Serbia në vitin 2060 mund t’i ketë vetëm 3.9 milionë banorë

Aktuale August 15, 2018 - 09:34
Lexoni më shumë detaje

Gazeta Zëri ka arritur ta sigurojë një raport të hartuar nga gjashtë ekspertë serbë dhe të përkrahur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Beograd, në të cilin paraqiten skenarët për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky raport në mënyrë të detajuar flet për efektet ekonomike, demografike e sociale dhe për ide të ndryshme për normalizimin e raporteve në mes të dyja vendeve.

Propozohet që Kosova ta marrë vetëm Preshevën, ndërsa Serbia katër komunat veriore të vendit, me ç’rast përmenden përfitimet nga ky skenar prej 2.7 miliardë eurosh për shtetin fqinj.

Raporti prej 90 faqesh i përgatitur nga autorët: Miladin Kovaçeviq, Dushan Gavrlioviq, Dragan Popoviq, Milena B. Stevoviq, Liljana Sekuliq dhe Katarina Stançiq, të cilin e posedon Zëri, i shtjellon në mënyrë të detajuar dy skenarë për normalizimin e marrëdhënieve: normalizimi i raporteve midis Beogradit dhe Prishtinës, ku përfshihen edhe skenari për shkëmbimin e territoreve, edhe skenari pa shkëmbim të territoreve, por me zbatim të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe skenari i Status Quo-s, i cili nënkupton mosnormalizimin e raporteve në mes të dyja vendeve.

Sipas këtyre autorëve, Serbia në procesin e integrimeve evropiane ndodhet në udhëkryqin që duhet ta definojë angazhimin e saj të ardhshëm në adresimin e çështjes së normalizimit të raporteve me Kosovën.

LEXO EDHE: Raporti për shkëmbimin e territoreve

Në këtë dokument prej 90 faqesh paraqiten fillimisht pasojat demografike, sociale e ekonomike dhe dy skenarët e mundshëm për zgjidhjen e këtij problemi.

Gjashtë autorët serbë druajnë se Serbia edhe një kohë të gjatë do të përballet me vazhdimin e procesit të shpopullimit, ku nga mbi 7 milionë banorë sa ka aktualisht në vitin 2060 ky shtet sipas variablës konstante mund të bjerë në 3.9 milionë banorë, ose sipas variablës së fertilitetit të lartë do t’i ketë mbi 5.8 milionë banorë.

Edhe sipas variablës së fertilitetit të lartë pas katër dekadave e gjysmë Serbia do të ketë gati 1.5 milion banorë më pak dhe njëkohësisht do të ketë zvogëlim të fuqisë punëtore për mbi 26 për qind.

Ky skenar korrespondon me skenarin e Status Quo-s, në të cilin marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës nuk do të normalizohen.

“Duke supozuar se negociatat midis Serbisë dhe Bashkimit Evropian për anëtarësim do të jenë të pasuksesshme, do të përcillet me zvogëlimin e numrit të banorëve dhe përjashton situatën e favorshme demografike dhe ekonomike”, thuhet mes tjerash në raportin të cilin e ka siguruar gazeta Zëri.