Tahiri: Institucionet përgjegjëse t`i shkojnë deri në fund punës së veteranëve

Aktuale August 20, 2018 - 19:42
Lexo detajet

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se çdo institucion përgjegjës duhet që ta trajtojë rastin e veteranëve deri në fund dhe që para drejtësisë duhet të vinë abuzuesit e vlerave të shtetit, raporton “Zëri.info”.

Tahiri tutje ka shkruar se cdo para e shpenzuar në emër të veteranëve të luftës apo nga kushdo tjetër duhet të rikthehet.

LEXO EDHE: Lushtaku: Te gjithë e dijnë se në luftë nuk ishin kaq ushtarë sa tash u bënë veteranë

Ja postimi i plotë i Tahirit:

Në kohën kur po përpiqemi të fuqizojmë sundimin e ligjit dhe vëmendja jonë institucionale është më e fokusuar se kurrë më parë që sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës të jetë sistem efikas, llogaridhënës dhe në të cilin kanë besim të gjithë qytetarët tanë, jam i shqetësuar për kahjen që po marrin zhvillimet e fundit në çështjen e Prokurorit të dorëhequr z. Blakaj. Çdo akuzë ndaj institucioneve ka përgjegjësinë e vet, po aq sa edhe duhet të merret seriozisht dhe të trajtohet deri në fund. Fatkeqësisht, këtë e pamundëson shmangja nga ballafaqimi dhe mos adresimi i problemeve nëpërmjet rrugëve institucionale. Në anën tjetër, pushtetet janë të ndara dhe të pavarura në punën e tyre sipas mandatit që i ka përcaktuar Kushtetuta, por asnjëri nuk është i pavarur nga përgjegjësia se si administron me veprimtarinë institucionale. Gjithsecili prej nesh duhet të jetë përgjegjës për një sistem të drejtësisë të qëndrueshëm, efikas, llogaridhënës dhe transparent, që është në përputhje të plotë me aspiratat tona shtet formuese dhe në përputhje të plotë me pritjet e qytetarëve, ndaj të cilëve shërbejmë. Në tërë këtë diskurs, ajo çfarë është më e rëndësishme është mos devijimi nga problemi konkret. Si ministër i drejtësisë, inkurajoj institucionet përgjegjëse për të trajtuar deri në fund çështjen e verifikimit të numrit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të sjellin para drejtësisë çdo abuzues me vlerat më sublime të shoqërisë tonë. Çdo para e taksapaguesve tanë që është keqpërdorur në emër të statusit të veteranëve të luftës, si edhe kudo tjetër, duhet të rikthehet dhe keqpërdoruesit duhet të marrin dënimin e merituar. /ZËRI