Kufijtë 'vizatohen' në shtator

Aktuale August 16, 2018 - 07:42
Lexo detajet
Image

Krerët shtetërorë në Beograd po paralajmërojnë se gjatë muajit të ardhshëm do të dalin me një propozim konkret për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Edhe presidenti Thaçi qe disa javë po flet për bashkim me Luginën. Analistët alarmojnë se vizatimi i kufijve është i rrezikshëm, shkruan Gazeta "Zëri".

Zyrtarët më të lartë shtetërorë të Serbisë, presidenti Aleksandër Vuçiq dhe shefi i diplomacisë Ivica Daçiq, po paralajmërojnë se gjatë muajit të ardhshëm (në shtator) do të dalin me një propozim konkret për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, madje ata nuk e fshehin synimin që Kosovën ta ndajnë nëpërmjet vijave etnike, mes shqiptarëve dhe serbëve. Në anën tjetër presidenti Hashim Thaçi ka disa javë që deklaron vazhdimisht se Lugina e Preshevës duhet të bashkohet me Kosovën, përderisa Serbia nuk do të mundë t’i marrë komunat veriore të Kosovës. Por një raport prej 90 faqesh, i botuar dje nga gazeta “Zëri”, i hartuar nga gjashtë ekspertë serbë dhe i përkrahur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Beograd, të cilin e udhëheq George Soros, paraqet skenarin për shkëmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku kësaj të fundit i propozohet t’i marrë katër komunat veriore, Zubin Potokun, Zveçanin, Leposaviqin dhe Mitrovicën Veriore, ndërsa Kosova ta marrë Preshevën, por pa Bujanocin dhe pa Medvegjën.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka deklaruar se një raport i tillë është i sponsorizuar nga shteti serb, pasi njëri nga anëtarët e Fondacionit për Shoqëri të Hapur është i afërt me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.  Sipas tij, ky dokument që është publikuar nga gazeta “Zëri” dhe i përgatitur nga ekspertët serbë duhet të refuzohet nga pala kosovare. “Është një dokument, përmes të cilit Serbia në mënyrë joformale e mat pulsin e opinionit, porse është një opsion i cili në start duhet të refuzohet”, ka thënë Kamberi.
Ky qëndrim, sipas Kamberit, është qëndrim i gjithë përfaqësuesve të Luginës së Preshevës, ndërsa paralajmëron rrezik nëse trajtohet si e ndarë. “Lugina e Preshevës duhet të trajtohet si tërësi. Në gjithë deklarimet e kryetarëve të partive ose të përfaqësuesve të institucioneve e kemi këtë qëndrim dhe normalisht se çfarëdo opsioni tjetër do të sjellë katastrofë”, ka theksuar ai.

 

Qeveria është kundër ndarjes

Në anën tjetër zyrtarë të Qeverisë së Kosovës janë shprehur kategorikisht kundër ndarjes së Kosovës. “Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës vazhdon të jetë i njëjti, jemi kundër ndarjes së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, duke e komentuar raportin e përgatitur nga ekspertët serbë të cilin e ka botuar “Zëri”, ka thënë se ideja për shkëmbim të territoreve me Serbinë ka për qëllim që t’i marrë komunat veriore, ndërsa Kosova të mos marrë asgjë në shkëmbim. “Ideja për shkëmbimin e territoreve është një projekt i Serbisë, i cili ka për qëllim që të marrë një pjesë të Kosovës duke mos i dhënë asaj asgjë, sepse kjo çështje nuk mund të hapet para se Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Kështu si është filluar dialogu pa platformë dhe pa qenë i autorizuar Thaçi, është vetëm një aventurë që duhet të ndërpritet”, ka thënë Kurteshi, duke shtuar se Vetëvendosja bashkë me qytetarët e Kosovës do ta pengojnë këtë projekt shumë të dëmshëm për Kosovën.
 

