Pacolli i kundërpërgjigjet Dodikut

Aktuale September 03, 2018 - 20:40
Lexoni më shumë detaje

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se ka anuluar vizitën në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Procesit të bashkëpunimit në Evropën Juglindore.

Ky anulim ka ardhur pas paralajmërimeve nga presidenti i Republikës Serbe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, i cili sot ka deklaruar se delegacioni kosovar nuk është i mirëseardhur në Banja Llukë, përcjell “Zeri.info”.

"Republika Sërpska nuk e ka dhënë pëlqimin që Bosnja të njohë të ashtuquajturin ministër të Kosovës, të atij vendi të rremë, i cili nuk mund të mirëpritet në Republikën Sërpska", kishte deklaruar Dodik.

Por, Pacolli përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se ka thënë se me politikan si Dodik rajoni nuk mund të ecë përpara.

Postimi i plotë i Pacollit pa ndërhyrje:

Sapo kam anuluar pjesëmarrjen time në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Procesit të bashkëpunimit në Evropën Juglindore për shkak të këcënimeve nga Presidenti i Republikës serbe të Bosnje dhe Hercegovinës, Miroslav Dodik, i cili sot në një intervistë për një medium ka deklaruar se unë dhe delegacioni im nuk jemi të mirëseardhur në Banja Llukë.

Me politikan si Dodik rajoni nuk mund të ecën përpara.

Gjuha kërcënuese e Dodikut na kujton një të kaluar të afërt të politikanëve radikal, si ky vet dhe pasojat e këtyere kërcënimeve.

Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar drejt bashkëpunimit rajonal, ndërsa ftoj zyrtarët e BE-së, sidomos ata në Komisionin Evropian që të mos heshtin ndaj këtyre fenomeneve.