Barrikadimi kundër Thaçit

Aktuale September 03, 2018 - 07:54
Lexo tjera detaje
Image

Përfaqësues të partive opozitare, por edhe ata të shoqërisë civile dhe një pjesë e koalicionit qeverisës (AAK dhe Nisma) janë barrikaduar për ta kundërshtuar idenë e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim të kufijve”. Të martën pritet që Kuvendi ta mbajë seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga subjektet opozitare për ta kundërshtuar “prekjen” e kufijve. Kurse shoqëria civile për këtë çështje ka thirrur protestë për të mërkurën, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Subjektet opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, por edhe dy partnerët e koalicionit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate janë barrikaduar kundër idesë së presidentit të Kosovës Hashim Thaçit për korrigjim të kufijve. Këto subjekte politike pritet që në seancën e jashtëzakonshme që mbahet nesër ta votojnë një rezolutë ku shprehet qëndrimi i legjislativit të Kosovës kundër ndryshimit të kufijve. Po ashtu kundër idesë së Thaçit do të protestohet të mërkurën nga shoqëria civile. Ky barrikadim i partive politike dhe i shoqërisë civile po bëhet para se presidenti Thaçi ta prezantojë në Bruksel idenë për “korrigjimin e kufijve” në takimin e radhës me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiq, më 7 shtator.

Njohës të çështjeve politike të vendit thonë që presioni ndaj Thaçit si nga partitë politike, ashtu edhe nga shoqëria civile duhet të vazhdojë me qëllim që ideja për korrigjim të kufijve të mos përmendet në Bruksel.

Sipas tyre, presidenti Thaçi nuk mund të bëjë asgjë “krye në vete” pa pasur pëlqimin e Kuvendit të Kosovës dhe të qytetarëve të vendit.

Kurti paralajmëron protesta për ta ndalur Thaçin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti gjatë ditës së diel, duke komentuar korrigjimin e kufirit, u ka bërë thirrje anëtarëve të saj që të mobilizohen pasi në ditët dhe në javët e ardhshme do të vendosen në krye të protestave qytetare dhe paqësore për ta ndalur krimin që po i bëhet Kosovës dhe popullit tonë.
Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes ka thënë se fatkeqësisht Kosova po kalon në një moment të vështirë. “Një udhëheqësi e kapur dhe e kriminalizuar, e udhëhequr nga Thaçi, po e nxjerr në shitje territorin e Kosovës për të fituar paprekshmërinë individuale. Ne këtë nuk duhet dhe nuk do ta lejojmë, pasi e kemi obligim historik dhe moral. Situata politike është ajo që ka nevojë për forcim të organizatës, në ditët dhe në javët e ardhshme do të vendosemi në krye të protestave qytetare dhe paqësore për ta ndalur këtë krim që po bëhet ndaj Kosovës dhe popullit tonë”, ka thënë ai. “Ditët në vijim do të nisin protestat për ta ndalur Thaçin dhe shkëmbimin e territoreve”, ka thënë Kurti ndër të tjera.

Madje ai u ka bërë thirrje anëtarëve të saj që të mobilizohen pasi në ditët dhe në javët e ardhshme do të vendosen në krye të protestave qytetare dhe paqësore, siç thotë ai. “Situata politike është e atillë që ka nevojë për forcim të organizatës dhe disiplinim të aktivistëve, sepse në ditët e në javët e ardhshme do të vendosemi në krye të një procesi protestash qytetare e paqësore për ta ndalur këtë krim që po bëhet ndaj Kosovës dhe popullit tonë”, ka thënë ndër të tjera Kurti.

LDK: Kuvendi ta marrë udhëheqjen e dialogut me Serbinë 

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë që përderisa presidenti Thaçi nuk ka mandat për të dialoguar me Serbinë duhet që sa më parë Kuvendi i Kosovës të marrë primatin e dialogut. “Thaçi edhe më tutje nuk ka mandat, Kuvendi ia ka dhënë Qeverisë mandatin dhe rezoluta në fuqi e njeh kryeministrin e vendit bartës të procesit të dialogut. Presidenti ende nuk ka kërkuar mandat nga Kuvendi, që është institucion i ndarë dhe në të njëjtën kohë krejt pushteti në Kosovë është koncentruar në Presidencë”, ka thënë Haziri.

Mirëpo sipas tij i tërë kaosi në vend mund të zgjidhet nëse ka unitet politik në vend.  “Java e parë e shtatorit është mundësi e mirë që të përmirësohet gjithë ky kaos politik që është krijuar. Me një vullnet të mirë partitë politike në Kuvend, grupet politike, Kryesia e Kuvendit e kryetarët e grupeve parlamentare mund të kenë rol pozitiv nëse të gjithë punojnë në një draftrezolutë, e cila i kënaq të gjitha palët dhe natyrisht e çon interesin e Kosovës përpara”, ka thënë më tutje Haziri.

