Alarm për ndryshim kufijsh, deputetët s’e prishin rehatinë

Aktuale August 17, 2018 - 07:45
Lexo detajet
Image

Deputetët kosovarë s’po e prishin “terezinë” e pushimeve verore pavarësisht diskutimeve që po zhvillohen për ndryshim kufijsh me Serbinë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Pavarësisht paralajmërimeve të ngritura se në kuadër të fazës finale do të diskutohet për korrigjim të kufijve me Serbinë deputetët e Kuvendit të Kosovës po vazhdojnë të pushojnë tash e dy javë.

Drejtues të Partisë Socialdemokrate (PSD) tashmë u kanë bërë thirrje deputetëve që të kthehen nga pushimi dhe të diskutojnë për çështjen e dialogut, respektivisht për hartimin  e një platforme negociuese, mirëpo nuk kanë marrë përgjigje pozitive në këtë drejtim.

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se fillimisht duhet të bëhet një analizë e marrëveshjeve të arritura gjer tani para se të vazhdohet më tutje me dialogun, ani pse takimi i tretë në kuadër të fazës finale pritet të mbahet në fillim të shtatorit.

Ndërkaq nga partitë në pushtet kanë konsideruar se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme për ta ndërprerë pushimin. Sipas zyrtarëve të PDK-së, çështja e dialogut dhe e platformës nuk është urgjente, pasi siç ata janë shprehur bisedimet me Serbinë kanë nisur qysh moti, jo sot.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se deputetët nuk është dashur fare të shkojnë në pushin në kohën kur Kosova ka hyrë në fazën finale të negociatave me Serbinë e kur në të njëjtën kohë po paralajmërohen koncesione të dhimbshme e korrigjim kufijsh.   

PSD-ja kërkon nga deputetët ta ndërpresin pushimin

Kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti ka thënë se deputetët duhet të kthehen nga pushimi dhe të diskutojnë për hartimin e një platforme rreth dialogut.

“Është e paarsyeshme që Kuvendi të jetë në pushim në fazën kur presidenti Thaçi u ka hyrë disa aventurave, të cilat as ai vetë në konferenca për shtyp nuk po mund t’i shpjegojë, sepse në njërën anë flet për korrigjim kufijsh, në anën tjetër thotë ‘e përkrahi deklaratën e kancelares Merkel’, e cila ka thënë që s’ka ndryshime kufijsh. Kështu që kryesorja është që Kuvendi të kthehet nga pushimi”, ka deklaruar Ahmeti gjatë një interviste dhënë “Zërit”.

Me këtë rast ai ka thënë se është e pakuptueshme se si deputetët janë në pushim kur në fillim të shtatorit pritet të mbahet takimi i radhës në kuadër të dialogut. 

Kreu i PSD-së ka bërë të ditur se i kanë dërguar letër edhe LDK-së, edhe LVV-së për një gjë të tillë, por asnjëra nga këto dy parti nuk është përgjigjur pozitivisht.

Beqa: S’ka asgjë urgjente që të kthehemi nga pushimi

Deputeti i PDK-së Hajdar Beqa ka konsideruar se deputetët mund të kthehen nga pushimi vetëm nëse ka ndonjë situatë të jashtëzakonshme.

“Kuvendi ka shkuar në pushim në bazë të rregullores. Po të ketë diçka urgjente sigurisht që ndërpritet pushimi. Kurse sa i përket kërkesës për konsensus PSD-ja dhe subjektet e tjera kanë pasur kohë edhe para se të shkojmë në pushim, e njëjta situatë politike ka qenë edhe në atë kohë, edhe tash”, ka deklaruar ai.

Sipas Beqës, çështja e dialogut nuk është diçka urgjente për të cilën deputetët do të duhej të ktheheshin.

