Kamberi: Lugina e Preshevës të trajtohet si tërësi

Aktuale August 15, 2018 - 13:21
Lexo detajet

Kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi, ka thënë në një bisedë për Radio Kosovën se Lugina e Preshevës duhet të trajtohet si një dhe e pa ndarë. Reagimi i tij vjen pas publikimit të një raporti të përkrahur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Beograd, ku propozohet që Kosova të marrë vetëm Preshevën, ndërsa Serbia tri komunat veriore të Kosovës.

Raporti i hartuar nga gjashtë ekspertë serbë dhe i përkrahur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Beograd, nuk i parasheh edhe Bujanocin dhe Medvegjën si pjesë të shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo shihet me shqetësim nga kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi, i cili në një bisedë për Radio Kosovën tha se raporti është i sponsorizuar nga shteti serb ngase njëri nga anëtarët e fondacionit në fjalë është i afërt me presidentin Aleksandër Vuçiq. Kamberi shpreh bindjen se autoritetet në Prishtinë në asnjë rrethanë nuk do ta pranojnë një skenar të tillë.

LEXO EDHE: Serwer: SHBA do t’i thotë jo ndryshimit të kufijve

“Është një dokument, përmes të cilit Serbia në mënyrë joformale mat pulsin e opinionit, porse është një opsion i cili në start duhet të refuzohet”, tha Kamberi për Radio Kosovën.

Ky qëndrim, sipas Kamberit, është qëndrim i të gjithë përfaqësuesve të Luginës së Preshevës, ndërsa paralajmëron rrezik nëse trajtohet si e ndarë.

“Lugina e Preshevës duhet të trajtohet si tërësi. Në gjithë deklarimet e kryetarëve të partive, apo përfaqësuesve të institucioneve e kemi këtë qëndrim, dhe normalisht se çfarëdo opsioni tjetër do të sjellë katastrofa”, tha Kamberi.

Kryetari i Bujanocit ka besim te ato që i ka thënë presidenti Hashim Thaçi, se Lugina e Preshevës do të trajtohet si një dhe e pandashme. Ai megjithatë thotë se Lugina e Preshevës nuk përzihet në opsionet që i ofron Kosova në këtë rast, ngase janë institucionet e Kosovës ato që marrin vendime.

LEXO EDHE: Këto janë përfitimet e Serbisë me shkëmbimin e territoreve

“Ne nuk ofrojmë opsion, jepeni këtë, merreni Luginën, por ne kërkojmë që në dialog të Brukselit, çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të shtrohet në një formë. Opsioni i shkëmbimit është një nga format në të cilat mund të shtrohet kjo çështje”, thotë Kamberi.

I pyetur për deklarimin e fundit të kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila shprehet kundër ndryshimit të kufijve, Kamberi tha se këto opsione që përmenden mund të çojnë në definimin përfundimtar të raporteve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, andaj bashkësia ndërkombëtare është vendimmarrëse. Por, tha se duhet pritur edhe qëndrimi i SHBA-së.

“Ajo që mbetet të pritet është reagimi i SHBA-së, të cilin aktualisht nuk e kemi dhe do të shihet kjo. Por, unë besoj se presidenti Thaçi nuk e ka e ka hedh në tavolinë një opsion krye në vete pa konsultim me miqtë ndërkombëtarë”, tha Kamberi në bisedën për Radio Kosovën.

Gazeta “Zëri” ka publikuar raportin me titull “Efektet ekonomike, demografike e sociale dhe skenarët e ndryshëm për normalizimin e raporteve midis Beogradit dhe Prishtinës”, i botuar në prill të vitit 2018 dhe i përkrahur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Beograd. Aty thuhet se Serbia dhe Kosova mund të arrijnë marrëveshje për shkëmbimin e territoreve, ku Kosova mund ta marrë vetëm komunën e Preshevës, pa Bujanocin dhe Medvegjën, përderisa katër komunat veriore, Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku dhe Mitrovica Veriore, do t’i bashkohen Serbisë.