KDI për dorëheqjet e prokurorëve: Shteti kapitulloi përballë krimit

Aktuale August 15, 2018 - 17:15
Lexo detajet

Hulumtuesi i KDI-së, Albert Krasniqi, dorëheqjen e prokurorëve e ka quajtur kapitullim i shtetit përballë krimit.

Ai në një shënim në Facebook ka ironizuar me organet qeveritare kur deklaronin se pagat po i rrisnin për prokurorët jo për vete.

“Qeveria thoshte se pagat nuk po i rriste për vete, por për gjyqtarët dhe prokurorët që të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar”, ka shkruar Krasniqi duke shtuar më tej se prokurorët po lënë “pagat e larta” për të shpëtuar kokën.

“Sot prokurorët po japin dorëheqje dhe po i lënë edhe pagat e larta, vetëm për të shpëtuar kokën prej kriminelëve që po i kërcënojnë”.

Hulumtuesi i lartë i KDI-së ka thënë se sistemi i drejtësisë është i pafuqishëm të mbrojë vetën lëre më qytetarët.

Krasniqi ka akuzuar qeverinë për rritje të klientelizmit.

“Qeveria shpenzon para të buxhetit të shtetit me të vetmin qëllim – rritjen e klientelizmit”, duke e konsideruar këtë si kapitullim i shtetit përballë krimit.

“Kjo nuk mund të quhet ndryshe përveçse kapitullim i shtetit përballë krimit”, ka përfunduar shënimin e tij hulumtuesi i KDI-së, Albert Krasniqi.