Uran Ismaili e ‘izolon’ zëvendësministrin e gjobitur për barnatore pa licencë

Aktuale August 15, 2018 - 22:22

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Agim Çaka, ka paguar një gjobë prej 7 mijë eurosh pasi barnatorja e tij kishte punuar pa licencë në vitin 2014.

E për këtë çështje, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili i tha ekipit të KALLXO.com se nuk ka qenë i informuar se zëvendësministri i tij, Agim Çaka ka qenë i dënuar nga vetë ministria që e udhëheq.

Të martën, KALLXO.com raportoi se Agim Çaka është emëruar Zëvendës Ministër i Shëndetësisë pavarësisht se ai e ka një gjobë prej 7 mijë euro për shkak se kishte mbajtur një barnatore të palicencuar.

Çaka vjen nga NISMA ndërsa ministri Ismaili nga partneri më i madh në koalicionin qeveritar, PDK.

Të emëruarit politikë, Ismaili thotë se nuk i lë që të kenë ndikim politik në Ministrinë e Shëndetësisë, madje njërin nga zëvendësministrat i cili ishte dënuar për funksionim të biznesit pa licencë thotë se e ka izoluar.

“Jo nuk kam qenë i informuar për arsye se vendimi është politik d.m.th. nuk merret nga unë sepse zëvendësministri emërohet nga nivele më të larta. Dhe si e tillë nuk e kam njoftë zëvendësministrin më herët. Sa i përket bashkëpunimit mbetet të shihet sepse është shumë herët të flasim dhe do të mundohem të mos jap ndonjë paragjykim se si do të shkojë”, tha Ismaili.

Ministri tha se punën e barnatoreve apo rregullimin farmaceutik nuk do t’ia besojë të emëruarve politikë, por ekspertëve të cilët ka angazhuar për secilën lëmi.

“Punën e gjithë barnave ta quaj Rregullimit Farmaceutik më shumë ua besoj ekspertëve se sa të emëruarve politikë, prandaj konsideroj që gjërat që janë të rëndësishme duhet t’i bëjnë ekspertët, përgjegjësinë politike e marr unë. Mirëpo unë besoj më shumë në ekspertizë, për atë arsye kemi angazhuar edhe konsulentë të Bankës Botërore edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në revidimin e listës”, ka thënë ai.

Qytetarët duhet ta kuptojnë se emërimi i këtij zëvendësministri nuk është personale me emrin e personit por me të kaluarën e tij, theksoi ministri Ismaili.

Prandaj edhe shtoi se ndikimin e Agim Çakës në këtë ministri, tashmë e ka izoluar.

“Unë nuk e kam emëruar dhe si i tillë nuk mundem me kërku me e liru. Na duhet me folë aty ku fillon edhe mbaron mandati jonë. Çka është me rëndësi për opinionin publik është ajo që ju nuk e keni personale me emrin e personit, sa e keni personale me veprimtarinë nga vjen ai dhe mundësinë e ndikimit. E mundësinë e ndikimit unë e them se e kemi izoluar në aso forme që të mos ketë ndikim politik”, tha Ismaili.

I pyetur nga KALLXO.com, për punët me të cilat është ngarkuar zv/ministri Çaka, ministri Ismaili tha se zëvendësve të tij nuk ua ka ndarë punët komplet, por varësisht prej aftësisë së individëve në kryerjen e projekteve të caktuara.

“Paskeni pyetje për zëvendësministrin. Zakonisht unë portofolit nuk i ndaj komplet, por më shumë është me diskutim se çfarë mund të bëj ai këtë projekt apo atë projekt. Prandaj siç thashë mbetet të shihet bashkëpunimi”, përfundoi Ismaili.

Agim Çaka u emërua në postin e Zëvendës Ministrit të Ministrisë së Shëndetësisë më 27 korrik të vitit 2018.