Pacientët blejnë barnat, furnizimi në spitale i pamjaftueshëm

Aktuale September 03, 2018 - 08:05
Lexo tjera detaje
Image

Mungesa e barnave nga lista esenciale, si dhe e materialit shpenzues vazhdon të mbetet barrë e qytetarëve që kërkojnë trajtim në institucionet publike shëndetësore. Spitalet e përgjithshme, sidomos ai i Gjilanit dhe i Prizrenit, gjatë muajit gusht të këtij viti nuk kanë përmbushur as gjysmën e kërkesave të pacientëve sa i përket furnizimit me material shpenzues, shkruan "sot Gazeta "Zëri".

Drejtori klinik në Spitalin e Gjilanit, Hamdi Ramadani, ka thënë për gazetën “Zëri” se furnizimi me material shpenzues në këtë spital gjatë muajit gusht ka qenë rreth 15%.

Sipas tij, as furnizimi me barna nuk është i mjaftueshëm për pacientët që kërkojnë trajtim mjekësor. “Me material shpenzues furnizimi ka ngecur, është përqindja më e vogël, diku 15%.

Për barna terapia bazë është mirë. Nuk është furnizimi i mirë, por megjithatë më i mirë se që ka qenë më herët. Kemi mungesë të qeseve urinare. Më herët jemi furnizuar me shiringa, dorëza sterile, alkool dhe këto i kemi shpenzuar, kurse disa produkte ende nuk janë në Spital”, ka thënë ai.

Ramadani shpreson që në muajt e ardhshëm të ketë rritje të furnizimit me produkte nga lista esenciale e barnave. “Muajin e fundit ka filluar një furnizim në baza ditore. Është muaji i dytë i tremujorit, besoj që në fund të tremujorit të tretë do të rritet përqindja, sepse çdo javë ka përmirësim”, ka thënë ai.

Furnizimi me produkte medicionale nuk përmbush gjysmën e nevojave as në spitalet e tjera të përgjithshme. Ndërsa sa i përket Qendrës Klinike Universitare të Kosovës zyrtarë për informim kanë thënë më herët për gazetën “Zëri” se furnizimi me barna nga lista esenciale gjatë muajit korrik ka qenë rreth 70%.

Furnizim i pamjaftueshëm me barna edhe në Spitalin e Prizrenit dhe të Gjakovës

Muharem Rama, shef i Farmacisë në Spitalin e Prizrenit, në një prononcim për gazetën ka thënë se furnizimi me material shpenzues për javën e parë të muajit gusht ka qenë 26,98%. “Furnizimi me barna nga lista esenciale ka qenë 56,14%, ndërsa me material shpenzues 26,98%. Pasi lista esenciale e barnave është kategorizuar si lista vitale esenciale ne jemi përqendruar në produkte vitale, por kemi marrë në konsideratë edhe produktet e kategorisë tjetër. Për të marrë një furnizim të qëndrueshëm dhe stabil nga furnizuesit duhet të kërkohet të veprojnë në përputhje me planin e veprimit. Planifikimi është punuar sipas harxhimeve, nevojave reale”, ka thënë ai.

 

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, ka thënë për “Zërin” se në krahasim me muajt paraprakë ka rritje të furnizimit. “Ka pasur rritje të furnizimit me barna dhe me material shpenzues. Furnizimi në krahasim me tremujorin e parë të këtij viti ka pasur rritje. Është mirë që furnizimi të jetë komplet, por kjo varet nga shumë arsye, sepse furnizimi bëhet nga Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë ai.

Pozita dhe opozita me ankesa ndaj ministrit për mungesat e barnave

Anëtarja e Komisionit për Shëndetësi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë për “Zërin” se edhe pse nga Ministria e Shëndetësisë është thënë se ka pasur furnizim me barna nga lista esenciale, sipas saj pacientët nuk po i gjejnë ato produkte në spitale. “Kemi premtime nga MSH-ja se vazhdimisht është rritur përqindja e furnizimit, por kur vjen pacienti e sheh që nuk është ashtu. Për këtë ai edhe ballafaqohet me stafin medicional”, ka thënë ajo.

Ndërsa Time Kadrijaj, po ashtu anëtare e Komisionit për Shëndetësi, por nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se institucionet shëndetësore publike në vend duhet të furnizohen në atë mënyrë që të ketë barna për të gjithë pacientët që kërkojnë trajtim. “Nuk është risi mungesa e barnave. Asnjëherë prej periudhës së pasluftës deri më sot institucionet shëndetësore nuk janë furnizuar 100% me barna nga lista esenciale. Do të kishte qenë mirë që institucionet të furnizohen 100% dhe qytetarët të kenë mundësi t’i marrin të gjitha ato barna dhe shërbimin shëndetësor cilësor, sepse kjo u garantohet edhe me ligj”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Sipas saj, blerja e barnave nga vetë pacientët është e kushtueshme për buxhetin e tyre të varfër. “Në momentin kur kërkohet trajtimi i pacientit nuk është e dëshirueshme që të kërkohet nga familjarët e tij që fillimisht të dalin t’i blejnë të gjitha ato barna, të cilat u nevojiten qytetarëve. Te ne thuhet se shëndetësia është pa para, por ajo është më e kushtueshmja, sepse në momentin që detyrohesh t’i blesh të gjitha ato barna ato kanë një kosto që i kushton buxhetit të varfër të qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar ajo.

Kadrijaj ka deklaruar se ka gjasa që disa nga barnat të cilat nuk përdoren shumë do të largohen nga lista esenciale dhe në vend të tyre do të futen barna të cilat janë më të rëndësishme. “Ne si anëtarë të Komisionit kemi bërë presion në kuptimin pozitiv te ministri dhe kemi ngritur këto shqetësime, është premtuar që do të bëhet më e mira e mundshme në mënyrë që institucionet të furnizohen. Është formuar edhe një komision, i cili do të merret edhe me rishqyrtim të listës esenciale dhe ndoshta do të largohen disa barna që përdoren shumë rrallë, në mënyrë që ato para të shkojnë për barna të cilat janë më të domosdoshme, janë etike për jetën e pacientëve, në mënyrë që me këto mungesa të mos ballafaqohen institucionet shëndetësore”, ka thënë ajo./ZËRI