Aktuale

Krasniqi e sheh si të rrezikshme idenë për shkëmbimin e territoreve

Krasniqi e sheh si të rrezikshme idenë për shkëmbimin e territoreve
16 gusht 2018 • 23 : 00

Lexo detajet

Ish-kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, shprehet se korrigjimi i kufirit me Serbinë rrezikon pjesën veriore të Kosovës.

Ai thotë se deklarata e kancelares Angela Merkel për kufijtë duhet të merret seriozisht nga institucionet e Kosovës, përderisa idenë e korrigjimit të kufirit e vlerëson kundër Kushtetutës. Ai në këtë intervistë flet edhe për heshtjen e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës karshi çështjeve të rëndësishme.

Radio Kosova: Z. Krasniqi, ju keni qenë pjesë e ngjarjeve të rëndësishme në vend, si gjatë luftës ashtu edhe pas saj, përfshirë edhe shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Aktualisht jemi në fazën finale të dialogut, sipas jush, a është e mundshme arritja e një marrëveshjeje të obligueshme për të dyja palët që çon drejt normalizimit dhe njohjeve reciproke?

Jakup Krasniqi: Gjuha e komunikimit që përdorët nga zyrtarët e lartë të të dy vendeve, japin pak shpresa për një normalizim dhe njohje reciproke, frikën ma shton sidomos gjuha patriotike që përdorin drejtuesit e lartë të shtetit tonë. Ata me patriotizëm i mbulojnë dështimet e tyre politike, në anën tjetër në 30 vitet e fundit Beogradi ka treguar se nuk respekton asnjë marrëveshje. P.sh: Beogradi kërkon zbatimin e dokumentit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës vetëm ku u konvenon atyre, dhe kështu është vështirë të arrihet deri te normalizimi i marrëdhënieve, dhe kjo vështirësi vije edhe për faktin se ndoshta Kosova fare nuk është dashur të fillojë bisedimet me Serbinë me ndërmjetësimin e Brukselit…

Si i vlerësoni deklarimet e fundi të presidentit të vendit se në kuadër të dialogut, se do të ketë korrigjim të kufirit më Serbinë, bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën. Si e komentoni ju këtë situatë, duke marrë parasysh edhe zërat kundërthënës të këtij qëndrimi?

Po nëse presidenti fol për bashkimin e Kosovës Lindore, atëherë duhet ta thotë shkoqur, cila është kundërpesha e kësaj. Pse e them këtë? Nuk ka mundësi të arrihet një normalizim i marrëdhënieve me Serbinë duke e kërkuar Preshevën, një pjesë të Bujanovcit dhe të Medvegjës gati të shpopulluar nga popullata shqiptare dhe mos të japësh asgjë. Do të thotë këtu drejtpërsëdrejti rrezikohet pjesa veriore e Kosovës dhe kjo nuk i konvenon Kosovës. Vetë hapja e kësaj çështjeje në këto rrethana është e pafavorshme për palën e Kosovës, prandaj ndoshta mediat më tepër duhet të këmbëngulin që ta pyesin presidentin se si mendon t’ia bashkojë Kosovën Lindore Kosovës. Do të thotë, përgjigjja duhet të vije nga ai..

Tani është edhe qëndrimi i kancelares Angela Merkel, e cila deklarohet kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan, si duhet të merret ky mesazh nga ana e Kosovës?

Kishte edhe mesazhe të tjera të kësaj natyre që vinin nga vendet e Perëndimit, të nivelit edhe më të ulët. Unë mendoj se ky është mesazhi më domethënës që vjen nga kreu i një shteti më të fuqishëm të Bashkimit Evropian dhe ky duhet të merret seriozisht. Pra, Bashkimi Evropian si duket edhe vende të tjera të Perëndimit nuk janë të gatshme ta hapin çështjen e kufijve. Unë mendoj se kjo hapje kështu siç është bërë, më së paku i konvenon Kosovës dhe shqiptarëve. Kjo është një temë e hapur në mënyrë të papërgjegjshme, e papërgatitur, e pa analizuar dhe e pamundshme për ta realizuar. Krejt çka duhet në këtë fazë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë do të duhej njohja e Kosovës në kufijtë në të cilët është shpallur Pavarësia. Çdo largim, dhe çdo tentim për të krijuar probleme të reja, vështirëson zgjidhjen dhe këtu Kosova nuk ka mundësi të dalë fituese edhe për faktin se deklarimet e Perëndimit, në mënyrë të veçantë e kancelares gjermane, mendoj se janë mesazhi më i qartë që mund t’u jepet institucioneve të Kosovës

Presidenti e quajti këtë se është një mesazh i mrekullueshëm, si e vlerësoni reagimin e tij?

Është vështirë që njeriu të komentojë deklaratat e personave që brenda ditës ndryshojnë disa herë…

A shkelet Kushtetuta me korrigjimin e kufirit?

