Lumezi flet për listat e veteranëve

Aktuale August 22, 2018 - 15:28
Lexo detajet

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në një konferencë për media tha se pas dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj tani çështja e listës së veteranëve iu është dorëzuar një prokurori tjetër, mirëpo nuk e bëri publik emrin e tij raporton "Zeri.info".

I pyetur për identitetin e këtij prokurori, Lumezi tha shkurt se "do të mirret vesh me kohë".

"Ne sot kemi pasur një takim me gjithë me prokurorët dhe kryeprokurorin e shtetit dhe kemi zgjedhur prokurorin që do të trashëgoj këtë lëndë. Shpresoj që brenda një kohe të shkurtër të zgjidhjet kjo çështje", tha Lumezi.

Ai mes tjerash shpjegoi edhe ecurinë e këtij procesi deri tek dorëheqja e Blakajt.

"E dini që me vendimin tim në bashkëpunim edhe me faktorin ndërkombëtar kemi vendosur të fillojmë hetimet lidhur me veteranë e luftës ndërsa pas fazës së mbledhjes së informacioneve është nxjerr aktvendimi për fillimin e hetimeve. Më 11 qershor është ngritur edhe një aktakuzë nga prokurori i lëndës dhe të nesërmen e kemi pranuar edhe një aktakuzë", tha Lumezi duke shtuar se prokurori tashmë i dorëhequr Elez Blakaj ka të dhëna se kush janë emrat që janë futur në lista të veteranëve kundërligjshëm.

"Prokurori Blakaj i ka deklaratat dhe emrat e personave që kanë hyrë në lista kundërligjshëm por ata emra nuk i ka përfshirë në aktakuzë. Kërkesa e kryeprokurorit ka qenë që të publikohen ato emra", theksoi ai.

Mes tjerash në këtë konferencë Lumezi u pyet nga gazetarët edhe për protestën e sotme të shoqërisë civile që kërkon dorëheqjen e tij. Ai lidhur me këtë tha se nuk i merr për bazë kërkesat e pa bazuara.

"Nëse institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës përkatësisht KPK, e vlerësojnë se e kam shkelë ligjin, do ta pranoj secilin vendim por kurrsesi nuk do ta pranoj presionin e subjekteve politike, shoqërisë civile të cilët interferojnë në punën e Kryeprokurorit të Shtetit", tha tutje ai./Zëri