Lumezi reagon pas dorëheqjes së prokurorit special Elez Blakaj

Aktuale August 15, 2018 - 13:07
Lexo detajet

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi përmes një deklarate për media ka reaguar ndaj dorëheqjes së prokurorit special Elez Blakaj dhe ndaj raportimeve të mediave se kjo dorëheqje ka ardhur si pasojë e kërcënimeve ndaj tij, raporton “Zëri.info”.

Sipas Lumezit deri më tani zyrtarisht është pranuar vetëm letra e dorëheqjes dhe jo edhe arsyeja e dorëheqjes së tij.

Tutje në këtë deklaratë është konfirmuar një rast i kanosjes për komisionin e përzgjedhjes për statusin e listës së veteranëve por se ky rast nga Blakaj nuk është cilësuar si kërcënim ndaj tij.

LEXO EDHE: Kryeprokurori Lumezi flet për dorëheqjen e prokurorit Blakaj

Ja deklarata e plotë:

DEKLARATË PËR MEDIA

Prishtinë, 15 gusht 2018 - Kryeprokurori i Shtetit informon opinionin në lidhje me shkrimet e sotme në pothuajse të gjitha mediat dhe portalet për dorëheqjen e prokurorit të PSRK-së, z. Elez Blakaj.

Kryeprokurori i Shtetit zyrtarisht asnjëherë nuk është informuar me shkrim nga prokurori Blakaj se ka pasur ndonjë kërcënim në lidhje me punën e tij. Zyrtarisht, deri më sot ne kemi pranuar vetëm dorëheqjen e tij, të cilën e ka drejtuar te Kryeprokurori i PSRK-së, z. Reshat Millaku.

Sidoqoftë, dëshirojmë të informojmë opinionin se prokurori Blakaj, përderisa ishte duke hetuar rastin e njohur në opinion si “Lista e veteranëve të UÇK-së”, kishte marrë informacione se Komisioni i Mjekëve në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ishte duke u marrë me përcaktimin e statusit të invalidëve të luftës dhe se gjatë punës së këtij komisioni ka pasur kanosje, për të cilën edhe është hapur rasti si i tillë në Policinë e Kosovës.

Kërkesa e prokurorit Blakaj është shqyrtuar dhe Policia e Kosovës ka vendosur të shtojë patrullimet në vendin ku komisioni po punonte si dhe në vendosjen e kontakteve të kohëpaskohshme në mënyrë që procesi të vazhdojë sipas planifikimit. Megjithatë, prokurori Blakaj nuk ka raportuar për këtë rast se ka ndonjë kërcënim ndaj tij.

Po ashtu, Kryeprokurori i Shtetit ka informacione se prokurori Blakaj në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook” ka pranuar një mesazh kërcënues me fjalët: “Dënoi kriminelët, e jo hoxhallarët”, kurse më pas prokurori Blakaj e ka raportuar në polici, ku ka deklaruar se veten nuk e ndien të kërcënuar, por është i brengosur rreth familjes së tij, sidomos për fëmijët dhe ka kërkuar përcjelljen nga njësitet policore të fëmijëve të tij gjatë vajtje-ardhjes në shtëpi – shkollë.

Policia e Kosovës ka shqyrtuar kërkesën e prokurorit Blakaj dhe të nesërmen ka filluar me ofrimin e përcjelljes së fëmijëve të prokurorit Blakaj. Edhe në këtë rast, policia ka hapur rast hetimi ndaj kërcënuesit të prokurorit Blakaj.

Po ashtu, Kryeprokurori i Shtetit sqaron se sipas Ligjit nr. 03/L- 225, nenin 22, parashihet se “Prokurorët kanë të drejtë që nga Këshilli Prokurorial i Kosovës të kërkojnë masa të veçanta mbrojtëse për veten dhe për familjet e tyre atëherë kur kërcënimi për jetën e tij\saj apo të një anëtari\je të familjes vjen si rezultat i ushtrimit të funksionit të tyre prokurorial apo buron nga ai”.

Këto janë të gjitha informacionet zyrtare që ka Kryeprokurori i Shtetit lidhur me rastin në fjalë dhe sapo të kemi ndonjë informatë tjetër nga prokurori Blakaj, Kryeprokurori i Shtetit do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore konform mandatit dhe obligimeve ligjore. Ndërsa, për rastet – lëndët që ka pasur në punë prokurori Blakaj është kërkuar që të ndahen te prokurorët e tjerë në kuadër të PSRK-së dhe asnjë zbrazësi nuk do të lejohet në hetimin e plotë dhe të pavarur të secilit rast, pra edhe të rasteve në fjalë. /ZERI