Nëse kemi parasysh se Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, i shpallur me 17 shkurt 2008, në kufijtë ekzistues është shkelje e Kushtetutës dhe realisht nuk është hera e parë që në Kosovë nga vetë institucionet, nga njerëzit më përgjegjës të saj nuk respektohet Kushtetuta dhe ka një zbatueshmëri tepër të kufizuar edhe të ligjeve në Kosovë. Nga kjo praktikë e keqe, sa më parë duhet të largohemi dhe ta respektojmë Kushtetutën dhe ligjet e miratuara në Kuvend.

Si e vlerësoni idenë e përfolur që për shkak të deklaratave në lidhje me “korrigjimin e kufijve” në mes të Kosovës dhe Serbisë, të kërkohet mendimi i Gjykatës Kushtetuese?

Gjykata Kushtetuese realisht deri më sot ka marrë vendime shpeshherë që nuk kanë qenë konform interesit të Kosovës. Nuk e di sa është e përgatitur dhe e aftë për të dhënë mendimin e saj të pavarur dhe autonom, por gjithsesi deklarimet e tilla që cenojnë kufijtë sovran të shtetit mendoj që nuk do të duhej të vinin as nga instanca të tjera e lëre më nga njeriu i cili e mban një pozitë e që ka përgjegjësi për ta mbrojtur kushtetutën e vendit dhe ligjshmërinë në vend.

Ndërkohë, ende nuk kemi një konsensus ndërmjet partive politike. Ka zëra që e kundërshtojnë që ky proces të udhëhiqet nga presidenti. Kuvendin e shohin si institucioni kredibil për një gjë të tillë. Pse kaq e vështirë arritja e këtij konsensusi të brendshëm?

Mendoj që gjatë këtyre viteve është krijuar një kulturë politike më tepër refuzuese sesa pajtuese për gjërat e domosdoshme. Unë jam i vetëdijshëm që në demokraci nuk ka konsensus për gjithçka, por nëse kemi parasysh rrugën që ka kaluar Kosova, vështirësitë e ecjes së saj, duke marrë parasysh edhe pas shpalljes së pavarësisë së saj, unë mendoj që politika në Kosovë duhet t’i ketë disa elemente të përbashkëta, ose si të them ndryshe, Kosova duhet t’i ketë disa vlera të përbashkëta edhe mes subjekteve politike. Por kjo kulturë nuk është instaluar që nga fillimi i proceseve demokratike në vitet 90-të, ka vazhduar edhe pas luftës dhe nuk po arrijmë që për çështjet për të cilat duhet të kemi konsensus ta krijojmë atë konsensus. Konsensusi në këtë rast është më se i domosdoshëm.

Po i kthehem sërish dialogut, a duhet që dialogun me Serbinë ta udhëheqë presidenti i vendit?

Po ne e kemi një përvojë të këtij dialogu. Edhe pse fillimisht kam qenë kundër dialogut politik, por megjithatë tashmë është duke u zhvilluar ky dialog. Dialogun e ka udhëhequr Qeveria, edhe atëherë kur e ka udhëhequr Qeveria vendi ka pasur president, faktikisht presidente, dhe pasi çështjet kanë të bëjnë kryesisht në fushë veprimtarinë e qeverisë, kjo çështje është krejtësisht e Qeverisë. Një gjë duhet ta dimë, Serbia është gati një shtet presidencial, presidenti e cakton kandidatin për kryeministër dhe po ta krahasojmë tash përgjegjësinë, përgjegjësia e presidentit tonë nuk është e njëjtë me përgjegjësinë e presidentit të Serbisë. Kompetencat e kryeministrit tonë janë gati të barasvlershme me kompetencat e presidentit të Serbisë, të cilat nuk i ka presidenti i Kosovës. Do të thotë me Kushtetutë përgjegjësinë kryesore për qeverisje të vendit e ka Qeveria e Kosovës dhe jo presidenti. Edhe pse kryeministri Haradinaj, që unë mendoj pa ndonjë arsye por me kërkesë si duket të presidentit, ka hequr dorë nga kompetencat, por heqja dorë nga kompetencat që t’i jep Kushtetuta, mendoj se nuk është mirë për kryeministrin e vendit.

Megjithatë kemi edhe heshtjen e Akademisë së Shkencave, përballë zhvillimeve të fundit, sidomos kur bëhet fjalë për çështje territori, e po të bëjmë një krahasim me Akademinë e Shkencave të Serbisë, ajo është shumë e zëshme?

Po nëse krahasohen vërtet angazhimet e Akademisë së Shkencave të Serbisë që gati i kanë prirë të gjitha qëndrimeve dhe vendimeve politike në Serbi, me atë të Kosovës që është shumë inerte, shumë e pa zë, shumë e heshtur, gati aspak vepruese për asnjë proces të rëndësishëm që ka kaluar Kosova, mund të themi që edhe kemi edhe s’kemi akademi të shkencave dhe të arteve. E keqja është se gati në të gjitha institucionet shkencore dhe institutet shkencore në Kosovë, gjatë këtyre viteve ka pasur ndërhyrje politike dhe më tepër kanë qenë zëdhënës të qeveritarëve se sa dhënie të mendimit shkencor për t’i ndihmuar institucionet e shtetit për të gjetur rrugën më të mirë të mundshme.

