Delawie: E mbeshtetëm prokurorin Blakaj për të kryer studimet master

Aktuale August 15, 2018 - 17:03
Lexo detajet

Për dorëheqjen e prokurorit special, Elez Blakaj, i cili po hetonte listat e veteranëve të UÇK-së, ka reaguar edhe Ambasada amerikane në Prishtinë. Ambasadori amerikan, Greg Delawie, thotë se është e dhimbshme që një nga prokurorët e vendit detyrohet të japë dorëheqje për shkak të kërcënimeve.

Ambasada Amerikane e konsideron dështim të drejtësisë, dorëheqjen e Prokurorit që hetonte mashtrimet në listat e veteranëve.

“Është dekurajuese të dëgjosh lajmet e dorëheqjes të Prokurorit Special, Elez Blakaj, sidomos për shkak që ai po punonte në çështje të rëndësishme siç është hetimi i listave mashtruese të veteranëve”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Në reagimin e amerikanëve thuhet se prokurori i tërhequr nga detyra e tij, kishte përkrahjen e Qeverisë Amerikane.

“Ai kishte përkrahjen e Qeverisë amerikane të kryente studimet për master në fushën e drejtësisë dhe hulumtoi raste të rëndësishme në Kosovë. Kosova duhet të dëshmojë përpjekjen e vet në sistemin e drejtësisë, jo vetëm duke i përkrahur prokurorët, por edhe t’i mbrojë të gjithë ata që duan të shërbejnë në detyrën e tyre”.