zëri: Si e vlerësoni punën njëvjeçare të qeverisë “Haradinaj” dhe a mund të pritet bashkimi i opozitës për rrëzim të Qeverisë?

Selimi:
Qeveria “Haradinaj” për fat të keq ka dalë ashtu siç Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar qysh ditën e parë. Ju kemi treguar që qeveria “Haradinaj” është një qeveri që do të jetë pjesë e agjendave të këqija të Kosovës dhe pjesë e agjendave të Thaçit kur bëhet fjalë për dialogun me Serbinë. Ne e kemi vlerësuar si “Qeveri e dështimeve” qysh në hapin e parë dhe kjo ka rezultuar. Prandaj unë sot edhe një herë për fat të keq them që kjo është Qeveri e dështuar e njerëzve të papërgjegjshëm dhe të paaftë, të cilët me një arrogancë po mundohen të rrinë në Qeveri, por gjithsesi ajo që do të ndodhë në të ardhmen pavarësisht numrave në Kuvendin e Kosovës, kjo Qeveri nuk mund të mbijetojë edhe më tutje dhe sado më gjatë që të jetë në detyrë, aq më keq do të jetë për Kosovën dhe për zhvillimin e saj.