Mogherini për Kofi Annan: Bota humbi një humanitar të vërtetë

Aktuale August 19, 2018 - 21:19
Lexo detajet

Shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini, ka shprehur dhimbje me rastin e ndarjes nga jeta të ish-sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Kofi Annan, duke thënë se bota humbi një humanitar të vërtetë, i cili i kushtoi jetën mbrojtjes së paqes dhe të drejtave të njeriut.

“Një laureat i Çmimit Nobel të Paqes dhe sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për dy mandate të njëpasnjëshme, Kofi Annan ishte një mbështetës i patundur i multilateralizmit dhe luftoi kundër racizmit, përjashtimit social dhe mos tolerancën, përfshirë angazhimin e tij si kryetar i The Elders Group”, shkruan ajo në Facebook.

Mogherini me këtë rast ngushëllime i ka dërguar familjes së Annan, Qeverisë së Ganës, Kombeve të Bashkuara dhe The Elders Group.

Më 12 tetor 2001, Çmimi Nobel për Paqen iu dha së bashku Kombeve të Bashkuara dhe Kofi Annan. Sipas motivacionit të çmimit Annan kishte sjellë një jetë të re në organizatën paqeruajtëse, luftën e Kombeve të Bashkuara për të drejtat civile dhe mori guximin për sfidat e reja të terrorizmit dhe sindromën e fituar të mungesës së imunitetit, AIDS.

Ndryshe, Kofi Annan, ndërroi jetë dje në një spital në Bernë, në moshën 80-vjeçare. Ai ka qenë i pari afrikan nga Sub-Saharaja që ka drejtuar postin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.