Këto janë përfitimet e Serbisë me shkëmbimin e territoreve

Aktuale August 15, 2018 - 12:13
Lexoni më shumë detaje

Serbia dhe Kosova mund të arrijnë marrëveshje për shkëmbimin e territoreve, ku Kosova mund ta marrë vetëm komunën e Preshevës, pa Bujanocin dhe pa Medvegjën, përderisa katër komunat veriore (Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku dhe Mitrovica Veriore) do t’i bashkëngjiteshin shtetit fqinj.

Kështu thuhet në një raport të hartuar nga gjashtë ekspertë serbë, raport të cilin ka arritur ta siguroj Gazeta “Zëri”.

LEXO EDHE: Raporti për shkëmbimin e territoreve

Në këtë raport të siguruar nga “Zëri”, paraqiten skenarët për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu në raportin 90 faqesh i përgatitur nga autorët: Miladin Kovaçeviq, Dushan Gavrlioviq, Dragan Popoviq, Milena B. Stevoviq, Liljana Sekuliq dhe Katarina Stançiq, të cilin e posedon “Zëri”, në mënyrë të detajuar flitet edhe për përfitimet që do ti ketë Serbia.

LEXO EDHE: Serbia në vitin 2060 mund t’i ketë vetëm 3.9 milionë banorë

Sipas autorëve serbë subjekt i shkëmbimit mund të jenë katër komunat veriore të Kosovës: Zveçani, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Mitrovica Veriore.

“Komunat e lartpërmendura de facto janë të integruara në sistemin ekonomik të Republikës së Serbisë dhe operacionalizimi i këtij skenari është pa turbulenca të theksuara shoqërore, etnike dhe në vetëqeverisje lokale”, thuhet ndër të tjera në raport.

Katër komunat veriore sipas raportit kanë mbi 42 mijë banorë, ku Zveçani i ka 10974 banorë, Zubin Potoku 6079 banorë, Mitrovica Veriore 11963 banorë dhe Leposaviqi 13005 banorë.

LEXO EDHE: “Vetëm Presheva mund të shkëmbehet”

Sipas autorëve serbë, katër komunat veriore të Kosovës kanë rreth 40% më shumë banorë se komuna e Preshevës dhe kanë 1000 kilometra katrorë më shumë sipërfaqe tokësore.

“Diferenca prej 12 mijë banorëve mund të vlerësohet si ‘fitim’ demografik për Republikën e Serbisë në skenarin për ndërrimin e territoreve. Gjithashtu me këtë rast Serbia fiton edhe 1000 km² sipërfaqe tokësore”.

Kur bëhet fjalë për efektet ekonomike, skenari i ndërrimit të territoreve, përkatësisht të katër komunave veriore me Preshevën, përbën një fitim vjetor prej 90 milionë eurosh për Serbinë.

Nëse merret kjo në një perspektivë më afatgjate, përkatësisht për 30 vjet, kjo do të paraqiste një fitim prej 2.7 miliardë eurosh për palën serbe.

Nëse i shtohet edhe rritja minimale e GDP-së prej 3% për këtë territor, fitimi potencial i akumuluar do të arrijë në 3.8 miliardë euro. /ZËRI/