Thaçi e Vuçiqi në shtator ''i hapin letrat''

Aktuale September 04, 2018 - 07:48
Mësoni më shumë detaje
Image

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandër Vuçiq deri tani kanë dhënë deklaratë rreth asaj se cila mund të jetë përmbajtja e marrëveshjes ndërmjet të dyja shteteve. Megjithatë të dy presidentët pritet të fillojnë “t’i hapin letrat” gjatë këtij muaji. Thaçi ka thënë se në takimin e 7 shtatorit do ta prezantojë idenë e “korrigjimit të kufijve”, ndërsa Vuçiqi ka paralajmëruar se së shpejti do të dalë me propozim konkret për marrëveshjen me Kosovën, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq pritet që qysh në takimin e së premtes të fillojnë “t’i hapin letrat” sa u përket propozimeve për përmbajtjen e marrëveshjes finale ndërmjet të dyja vendeve.

Thaçi tashmë ka bërë të ditur se në takimin e 7 shtatorit do ta prezantojë idenë e korrigjimit të kufijve, që sipas tij nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, shkruan më tutje "Zëri".

Ndërsa Vuçiqi ka paralajmëruar se do të dalë me një propozim konkret për zgjidhjen e “çështjes së Kosovës”.                          

Subjektet politike opozitare në vend, si dhe analistët politikë thonë se duket sikur deklarimet e Thaçit për “korrigjim të kufijve” janë në koordinim me presidentin serb.

Ata thonë se propozimi i Vuçiqit sigurisht se nuk do të dalë përtej Kushtetutës së Serbisë, prandaj thonë se Kosova duhet të ketë një platformë të qartë për dialogun.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi ka thënë se presidenti serb do të propozojë zgjidhje që nuk del jashtë Kushtetutës së Serbisë.

“Për fat të keq atë që do ta prezantojë Vuçiqi si zgjidhje për Kosovën do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë e kjo Kushtetutë Kosovën e ka pjesë të saj, prandaj nga një president i cili është vazhdues i drejtpërdrejtë i politikave të Millosheviqit kundër shqiptarëve nuk kemi çfarë presim tjetër përveçse vazhdimin e këtyre politikave, sikur të Millosheviqit, po ashtu edhe respektimin e Kushtetutës së tyre që Kosovën e ka pjesë të saj”, është shprehur Selimi.                                                                                                    

Ai më tej ka thënë se Thaçi së bashku me Vuçiqin kanë plan të keq për Kosovën.

"Thaçi bashkë me të po duan të realizojnë një interes të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe jashtë saj për shqiptarët atje dhe kjo do të jetë keq edhe për Preshevën dhe për Mitrovicën. Kjo është lojë vetëm me ndjenja të njerëzve dhe gjithsesi s’ka të bëjë me të vërtetën”, ka shtuar Selimi.

Vuçiqi mund të propozojë çfarëdo, Kosova të ketë platformë të veten

Kurse kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ajo dhe deputetët opozitarë mbesin prapa deklarimit se qasja e presidentit Thaçi deri më tani në raport me procesin e dialogut ka qenë jashtë kornizave të rendit kushtetues në Kosovë.

Ajo ka thënë se Thaçi po vepron në kundërshtim me Kushtetutën dhe pa mandat nga Kuvendi.

Kurse sa i përket propozimit që presidenti serb do ta bëjë, Kusari-Lila ka thënë se është çështje e Vuçiqit çfarë propozon, porse Kosova duhet të ketë platformë të qartë të përgatitur nga Kuvendi.

Ajo madje ka thënë se duket se të dy presidentët janë dakorduar tashmë për përmbajtjen e marrëveshjes.

“Presidenti i Serbisë mund të prezantojë propozime, por Kosova së pari duhet të ketë platformë të qartë... Duket se ata dy kanë dakordim, por dakordimi i Thaçit mund të jetë i vlefshëm vetëm për të personalisht, por jo edhe për të ardhmen e vendit në këtë pikë për shkak se duhet me çdo kusht t’i kthehet Kosovës funksionimi si shtet parlamentar e jo si republikë presidenciale e diktatoriale, siç po e trajton Thaçi vendin”, ka shtuar Kusari-Lila.                                                                         

Edhe deputetja e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, ka thënë se më e rëndësishme se propozimi i Vuçiqit është qasja e gabuar e Thaçit.

“Nuk e di se çfarë marrëveshjeje do të paraqesë Vuçiqi, por ajo që është e rëndësishme për ne, qasja e Kosovës ndaj dialogut është e gabuar. Mënyra sesi Thaçi shkon në Bruksel pa mandat nga Kuvendi është kundërkushtetuese. Deklarimet e Thaçit për lëvizje të kufijve janë një aventurë e rrezikshme”, ka potencuar Pantina.                                                                                              

Ajo më tej ka thënë se shpreson që deputetët do të jenë të përgjegjshëm dhe nuk do të votojnë asnjë marrëveshje që është në dëm të Kosovës.

E pritshme që Serbia ta kërkojë veriun

Drejtori i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, ka thënë për “Zërin” se deri më tani janë bërë disa deklarime, të cilat dëshmojnë se Thaçi nuk ka një plan të qartë se si pret të bëhet korrigjimi i kufijve.

“Deri më tani kemi dëgjuar deklarata nga të dyja palët se po diskutohet edhe për korrigjim të kufijve ose shkëmbim të territoreve, por deri tani nuk kemi pasur asgjë konkrete. Mbetet tani të shihet se cili është propozimi i Serbisë, që sigurisht se do të prezantohet në takimet e radhës. E më pas do ta kuptojmë edhe qëndrimin e palës kosovare, pasi deri tani pala kosovare nuk ka dëshmuar se e ka të qartë planin se si mund të bëhet korrigjimi i kufijve”, ka vlerësuar ai.                                               

Sipas tij, është e pritshme që pas kërkesës për bashkim të Luginës me Kosovën Serbia të kërkojë veriun e Kosovës.

“Është e pritshme që nëse Thaçi kërkon që Kosova ta marrë Luginën e Preshevës, atëherë mund të pritet që Serbia do ta kërkojë një pjesë të territorit të Kosovës. Nuk është e logjikshme të pritet që Serbia do të pranojë të humbë territor e të mos fitojë asgjë. Sigurisht se Vuçiq do të kërkojë shkëmbim të Luginës me veriun, gjë që unë e konsideroj si tepër të rrezikshme, pasi mund të krijojë konflikte në Ballkan”, ka shtuar Demhasaj.

Sipas tij, Serbia po mundohet të krijojë precedan të tillë të shkëmbimit të territoreve në mënyrë që më pas të kërkojë këtë edhe me shtetet e tjera, si Bosnja, Mali i Zi ose edhe Maqedonia.