Plani i Hashim Thaçit, për pengimin e Rezolutës së LDK-së

Aktuale September 03, 2018 - 09:44
Lexo tjera detaje

Përkundër që opozita është bashkuar kundër Hashim Thaçit, duket se kjo është e pamjaftueshme. Rezoluta e paralajmëruar të votohet në Kuvend ditën e martë, ku do ta “bllokonte” Hashim Thaçin, që në bisedime me Serbinë ta shtronte çështjen e kufijve, mund të dështoj.

Gazeta Blic nga burime të saja merr vesh se Hashim Thaçi, bashkë me PDK-në e kanë menduar planin që të bllokohet kjo rezolutë.

“Hashim Thaçi është shumë i shqetësuar për mundësinë e votimit në Kuvend të Rezolutës. Ai bashkë më PDK-në kanë në plan që të mos lejojnë miratimin e kësaj rezolute. Ata janë duke lobuar jo vetëm tek partitë e koalicionit qeverisës, mirëpo edhe tek partitë opozitare që të dështoj kjo rezolutë”, thonë këto burime.

E, këtë plan Thaçi dhe PDK po mendojnë ta realizojnë me dështimin e kourumit në seancën e së martës.

“Në momentin kur do të procedohet për votim rezoluta për mos ndarje të Kosovës, të pamundësohet kourumi, dhe kësisoj të dështoj kjo iniciativë e LDK-së dhe opozitës”, thonë këto burim.

Thaçi është duke u lobuar edhe individualisht tek deputetët, në mënyrë që ta realizoj skenarin e tij.

“Deputetët e PDK-së dhe ata të AKR-se nuk pritet të marrin pjesë në votim, në momentin e votimit të Rezolutës. Thaçi po bën përpjekje t’i bind edhe disa deputetë të LDK-së e PSD-së, që të mos jenë prezent në atë seancë”, thonë këto burime.

Aktualisht opozita ka 58 deputetë, që i bie se nëse të gjithë do të jenë prezent, atëherë për ta bërë kourumin, nevojitën 61 deputetë. AAK e Nisma kanë deklaruar se do ta mbështesin këtë rezolutë.

Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj ka theksuar për Gazeta Blic se do ta mbështesin rezolutën e iniciuar nga LDK. Ndërkohë, para disa ditësh i pari i vendit, Hashim Thaçi kishte pasur takime me liderët e partive në koalicion.

Nga këto takime siç kishte raportuar Gazeta Blic Hashim Thaçi ishte shumë i shqetësuar nga seanca e jashtëzakonshme e paralajmëruar nga opozita për ditën e martë. Ai nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe nga ai i Nismës, Fatmir Limaj kishte kërkuar që të mos mbështet rezoluta e paralajmëruar nga opozita. Për dallim nga ish- partia e Thaçit- Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma janë kundër idesë së presidentit për shkëmbime territoresh.

Ndryshe sot kryesia e Kuvendit ka vendosur që nesër në orën 10:00 të mbahet seanca e jashtëzakonshme me pikën e rendit të ditës “Debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Kryeparlamentari Kadri Veseli pas mbledhjes së Kryesisë është shfaqur i rezervuar nga komentet politike, pasi sipas tij të gjitha do t`i thonë në seancën e nesërme.

Ndërkohë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ditë më parë ka paraqitur edhe zyrtarisht idenë e tij për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, si një zgjidhje finale e paqes mes dy vendeve.

Ai në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë, tha se zyrtarisht kanë lansuar etapën e fundit të bisedimeve Kosovë – Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa foli edhe për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.“Kemi diskutuar gati për 5-6 vjet me Aleksandrin, dhe tash kemi vendosur që të hulumtojmë çdo mundësi dhe nga perspektiva ime, përfshi edhe korrektimin e kufirit për të arritur marrëveshje. Vendet e regjionit, shtetet anëtare të BE-së, ose edhe vendet tjera nga bota, nuk duhet të kundërshtonin ose të frikësoheshin nga marrëveshja potenciale e paqes në mes Kosovës dhe Serbisë, mbase edhe nëse një marrëveshje e tillë do të mund të kishte edhe korrektim të kufirit”, tha Thaçi.

“Dua të garantoj të gjithë se marrëveshja potenciale në mes Kosovës dhe Serbisë, me këtë skenar, nuk do të jetë në linja etnike. Kosova do të mbetet shoqëri multietnike dhe do të vazhdojë t’i mbajë standardet më të larta në kuptim të mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve. Parimi i njëjtë do të vlejë edhe për Serbinë, sepse paqja dhe marrëveshja paqësore mes Kosovës dhe Serbisë, dhe njohja bilaterale do të ketë një reflektim pozitiv për të gjithë regjionin më gjerë. Ndoshta kjo marrëveshje potenciale, do të jetë kontributi më i madh nga Ballkani perëndimor për agjendën e zgjerimit të BE-së”, kishte theksuar presidenti Thaçi.