Artikulli i Financial Times për Qëndron Kastratin: Kryetari më i ri që përpiqet t’i fashisë dallimet etnike

Aktuale August 27, 2018 - 18:35
Lexo detajet

Gazeta e njohur britanike “Financial Times” i ka kushtuar një artikull kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, si një politikan i ri që mundohet t’i fashisë dallimet etnike në komunën që e qeverisë.

Periskopi ka përkthyer artikullin e FT dhe më poshtë mund ta lexoni të plotë në gjuhën shqipe:

Përderisa shkon në një mbledhje Qëndron Kastrati, një shqiptar etnik dhe kryetar i qytetit të Kamenicës, përshëndet një pjesëtar të stafit të tij, i cili është serb etnik. Për arsye se Kastrati nuk e flet serbishten, ata mezi shkëmbejnë disa fjalë me njëri-tjetrin. Kastrati thotë se ka bërë diçka vërtetë të jashtëzakonshme në shtetin e vogël ballkanik: ai ka marrë për nënkryetar një serb për të komunikuar, jo vetëm me të punësuarit e komunës, por edhe me serbët, që pëbëjnë rreth 5 për qind të banorëve në qytet.

Pas disa luftrave të përgjakshme në Ballkan, që çuan në themelimin e Kosovës së ditëve të sotme, shumica e serbëve kishin lënë vendin nga frika e hakmarrjes. Pas dy dekadave, serbët e mbetur përbëjnë vetëm 5 për qind të popullatës së tërësishme prej 1.8 milionë banorëve dhe jetojnë të ndarë nga pjesa e shumicës shqiptare. 30-vjeçari Kastrati, u bë kryetari më i ri i një komune në dhjetorin e kaluar me një premtim që të merrte vëmendjen: për ta bërë qytezën një vend multietnik.

“Kamenica duhet të jetë një shembull i mirë uniteti dhe jetës së përbashkët për Kosovën”, i ka thënë Kastrati Financial Times, në një kafene afër zyrës së tij. “Secili është qytetar dhe duhet të trajtohet ashtu.”

Në një vend ku ende ndjehen pasojat e luftës, qasja e tij është e rrallë. Marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve kanë qenë subjekt negociatash gjatë dekadave të fundit, fillimisht të ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara e tani nga Bashkimi Evropian, entitet që si Kosova, po ashtu edhe Serbia, kanë për qëllim t’i bashkohen. E ardhmja e serbëve të Kosovës mbetet prioritet i bisedimeve, por shumë shpesh fokusi ka qenë në ruajtjen e të drejtave të minoriteteve më shumë se integrimi i dy komuniteteve që ende e shohin njëri-tjetrin me dyshim.

“Qasja e përgjithshme e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë dhe qeverisë tonë ka qenë vendosja e kufijve në baza etnike, me mendimin se sa më shumë serbë që të ketë nëpër këto komuna, aq më shumë ata mund t’i ushtrojnë të drejtat e tyre”, ka thënë Krenar Gashi, një studiues i politikës në Universitetin e Ghentit.

Sipas marrëveshjeve të negociuara në Bruksel, i ashtuquajturi Asociacion i Komunave Serbe do t’u japë serbëve një të drejtë për vetëqeverisje, në fushat si Arsimi dhe Shëndetësia. Shumë serbë besojnë se pa këtë mekanizëm, ata do të jenë vazhdimisht të margjinalizuar. Megjithatë, shumë shqiptarë të Kosovës kanë protestuar, me brengën se ky Asociacion mund të krijojë një bllok të fuqishëm disproporcional që ka kapacitetin e pengimit të vullnetit të shumicës.

Përderisa bisedimet vazhdojnë, tensionet rriten, në kohën kur presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë diskutojnë për ndryshimin e kufijve. Në këtë kontekst, qasja gjithëpërfshirëse e Kastratit i ka dhënë atij vëmendje të madhe. Ai ka instaluar kabina për përkthim në Asamblenë e Komunës në mënyrë që serbët të marrin pjesë pa pengesa gjatë mbledhjeve.

Po ashtu, në kabinetin e tij, ka më shumë gra të punësuara se meshkuj, një gjë e rrallë në Kosovë, ku pjesëmarrja e grave në forcën punëtore ëshë më e ulëta në Evropë. Kastrati shpreson që të tërheqë investitorë të huaj dhe kështu ta ndalë braktisjen e qytetit prej 30 mijë banorësh nga të rinjt: kështu siç shkon, rreth 1,000 ikin nga komuna për çdo vit.

Si kryetar, ai individualisht fiton vetëm gjysmën e të ardhurave që merrte në punën e kaluar, si asamblist në Komunën e Prishtinës. Një prej iniciativave të tij të dallueshmë është një format edukimi ku serbët, shqiptarët dhe romët mund t’i ndjekin të paktën disa orë së bashku.

“Ndryshimi duhet të nis me fëmijët dhe ata duhet të mësojnë të komunikojnë, për të evituar akuzat e paragjykimet”, ka thënë nënkryetari i Kamenicës, Bojan Stamenkoviq.

Qasja e Kastratit buron nga përvoja personale. Babai i tij, i cili avokonte për të drejta të barabarta të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, ishte i burgosur politik për 12 vite dhe kishte vdekur duke luftuar kundër forcave serbe. Por, ai nuk kishte folur asnjëherë për politika të ndarjeve etnike.

“Babai im nuk ka pasur problem me serbët. Ai ishte kundërshtar i regjimit, kërkonte liri”, ka thënë Kastrati, i cili kishte 10 vjeç kur babai i tij ishte vrarë. Nëse iniciativa e Kamenicës funksionon, thotë ai, atëherë nuk do të kishte fare nevojë për një asociacion të komunave me shumicë serbe, që do të mund ta ndante edhe më tej Kosovën.

Skeptikët thonë se Kamenica gjithmonë ka pasur marrëdhënie më të mira ndër-etnike gjatë kohës së Jugosllavisë, dhe sipas tyre, qasja e Kastratit s’do të funksiononte në komuna tjera të Kosovës. “Tensionet janë më të vogla, sepse aty (në Kamenicë) ka pasur më pak dhunë gjatë luftës”, ka thënë Agron Demi, një analist politik nga Instituti GAP, po ashtu një qytetar me prejardhje nga Kamenica. Megjithatë, Kastrati ka thënë se është koha që të pranohet se në Kosovë ka më shumë çështje që i bashkojnë njerëzit sesa që i ndajnë.

“Ne të gjithë kemi problemet e njëjta: papunësinë, mungesën e zhvillimit ekonomik, shëndetësinë dhe arsimin e dobët, si dhe mungesën e aktiviteteve kulturore”, ka thënë ai.