“Konsideroj që nuk është urgjente, sepse bisedimet nuk po fillojnë tash, duhet ta gjejmë prapë një konsensus, por çdo marrëveshje që bëhet në Bruksel ajo prapë duhet ta marrë miratimin në Kuvendin e Kosovës. Besoj që nuk ka diçka të jashtëzakonshme dhe nuk mund t’i shqetësojmë edhe qytetarët e Republikës së Kosovës për agjendat ditore të partive të caktuara politike”, ka theksuar ai.

Nagavci: Të bëhet vlerësimi i procesit të deritanishëm, pastaj platforma

Teksa ka folur për kërkesën e PSD-së që deputetët të kthehen nga pushimi, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci ka thënë se vendimin për pushim e ka marrë Kryesia e Kuvendit.

“Vendimin për pushim e ka marrë Kryesia. Në seancën e fundit që ishim aty na është kumtuar që Kuvendi shkon në pushim. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që ka pasur një mungesë totale të seriozitetit nga një numër i madh i deputetëve, të cilët qoftë nuk kanë marrë pjesë fare në seanca, qoftë i kanë neglizhuar ato duke mos krijuar hapësirë për diskutimin e çështjeve që janë të rëndësishme”, ka deklaruar ajo.

Një gjë e tillë sipas Nagavcit ka ndodhur në radhë të parë nga vetë Kryesia e Kuvendit, që për një kohë të gjatë, sipas saj, nuk ka ftuar fare seanca.

Sa i përket çështjes së dialogut me Serbinë ajo ka thënë se nuk ka kurrfarë logjike që dialogu të vazhdojë pa u bërë së pari një analizë e asaj se çka është bërë deri më tani.  

“Pra fillimisht duhet të bëhet vlerësimi i gjithë asaj që ka ndodhur deri më tani, pastaj duhet të bëhet një platformë jo vetëm në Kuvend, por duhet të ketë konsensus mbarështetëror”, ka pohuar ajo.  

Isufi: Kuvendi ka mundur ta miratojë platformën kur e ka sjellë Qeveria

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se ky subjekt vepron ashtu siç vendos Kuvendi i Kosovës.

“Kuvendi ka marrë vendim që të shkojë në pushim, prandaj edhe mundet kryetari i Kuvendit ta thërrasë Kryesinë e Kuvendit. Megjithatë, ne jemi sido që vendos Kuvendi”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Çështja e platformës dhe e dialogut për të cilën PSD-ja po kërkon kthimin e deputetëve, sipas Isufit, është temë e hershme e nuk është temë e dalë tani.

“Kjo temë nuk është e sotme, por është edhe më herët, prandaj ka mundur Kuvendi të aprovojë një platformë edhe kur e ka sjellë Qeveria në Parlamentin e Kosovës. Po ashtu ka mundur që përmes tryezave të ofrohet një platformë në Kuvend. Por deri tani nuk ka ndodhur”, ka shtuar ai.  

Demhasaj: Deputetët s’është dashur të shkojnë fare në pushim

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, ka vlerësuar se deputetët nuk është dashur të shkojnë fare në pushim në kohën kur Kosova ka hyrë në fazën finale të dialogut dhe kur po diskutohet për korrigjim të kufijve e për kompromise të dhimbshme.

“Kosova ka kaluar në fazën finale të dialogut, është koha më e rëndësishme për Kosovën, nuk ishte dashur fare që deputetët të shkonin në pushim në këtë kohë për shkak të nevojës që të diskutohen në Kuvend çështjet e dialogut dhe potencialisht mundësia për t’u arritur një kompromis”, ka deklaruar ai.

Sipas Demhasajt, meqë edhe Kryesia e Kuvendit ka shkuar në pushim kërkesa e PSD-së për ta ndërprerë pushimin ka pak gjasa të shqyrtohet.

Sipas tij, edhe takimi i shtatorit në mes të presidentëve në Bruksel do të zhvillohet pa arritjen e një konsensusi në mes të spektrit politik në Kosovë. “Ai takim do të mbahet sikurse edhe takimet e tjera që janë mbajtur. Nga ajo që po shihet gjasat janë minimale që të ketë një konsensus”, është shprehur Demhasaj.