Sejdiu e Ahmeti: Nuk ka dialog mes Kosovës dhe Serbisë pa opozitën

Aktuale August 27, 2018 - 20:08
Lexo detajet

Kryetari, Shpend Ahmeti dhe nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu përmes një postimi në “Facebook”, kanë deklaruar se nuk ka dialog në mes të Kosovës dhe Serbisë pa opozitën dhe pa shumicën parlamentare të kualifikuar, shkruan “Zëri.info”.

Në këtë postim të Sejdiut e i shpërndarë edhe nga Ahmeti thuhet se sot kjo parti së bashku me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe me Lëvizjen Vetëvendosje kanë vendosur që të thirrin seancë të jashtëzakonshme për dialogun para takimit mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me atë të Serbisë, Aleksandër Vuciq i cili do të mbahet me 7 shtator.

“Nuk ka dialog të Kosovës me Serbinë pa opozitën dhe pa shumicë të kualifikuar parlamentare. Para saktësisht 20 ditëve, si Parti Socialdemokrate kërkuam nga LDK dhe VV qe të thërrasim bashkërisht seancë te jashtëzakonshme për dialogun. Kërkuam që Kuvendi të bëhet bartësi i dialogut, propozuam rezolutën, dhe prej asaj date deri sot tentuam që të bashkërendohemi! Sot, me LDK u pajtuam që ta thërrasim seancën e jashtëzakonshme, ku si hap i parë duhet delegjitimuar Thaçin ta përfaqësojë Kosovën në dialogun me Serbinë! Marrëveshja e opozitës për ta parashtruar dialogun në kuvend eshte një hap i mirë përpara”, thuhet në postim.

LEXO EDHE: Hoti: Iniciativa e Thaçit për kufijtë, gjëja më e dëmshme që i ka ndodhur shtetit të Kosovës

Tutje thuhet se Kuvendi është i vetmi organ legjitim për ta caktuar platformën, ekipin negociues me bartësin e tij dhe ekipin mbikëqyrës të dialogut.

“Kuvendi me shumicë të kualifikuar është i vetmi organ legjitim për ta caktuar platformën, ekipin negociues me bartësin e tij dhe mekanizmin mbikqyrës të dialogut. Kjo nuk bëhet pa opozitën që ka sot së bashku 58 deputetë! Dhe nuk mund të ketë dialog të Kosovës pa opozitën. Ka vetëm monolog individësh. Dialogu për marrëveshje që pretendon me qenë finale me Serbinë është sot mbi gjithash përgjegjësi. E pushtetit për ta përfillur opozitën. E opozitës për të qëndruar e bashkuar”, përfundon postimi. /ZËRI