Marrëveshja me Serbinë mund ta ketë fatin e njëjtë me atë të Demarkacionit

Aktuale August 28, 2018 - 11:15
Lexo detajet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisur iniciativën për korrigjim të kufijve, por partitë opozitare s’po arrijnë të koordinohen ta parandalojnë këtë nismë të të parit të shtetit. As partitë në pushtet nuk po e përkrahin idenë e Thaçit, shkruan gazeta “Zëri.”

Në anën tjetër  drejtori i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, ka thënë se kundërshtimi i opozitës po duket vetëm formal sa për t’u dukur se janë duke e kundërshtuar presidentin Thaçi si kryenegociator dhe idetë e tij.

“Kjo për faktin se nuk po ka ndonjë kundërshtim domethënës siç është përmes Kuvendit ose përmes mekanizmave tjerë. Kjo na jep të kuptojmë që kundërshtimi i Thaçit po bëhet vetëm sa për konsum publik. Opozita përafërsisht ka gjysmën e Kuvendit, prandaj do të duhej të kishte qëndrueshmëri sa i përket kundërshtimit të dialogut të udhëhequr nga Thaçi, duke e ngritur në Kuvend këtë çështje, por deri më tani nuk kemi parë asgjë”, ka vlerësuar Demhasaj.

LEXO EDHE: Pozita dhe opozita s’po arrijnë “ta korrigjojnë” Thaçin

Sipas tij nëse tri partitë opozitare, LDK-ja, Vetëvendosja dhe PSD-ja, nuk pajtohen me epilogun e dialogut mund ta bllokojnë ratifikimin marrëveshjes në Kuvend, pasi pa votat e një pjese të opozitës marrëveshja nuk mund të ratifikohet. Por ai thotë se nëse kundërshtimi nuk bëhet me kohë, atëherë në Kuvend marrëveshja finale me Serbinë mund ta ketë fatin e njëjtë me Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, e cila u kundërshtua një kohë të gjatë, por në fund u ratifikua.

 “Çfarëdo marrëveshje që do të arrihet duhet të shkojë në Kuvend për ratifikim e që kërkohen 80 vota, të cilat janë të pamundura për t’u arritur pa votën e një pjese të opozitës. Por problemi qëndron në atë se nëse nuk ka kundërshtim të qartë dhe organizim të nevojshëm me kohë, pra nëse nuk ka një gjithëpërfshirje në procesin e dialogut, atëherë pasi të vijë marrëveshja mund të kundërshtohet, por ekziston rreziku që ta ketë fatin e njëjtë sikurse Demarkacioni me Malin e Zi, që u kundërshtua gjatë, por në fund u ratifikua”. /ZËRI