Përderisa ka thënë që duhet të bëhet një zgjidhje për shqiptarët e Luginës, Haziri ka thënë edhe që Kuvendi duhet të marrë fjalën e tij në raport me dialogun me Serbinë. “Duhet të bëhet një zgjidhje politike për shqiptarët në Preshevë, në Bujanoc e në Medvegjë, sepse ata padrejtësisht kanë mbetur jashtë kufirit të vitit 1974, si pasojë ende nuk është zgjidhur ky problem. LDK-ja beson që procesi i negocimit duhet të shkojë në Kuvend, pasi nënvlerësimi i rolit të Kuvendit që ka ndodhur këtë vit nga këto parti qeverisëse ose të koalicionit PAN vërtet e ka devalvuar rolin e organit më të lartë kushtetues. Kuvendi duhet ta ketë fjalën e tij në dialog, duhet të nxjerrë rezolutë dhe duhet ta ketë rolin mbikëqyrës në të gjithë procesin e negociatave pavarësisht se kush i udhëheq ato”, ka theksuar Haziri.

Selamanaj: Askush nuk ka të drejtë të diskutojë për kufijtë

Ndërsa deputeti nga radhët e AAK-së Rasim Selmanaj, duke folur për idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve, ka thënë për “Zërin” që kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm dhe si të tillë nuk duhet asnjëherë të jenë pjesë e bisedimeve me shtetin serb.

“Askush në këtë vend nuk ka të drejtë të negociojë për kufijtë e Kosovës, sepse ata janë të paprekshëm dhe të panegociueshëm, prandaj çfarëdo rezolute që e kontribuon paprekshmërinë dhe pacenueshmërinë e kufijve ne do ta përkrahim, edhe unë si deputet, por edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ne nuk kemi nevojë të hapim tema të negocimit të kufijve, sepse kufijtë e Kosovës janë të panegociueshëm”, ka thënë Selamanaj.

Ndërsa i pyetur nëse Thaçi do të ndalet me një rezolutë të tillë, Selmanaj ka thënë që askush nuk duhet t’i negociojë kufijtë. “Asnjë politikan dhe as presidenti i shtetit nuk ka të drejtë të negociojë për kufij e aq më pak kur Kuvendi nxjerr rezolutë konkrete për këtë temë”, ka theksuar ai.

Mushkolaj: Presioni që po i bëhet Thaçit mund të prodhojë efekt

Analisti politik Imer Mushkolaj ka thënë se duhet të tentohet që në çfarëdo forme të ndalet presidenti Thaçi në idenë e tij drejt korrigjimit të kufijve, pasi që sipas tij kjo paraqet rrezik për vendin. “Qytetarët e kanë në dorë mundësinë që të dalin të protestojnë dhe partitë politike përpos ndikimit që e kanë në Kuvend e kanë opsion edhe protestën. Qytetarët nuk do të ndalen, protestat do të vazhdojnë dhe besoj që gjithë ky presion do të ketë efekt, por është shumë e rëndësishme që edhe partitë politike ta kryejnë punën e vet, sidomos partitë opozitare të cilat duhet t’i shfrytëzojnë të gjitha mjetet që i kanë në dispozicion që të ndalin Thaçi në këtë aventurë të tij shumë të rrezikshme për ndryshim të kufijve”, ka thënë Mushkolaj për “Zërin”.
Sipas tij, presidenti Thaçi duhet ta marrë parasysh zërin e qytetarëve. “Thaçi nuk mund të bëjë asgjë krye në vete, aq më tepër në një proces të rëndësishëm siç është çështja e arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë dhe natyrisht që ai duhet t’i bindet zërit të qytetarëve. Është absurde që për përcaktimin e kufijve të flitet në këtë kohë kur Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe ky duhet të jetë edhe fokusi kryesor i protestave dhe kundërshtimeve kundër Thaçit si nga opozita, si nga qytetarët”, ka theksuar ai.
Ndërsa i pyetur për rezolutën që do ta formojë Kuvendi i Kosovës, Mushkolaj ka thënë që kjo rezolutë duhet ta marrë përkrahjen e të gjitha partive politike në vend, duke përfshirë edhe ato të koalicionit qeverisës. “Rezoluta duhet të miratohet nga të gjitha partitë politike. Edhe nga PDK-ja (ish-partia e presidentit Thaçi), po thonë që janë kundër ndryshimit të kufijve, respektivisht janë për ruajtjen e territorit dhe të integritetit territorial të vendit, natyrisht që rezoluta do të duhej të respektohej nga presidenti dhe të jetë si një lloj parandalimi i disa veprimeve që ai mund t’i marrë në dëm të vendit, në cenimin e integritetit territorial”, ka thënë ai./ZËRI