'Asociacioni i komunave serbe mund të bëhet me kompetenca ekzekutive'

Aktuale August 17, 2018 - 15:22

Ekipi menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe tashmë ka dorëzuar në Qeverinë e Kosovës procesverbalet e punës së tyre, që përfshijnë muajt qershor dhe korrik të këtij viti. Përmes këtij procesverbali përfaqësuesit serbë në Kosovë kanë kërkuar që në statut të Asociacionit të përfshihen edhe kompetencat në privatizim, në ekonomi, në ruajte të sistemit arsimor me Serbinë, si dhe kompetenca të tjera. Në mes të tjerave, janë kërkuar edhe ndryshime kushtetuese për llogari të pajisjes së Asociacionit me kompetenca të mëdha ekzekutive shkruan sot Gazeta “Zeri”.

Lidhur me këtë çështje njohësi i çështjeve politike në vend, Belul Beqaj ka thënë që nisur në mënyrën se si Asociacioni është duke u formuar, Kosova rrezikon që AKS-ja të ketë edhe kompetenca ekzekutive.

“Çështja e AKS-së ka nisur mbrapsht dhe nuk mund të përfundoj mbarë. Janë bërë dhe po bëhen shumë gabime. Duhet të jesh naiv për të pritur se ekipi menaxhues, në formën dhe njerëzit se si është aktivizuar do të përpiloj projektin në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Si duket ekipi është krijuar me prapavijë të dy pushteteve, që të dështoj  kjo nismë, për të filluar një nismë tjetër që po e improvizon Thaçi”, ka thënë ai për “Zërin”.

Sipas tij deklaratat për korrigjim të kufijve do të sjellin defunksionalizim të shtetit të Kosovës.

“Fatkeqësisht, prognozoj se AKS-së, do të ketë kompetenca ekzekutive, pavarësisht se çfarë thonë pushtetarët e shantazhuar dhe të pa epur të Kosovës. Alternativa e kompromisit të “korigjimit të kufijve” do të jetë defunkcionalizimi afatgjatë i shtetit të Kosovës”, ka thënë ai duke shtuar se “duhet korigjuar me vendosmëri  fillimin e nisur gabimisht duke insistuar në simetri të AKS-së, me Luginën e Preshevës”.

Ndërkohë drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sezan Ibrahimi për “Zërin” ka thënë që nëse AKS-ja do të ketë kompetenca ekzekutive do të krijohet një nivel i ri qeverisës në Kosovë, gjë që paraqet rrezik për vendin.

“Nëse ky mekanizëm do të ketë kompetenca ekzekutive, atëherë krijohet një nivel i ri qeverisës në Kosovë, një nivel i mesëm i cili nuk është në harmoni me Kushtutetutën e Kosovës sepse ajo parasheh vetëm nivelin qëndror dhe lokal por jo edhe një të mesëm. Kjo gjë na shpie tek ndryshimi i Kushtetutës së vendit”, ka thënë ai.

Sipas tij nëse asociacioni ka vetëm një kompetencë të vetme atëherë do të krijohet situata e njëjtë si në Bosnjë e Hercegovinë./ZERI