Kryeziu: Për liberalizim të lobohet te Gjermania, Franca e Holanda

Aktuale September 03, 2018 - 16:41
Lexoni më shumë detaje

Javën e kaluar Komiteti për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian (PE) i ka dhënë mbështetje liberalizimit të vizave për Kosovën.

Tani vendimmarrja për këtë çështje kalon në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Ministrave, ku pritet të jetë sfida kryesore për Kosovës.

Por njohësi i proceseve integruese, Taulant Kryeziu, ka thënë për "Zërin", se Kosovës i mbetet që tani të lobojë për mbështetje te shtetet e rëndësishme që janë anëtare të Bashkimit Evropian.

Kryeziu ka thënë se Kosova fatkeqësisht ballafaqohet me një mjedis negativ publik dhe politik për liberalizimin e vizave.

“Vendet anëtare të rëndësishme, siç janë Gjermania, Franca e Holanda, kanë shfaqur rezerva të mëdha për heqjen e regjimit të vizave me Kosovën. Po ashtu duhet nënvizuar atë që e thonë të gjitha raportet kredibile ndërkombëtare, Raporti i Vendit për Kosovën, strategjia e zgjerimit e Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, se drejtësia në këtë vend vazhdon të jetë i ndikuar nga politika e kjo po dëshmohet edhe me ngjarjet e fundit në sistemin prokurorial”, ka vlerësuar Kryeziu, duke thënë se kjo klasë politike duhet ta kuptojë njëherë e mirë se pa drejtësi të pavarur nuk ka perspektivë evropiane për këtë shtet.

Ai po ashtu ka thënë se është me rëndësi që institucionet përgjegjës të ndërmarrin hapa për të sensibilizuar opinionin për drejtat dhe obligimet në kuadër të regjimit të vizave.

Kryeziu ka thënë se pret një dinamikë më të shtuar në këtë drejtim.

“Konsideroj që duhet të lobohet te kryeqytetet e vendeve anëtare të BE-së dhe t’u komunikohet në mënyrë të qartë dhe të matshme progresi i arritur në Kosovë në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Në veçanti vendeve anëtare duhet komunikuar masat që Kosova ka marrë në fushën e azilkërkuesve, të migrimit dhe të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto janë temat e interesit vital për vendet anëtare”, ka shtuar Kryeziu.