‘Kosova nuk do të bëjë asnjë koncesion që e hollon më tej pavarësinë e saj’

Aktuale August 16, 2018 - 19:38
Lexo detajet

Profesori Universitar, Muhamet Hamiti përmes një shkrim për ndarjen e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë ka treguar rrethanat në të cilat gjendet ky proces. Sipas Hamitit, Kosova nuk do të bëjë asnjë koncesion që e hollon më tej pavarësinë e saj, shkruan “Zëri.info”.

Sipas Hamitit politikanë në Serbi dëshirojnë që kjo gjë të ndodh mirëpo në anën tjetër në Kosovë liderë të partive politike e kundërshtojnë ashpër këtë gjë.

Ai tutje ka përmendur edhe kompromise tjera të dhimbshme që Kosova i ka bërë me Serbinë.

LEXO EDHE: ‘‘Çështja kryesore është sovraniteti i Kosovës, jo shkëmbimi i territoreve’’

Ja reagimi i plotë i tij:

Valerie Hopkins, në artikullin me titull “Serbia dhe Kosova i afrohen marrëveshjes për kufirin dhe ngrejnë shpresat për anëtarësim të të dyjave vendeve në BE” (15 gusht) lë të kuptohet, me gjasë paqëllimshëm, se ka marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për ndarjen e Kosovës. Fatmirësisht, kjo nuk është e vërtetë.

Presidenti autokratik i Serbisë, Aleksandar Vuçiq — ministri për informata i Sllobodan Millosheviqit gjatë luftës së Kosovës më 1999 – dëshiron që kjo të ndodhë, mirëpo Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, që i ka punët ngusht, thotë se nuk e do këtë; madje edhe po ta donte këtë (ndarjen), ai nuk ka mbështetje në Kosovë për çkado që i vjen era ndarje.

Udhëheqës të rëndësishëm në Kosovë, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli (kryetar i Partisë Demokratikë të Kosovës [PDK] të z. Thaçi) kanë kundërshtuar fuqishëm çfarëdo ideje që prek kufirin Kosovë-Serbi. Asnjë parti e madhe politike në Kosovë nuk e përkrah ndarjen e Kosovës, veç Listës Serbe (grupit parlamentar serb në Kuvendin e Kosovës), që e mban Beogradi.

Partia kryesore në opozitë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), partia e atit themeltar të Kosovës së pavarur, presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova – që ka aktualisht përkrahje të më shumë se 30 përqind të elektoratit në Kosovës – ka hedhur poshtë çfarëdo ideje për ndarje, për këmbime territoresh me Serbinë, apo madje çfarëdo koncesioni që do të hollonte edhe më pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, që do të përbënte shkelje të karakterit unitar të shtetit, i cili është mishëruar në kushtetutën e vendit që u jep të drejta të pakundshoqe serbëve dhe pakicave të tjera.

Kosova ka bërë kompromise të dhimbshme me Serbinë gjatë procesit ndërkombëtar për përcaktim të statusit përfundimtar të Kosovës (të sponsorizuar nga OKB-ja nga viti 2005 deri më 2007) që i parapriu shpalljes së bashkërenduar të pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me seli në Hagë, duke iu përgjigjur pyetjes që kishte parashtruar Serbia, ka shpallur gjykimin në korrik të vitit 2010 se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Republika e Kosovës është vend me të gjitha atributet e shtetësisë.

Kancelarja gjermanë Angela Merkel është deklaruar fuqishëm kësaj jave kundër shkëmbimit të teritoreve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Siç ka thënë Foreign Office-i (Ministria e Jashtme) britanik javën që shkoi, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të ndodhë mbi bazën e “njohjes së shteteve të pavarura e sovrane brenda kufijve aktualë”. Ky është qëndrimi që duhet të mbajnë të gjitha vendet që respektojnë të drejtën ndërkombëtare, duke i ndihmuar Serbisë të dalë nga gjendja e saj e mohit lidhur me statusin e Kosovës. /ZERI