Gjermania e Franca, të rezervuara për liberalizim

Aktuale September 03, 2018 - 07:59
Lexo tjera detaje
Image

Vendimmarrja për liberalizimin e vizave për Kosovën ka kaluar tashmë në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Ministrave. Ndërsa sfida kryesore për Kosovën në këtë proces mbetet t’i bindë shtetet e rëndësishme si Gjermani e Franca se e meriton liberalizimin dhe se pas heqjes së regjimit të vizave nuk do të ketë migrim masiv të kosovarëve drejt zonës Schengen. Këto shtete deri tani kanë shfaqur rezerva për këtë çështje, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Javën e kaluar Komiteti për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian (PE) i ka dhënë mbështetje liberalizimit të vizave për Kosovën. Tani vendimmarrja për këtë çështje kalon në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Ministrave, ku pritet të jetë sfida kryesore për Kosovës. Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha dhe njohës të këtyre proceseve thonë se Kosovës i mbetet që në muajt në vijim të lobojë për të marrë mbështetjen e shteteve të rëndësishme si Gjermania, Franca e Holanda. Përveç kësaj, ata thonë se duhet të shpresohet se nuk do të ndodhë ndonjë skandal në qeverisjen aktuale që do të ndikonte në qëndrimin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Hoxha: Duhet të lobojmë te Gjermania, Franca e Holanda

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë për gazetën “Zëri” se pas vendimit të Komitetit LIBE vendimmarrja kalon në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Ministrave. Megjithatë ajo ka thënë se Kosovës i mbetet të vazhdojë lobimin te shtetet që kanë fuqi të madhe në vendimmarrjen brenda BE-së. “Tani puna më e madhe mbetet te vendimet në Parlamentin Evropian në seancën plenare, si dhe në Këshillin e Ministrave, ku në këtë rast janë ministrat e brendshëm. Është në vullnetin politik të secilit shtet anëtar se si do të votojnë në Këshill. Neve na mbetet të gjithë të lobojmë në secilin prej shteteve anëtare e sidomos te vendet si Franca, Gjermania dhe Holanda, që i kanë debatet e brendshme për migracionin”, ka deklaruar Hoxha.

Më tej ajo ka thënë se nëse ka vullnet brenda BE-së, atëherë procesi i vendimmarrjes për liberalizimin e vizave për Kosovën mund të përmbyllet brenda këtij viti. “Nëse marrim parasysh shembujt e shteteve të rajonit, nëse ka vullnet politik në shtetet anëtare procesi i vendimmarrjes mund të përmbyllet deri në fund të këtij viti, por është vështirë të parashikojmë se si do të votojë secili shtet. Prandaj është shumë me rëndësi që secili prej nesh ta vazhdojmë lobimin e filluar”, ka përfunduar Hoxha.

Gjermania, Franca e Holanda kanë shfaqur rezerva

Njohësi i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu, ka thënë se Kosova fatkeqësisht ballafaqohet me një mjedis negativ publik dhe politik për liberalizimin e vizave. “Vendet anëtare të rëndësishme, siç janë Gjermania, Franca e Holanda, kanë shfaqur rezerva të mëdha për heqjen e regjimit të vizave me Kosovën. Po ashtu duhet nënvizuar atë që e thonë të gjitha raportet kredibile ndërkombëtare, Raporti i Vendit për Kosovën, strategjia e zgjerimit e Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, se drejtësia në këtë vend vazhdon të jetë i ndikuar nga politika e kjo po dëshmohet edhe me ngjarjet e fundit në sistemin prokurorial”, ka vlerësuar Kryeziu, duke thënë se kjo klasë politike duhet ta kuptojë njëherë e mirë se pa drejtësi të pavarur nuk ka perspektivë evropiane për këtë shtet.

Ai po ashtu ka thënë se është me rëndësi që institucionet përgjegjës të ndërmarrin hapa për të sensibilizuar opinionin për drejtat dhe obligimet në kuadër të regjimit të vizave. Kryeziu ka thënë se pret një dinamikë më të shtuar në këtë drejtim. “Konsideroj që duhet të lobohet te kryeqytetet e vendeve anëtare të BE-së dhe t’u komunikohet në mënyrë të qartë dhe të matshme progresi i arritur në Kosovë në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Në veçanti vendeve anëtare duhet komunikuar masat që Kosova ka marrë në fushën e azilkërkuesve, të migrimit dhe të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto janë temat e interesit vital për vendet anëtare”, ka shtuar Kryeziu. Kurse drejtori i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, ka thënë se tani vendimmarrja brenda BE-së ka hyrë në një periudhë intensive. “Janë bërë konsultime të gjëra me grupet parlamentare dhe me komisionet e veçanta, prandaj besoj që tashmë procedura fillon me dialogun trepalësh me Këshillin dhe futemi në procedurë intensive të konsultave në mes të Këshillit dhe Parlamentit Evropian”, ka vlerësuar Rashiti.

Ai më tej ka thënë se pret që vendimi final për heqjen e vizave të merret në fillim të dhjetorit nga Këshilli i Ministrave. “Në tre muajt e ardhshëm ka negociata në mes të Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit për formulimin dhe besoj që do të ecën shpejt, përveç nëse krijohen incidente ose skandale që mund të ndikojnë në qëndrimin e shteteve anëtare, çfarë kemi parë kohët e fundit.

Më 4 dhjetor më duket është takimi i fundit i ministrave të brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe aty ishte dashur të jepej drita e gjelbër”, ka shtuar Rashiti./ZËRI