Haradinaj: Jam optimist që pas këtij aksioni, Kosova do të ketë pamje tjetër

Aktuale August 29, 2018 - 16:02
Lexo detajet

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në takim me Task Forcën për pastrimin e ambientit në Kosovë, e cila do të merret me organizimin e fushatës dhe aksionit “Ta pastrojmë Kosovën” nga 15 shtatori 2018 deri më 15 dhjetor 2018 si dhe me ministrat e linjës, ofroi tërë mbështetjen për këtë aksion masiv duke u bërë thirrje qytetarëve që t’i përgjigjen thirrjes për t’u bashkuar rreth këtij projekti madhor për vendin, transmeton “Zeri.info”.

“Qeveria, Kosova, institucionet e vendit të të gjitha niveleve, organizatat që merren me ambient, që i kemi prezent këtu, të gjithë bashkë, jemi duke punuar për t’i bërë përgatitjet që me 15 shtator ta fillojmë me sukses aksionin “Ta pastrojmë Kosovën” që do të zgjasë deri më 15 dhjetor”, kështu tha Kryeministri Haradinaj, pas takimit, për mediat e pranishme.

Për mbarëvajtjen e kësaj nisme është duke u punuar në dy nivele, në nivelin e koordinimit ndërministror, institucional dhe organizatat tjera si dhe në grupin teknik për mbarëvajtje të aksionit.

“Jam optimist që ky aksion, kësaj here vërtetë do ta bëjë diferencën. Pra, për këta tre muaj do ta pastrojmë Kosovën dhe njëkohësisht pas tre muajve s’do të lejojmë që të mbushet më me mbeturina”, tha kryeministri Haradinaj.

Image

 

LEXO EDHE: Haradinaj: Marrëveshja finale me Serbinë nuk guxon të përfshijë lëvizje të kufijve

“Qëllimi është që ta pastrojmë Kosovën në këta tre muaj dhe do të sigurohemi që të kemi bazë ligjore që nuk ka qenë deri më tash, që ndotësit e ambientit të ndëshkohen”, tha Ushtruesi i detyrës së ministrit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, trasnemton tutje “Zeri.info”.

Albena Reshitaj, këshilltare e kryeministrit Haradinaj tha se ndjehet e lumtur që është pjesë e kësaj kampanje, tashmë projekt shtetëror “Ta pastrojmë Kosovën”, duke thënë se është hera e parë në historinë e vendit tonë që të gjithë akterët institucional por edhe shoqëria civile do të jenë bashkë edhe do të bashkëpunojnë për krijimin e  një ambienti më të pastër i cili do të ndikojë në cilësinë dhe mirëqenien të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Koordinatori i "Let's Do It Kosova", Luan Hasanaj, duke përshëndetur nismën për pastrimin e Kosovës, tha se është i vetmi rast në rajon që të gjithë akterët bëhen bashkë për ta pastruar vendin nga ndotja. “I tërë rajoni është i ndotur, jo vetëm Kosovë,  kemi mbetje gjithandej, por asnjëra nga Qeveritë e rajonit nuk ka bërë këtë hap i cili është për t’u përshëndetur”, tha Hasanaj, i bindur se edhe qytetarët do të japin kontributin e tyre në aksionin për pastrimin e Kosovës. /ZERI