''Në këtë fazë nuk mund të ketë korrigjim të kufijve Kosovë-Serbi''

Aktuale August 15, 2018 - 14:20
Mësojeni se kush thotë kështu

Njohësi i çështjeve politike, Azem Vllasi, ka thënë se në vend që të qartësohet faza finale e dialogut, me deklaratat e fundit është krijuar mjegull e paqartësi edhe më shumë.

Vllasi ka theksuar se nuk mund të ketë shkëmbim të territoreve dhe se kjo temë është e rrezikshme.

“Është krijuar një mjegull totale lidhur me këtë fazën finale të dialogut. Procesi i shpërbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë ka ndodhur për shkak të territoreve dhe kufijve. Shkëmbim ose korrigjim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë në këtë fazë nuk mund të ketë, dhe kjo temë rreth kufijve është e panevojshme, e dëmshme dhe e rrezikshme”, ka thënë Vllasi për Telegrafin.

Ai ka theksuar se këta kufij janë edhe me Rezolutën 1244, me Planin e Ahtisaarit dhe po me këta kufij është shpallur edhe pavarësia.

“Serbia duhet ta njeh Kosovën në kufijtë e tanishëm dhe pastaj duhet të bëhet korrigjimi i kufijve, siç është rasti me demarkacionin me Malin e Zi”, u shpreh Vllasi.

Njohësi i çështjeve politike, Azem Vllasi më tej ka theksuar se kësaj pune nuk bënë t’i hyjmë pasi që sipas tij kjo është një rrugë qorre.

“Mes Kosovës dhe Serbisë në këtë fazë të shtrohet çështja e kufirit apo e këmbimit të territoreve nuk vjen në konsiderim sepse do të hymë në telashe edhe më të mëdha”, tha Vllasi.

Ai ka theksuar më tej se Trepça dhe Ujmani janë jetike për Kosovën dhe kjo mund ta destabilizonte situatën.