Si e vlerësoni funksionimin e Kuvendit, kur në vazhdimësi s’ka kuorum as në prezencë fizike e as në vendimmarrje?

Realisht problemi kryesor i mosfunksionimit të Kuvendit nuk është gjithherë në Kuvend, pra është te partitë politike që janë të përfaqësuara në Kuvend. Unë mendoj që në shoqërinë tonë, në rend të parë mungon një debat përmbajtjesor dhe i sinqertë në vetë radhët e partive politike dhe kur nuk kemi një debat të mirëfilltë, debat mbi bazën e të cilit vije deri te vendimet e një subjekti politik, ajo praktikë e mosdebatit, e mosmarrjes së vendimeve me përgjegjësi bartet edhe në Kuvend. Kjo është një vështirësi. Vështirësia e dytë është se tani koalicioni qeverisës nuk ka shumicën e domosdoshme parlamentare për shkak se Lista Serbe është duke e bojkotuar, kështu që tani as pozita as opozita nuk e kanë numrin e mjaftueshëm për të marrë vendime, qoftë për të bërë mocionin qoftë për të marrë vendime për miratimin e ligjeve dhe shumë vendimeve të tjera që duhet t’i marrë kuvendi. Në anën tjetër, ka shumë moskuptim të detyrës nga ana e përfaqësuesve në kuvend, unë mendoj se kjo shfaqet edhe te drejtuesit e saj edhe te deputetët, dhe në një situatë të tillë kështu siç është Kuvendi, ka vështirësi për të marrë vendime të duhura.

Aktualisht është edhe ideja e LDK-së për mbajtjen e zgjedhjeve, që mandej të ketë zgjidhje të proceseve aktuale?

Zgjedhjet shpeshherë janë zgjidhje, por në këtë rast nuk e di… Do të thotë është një vështirësi në tri institucionet kryesore të shtetit, në Parlament, në Presidencë dhe Qeveri, do të thotë Parlamenti dhe Qeveria nuk i kanë numrat e duhur për të marrë vendimet në Kuvend, pasi Kuvendi legjitimon shumë veprime, ligje dhe vendime të tjera të qeverisë. Mendoj se edhe nëse shkohet në zgjedhje përsëri do ta kemi këtë presedan, dhe nuk besoj që me këtë raport që është në mes institucioneve mund të bëhet ndonjë ndryshim edhe po të shkohet në zgjedhje. Unë mendoj se shoqëria kosovare ka nevojë për një debat të mirëfilltë, për një debat që ka nevojë për ta ndërruar qasjen e shumë gjërave dhe për të marrë vendime të përbashkëta që janë në interes të vendit. Fatkeqësisht nuk e shoh që kjo mund të arrihet në Kuvend, sepse vullneti për të arritur një konsensus për çështje të domosdoshme duhet të arrihet mes partive politike që janë të përfaqësuara në Kuvend.

Z. Krasniqi, a i kanoset rreziku Kosovës me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, meqenëse ata po këmbëngulin se draft statuti i këtij asociacioni të bëhet në bazë të marrëveshjes së Brukselit, e që Gjykata Kushtetuese ka gjetur jo përputhshmëri me Kushtetutën?

Shpesh kam dhënë mendimin tim të argumentuar për këtë çështje, Qeveria e Kosovës duhet ta thotë qartë. Kosova e ka asociacionin e komunave të saj, ky asociacion e ka bazën në Kartën Evropiane për decentralizimin e pushtetit, e ka bazën në dokumentin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, pra te dokumenti i Ahtisarit, dhe në Kushtetutë dhe një asociacion i tillë që ekziston për shumicën e komunave shqiptare ai duhet të vlejë edhe për komunat që janë me shumice serbe në Republikën e Kosovës.

Z. Krasniqi, nëse për fund keni të shtoni diçka, edhe pse intervista jonë ishte më tepër e fokusuar në idenë e korrigjimit të kufijve, për çfarë u kuptua se ju jeni kundër?

Unë jam kundër sepse jam i vetëdijshëm se Kosova është në fazën që duhet të njihet si shtet nga Serbia dhe nga vendet e tjera që nuk e kanë njohur, sidomos ato të Bashkimit Evropian në kufijtë mbi bazën e së cilës është shpallur pavarësia, në kufijtë mbi bazën e së cilës janë zhvilluar bisedimet në Vjenë etj. Nëse Serbia dhe Kosova normalizojnë marrëdhëniet, atëherë në një fazë tjetër me njohje reciproke mund të bisedohet nëse ka çka të bisedohet. Por, unë mendoj se në këtë fazë Serbia duhet të kujdeset që Kosova të respektojë të drejtat e qytetarëve serbë në Kosovë sipas Kushtetutës e gjithashtu Kosova duhet të interesohet fuqishëm që ashtu siç kërkon Serbia të respektohen të drejtat e qytetarëve serbë në Kosovë. Kosova duhet të kërkojë që të respektohen po në atë masë të drejtat e qytetarëve në Serbi, që realisht nuk janë vetëm në Luginën e Preshevës, por shqiptarë ka edhe në Tutinjë, shqiptarë ka edhe në Novi Pazar dhe gjithandej nëpër Serbi.

© zëri.info