Kurteshi: Mund t’i humbim katër komunat

Sipas tij, deklaratat e Thaçit për kufijtë me Serbinë janë të papranueshme dhe me rrezik të madh për Kosovën. “Këtë që po e bën presidenti Thaçi është një aventurë, e cila nuk guxon të vazhdojë. Ai po luan me ndjenjat e qytetarëve të Luginës së Preshevës, të cilët natyrisht që janë të interesuar të ribashkohen me Kosovën dhe askush nuk është kundër një gjëje të tillë, por kjo nuk mund të ndodhë në situatën në të cilën jemi sepse Serbia së pari duhet ta njohë Kosovën si shtet të pavarur”, ka thënë Kurteshi tutje. 
Ndërsa i pyetur se nëse kjo formë e dialogut mund të sjellë humbjen e katër komunave veriore të Kosovës në këmbim vetëm të Preshevës, Kurteshi ka thënë se serbët e synojnë një gjë të tillë, por nuk duhet të lejohet të ndodhë pasi edhe faktori ndërkombëtar është kundër kësaj gjëje.

Rrahmani: Të unifikohemi për Luginën


Ndërkaq deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imet Rrahmani, e sheh si parësore bashkimin e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës me Kosovën, mirëpo shprehet pesimist lidhur me seriozitetin e institucioneve të Kosovës për këtë çështje. “Spektri politik shqiptar, jo vetëm në Kosovë, do të duhej ta kërkojë i unifikuar njohjen e të drejtës së shqiptarëve nga Kosova Lindore për bashkim me Kosovën. Unë thjesht nuk jam shumë i sigurt se e kemi seriozisht si shtet kur i referohemi kësaj problematike. Është e rëndë për popullatën shqiptare atje të ketë pritshmëri që do ta dëshirojnë atë edhe një herë”, ka theksuar ai.

Pas njohjes së pavarësisë me Serbinë të flitet për kufijtë

 

Ndërkohë hulumtuesja e KDI-së, Violeta Haxholli, e sheh raportin e serbëve të hartuar në Beograd si opsion të rrezikshëm për Kosovën, në të cilin Kosova rrezikon të humbë pjesën veriore të Mitrovicës pa marrë asgjë në shkëmbim. “Planet e Serbisë për Kosovën janë shumë të rrezikshme. Nëse pajtohemi për një plan të tillë që t’ia japim katër komunat veriore Serbisë, atëherë kjo në parim është me rrezik sepse diçka që i konvenon Serbisë pa dyshim që nuk na konvenon neve. Ka shumë gjëra të dyshimta lidhur me këto deklarata dhe me këto plane për shkëmbim të territoreve edhe nga ana e presidentit të Kosovës”, ka thënë ajo për “Zërin”.
Duke u nisur nga kjo, Haxholli ka thënë që deklaratat për shkëmbim të territoreve me Serbinë nga ana e krerëve shtetërorë po bëhen për t’i fshehur kompromiset tjera të rënda për Kosovën. “Kjo është më shumë për t’i mbuluar disa kompromise të reja, të cilat mund të jenë të lidhura me Asociacionin e Komunave Serbe dhe me formimin e këtij Asociacioni me pushtet ekzekutiv. Kjo mund të jetë pjesa finale e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse Kosova ndjek këto plane rrezikojmë që t’i humbim edhe komunat veriore, edhe të mos arrijmë të marrim as Luginën e Preshevës”, ka thënë Haxholli.
Ajo konsideron që me qëllim që të parandalohen situata të tilla duhet sa më parë të krijohet një qëndrim nacional në lidhje me dialogun me Serbinë, lidhur me atë se çka kërkon Kosova nga Serbia në marrëveshjen finale.
Ndërsa analisti politik Ramush Tahiri ka potencuar se nuk mund të flitet për çështjen e kufijve pa e njohur fillimisht Serbia Kosovën si shtet të pavarur. “Kosova duhet detyrimisht ta mbrojë integritetin territorial, duhet të pranohet së pari nga Serbia, pastaj të bisedohet për korrektim. Nuk mund të bisedohet për shkëmbim të territoreve pa e pasur kufirin dhe pa e njohur atë ndërkombëtarisht”, ka thënë Tahiri./ZËRI