'Lëmshi' i Asociacionit

Aktuale August 17, 2018 - 07:56
Lexo detajet
Image

Ekipi menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe tashmë ka dorëzuar në Qeverinë e Kosovës procesverbalet e punës së tyre, që përfshijnë muajt qershor dhe korrik të këtij viti, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Përmes këtij procesverbali përfaqësuesit serbë në Kosovë kanë kërkuar që në statut të Asociacionit të përfshihen edhe kompetencat në privatizim, në ekonomi, në ruajte të sistemit arsimor me Serbinë, si dhe kompetenca të tjera.

LEXO EDHE: Qeveria s’ia paguan 53 milionë euro “Bechtel Enka”-s

Në mes të tjerave, janë kërkuar edhe ndryshime kushtetuese për llogari të pajisjes së Asociacionit me kompetenca të mëdha ekzekutive.

Për më shumë, ky draftstatut do të dërgohet direkt në Bruksel pa miratimin e Qeverisë së Kosovës.

E pikërisht kjo gjë po shihet me rrezik nga opozita e vendit, të cilët fajtor kryesor për gjendjen e krijuar e shohin Qeverinë e Kosovës, që sipas tyre nuk e kanë mbikëqyrur këtë proces aq sa duhet.

Njohësit e çështjeve politike thonë që Asociacioni mund të ketë kompetenca ekzekutive, duke e shkelur Kushtetutën e Kosovës.

Qeveria: Asociacioni nuk do ta shkelë Kushtetutën

Në një përgjigje për “Zërin” nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Asociacioni i Komunave Serbe nuk do ta shkelë Kushtetutën e Kosovës pavarësisht nga tentativat e serbëve të Kosovës.

“Asgjë që nuk e ka për bazë Kushtetutën e Republikës së Kosovës nuk do të lejohet të ndodhë. Ekipi menaxhues për Asociacionin do ta dorëzojnë në Bruksel draftstatutin dhe asgjë nuk do të ndodhë pa bazën e Kushtetutës së vendit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Edhe Avni Arifi, shef i ekipit që përfaqëson Kosovën në dialogun teknik me Serbinë, në një reagim ka thënë që nuk do të lejohet që Asociacioni të ndikojë në funksionim të shtetit.

“Kosova ka marrë obligim ndërkombëtar për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe si formë e avancimit të pozitës së komunitetit serb në Kosovë. Në këtë qëndrim Kosova vazhdon të kërkojë zgjidhje dhe ka konsensus të mjaftueshëm në shoqërinë e Kosovës për gjetjen e një zgjidhjeje gjithnjë duke ruajtur kushtetutshmërinë, tërësinë territoriale dhe funksionalitetin e shtetit”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova nuk do ta formojë një Asociacion që do të jetë instrument i Serbisë për ta kontrolluar Kosovën.

“Kosova kurrë nuk ka marrë obligim që të krijojë Asociacion që do të shërbejë si instrument i shtetit serb për defunksionalizimin dhe kontrollimin e shtetit të Kosovës. Ideja që nëpërmjet Asociacionit të depërtohet në funksionim të shtetit të Kosovës është perfide dhe nuk do të kalojë”, ka theksuar Arifi.

Hoti: Mungesa e mbikëqyrjes ka krijuar tollovinë e Asociacionit

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, duke folur për procesverbalet e ekipit menaxhues që është duke e hartuar draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ka thënë që kjo vjen si pasojë e mungesës së mbikëqyrjes nga ana e Qeverisë.

“Çdo devijim nga Marrëveshja e Brukselit dhe nga opinioni i Gjykatës Kushtetuese do të jetë e papranueshme. Mungesa e mbikëqyrjes nga ana e Qeverisë e punës të grupit punues e ka sjellë këtë pështjellim”, ka thënë ai.

Nëse vazhdon kjo situatë Hoti ka thënë që do të kërkohet përgjegjësi nga Qeveria e Kosovës. “Ne do ta përcjellim si po zhvillohet ky proces dhe do të kërkojmë përgjegjësi nga Qeveria”, ka potencuar ai.

Ndërkaq njohësi i çështjeve politike në vend, Belul Beqaj, ka thënë që nisur në mënyrën sesi Asociacioni është duke u formuar Kosova rrezikon që AKS-ja të ketë edhe kompetenca ekzekutive.