Raporti për shkëmbimin e territoreve

Aktuale August 15, 2018 - 07:43
EKSKLUZIVE

Gazeta “Zëri” ka arritur ta sigurojë një raport të hartuar nga gjashtë ekspertë serbë dhe të përkrahur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Beograd, në të cilin paraqiten skenarët për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky raport në mënyrë të detajuar flet për efektet ekonomike, demografike e sociale dhe për ide të ndryshme për normalizimin e raporteve në mes të dyja vendeve. Propozohet që Kosova ta marrë vetëm Preshevën, ndërsa Serbia katër komunat veriore të vendit, me ç’rast përmenden përfitimet nga ky skenar prej 2.7 miliardë eurosh për shtetin fqinj

Serbia dhe Kosova mund të arrijnë marrëveshje për shkëmbimin e territoreve, ku Kosova mund ta marrë vetëm komunën e Preshevës, pa Bujanocin dhe pa Medvegjën, përderisa katër komunat veriore (Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku dhe Mitrovica Veriore) do t’i bashkëngjiteshin shtetit fqinj.

Kështu rekomandojnë gjashtë ekspertë serbë nëpërmjet një raporti me titull: “Efektet ekonomike, demografike e sociale dhe skenarët e ndryshëm për normalizimin e raporteve midis Beogradit dhe Prishtinës”, i botuar në prill të vitit 2018 dhe i përkrahur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Beograd, të cilin ka arritur ta sigurojë gazeta Zëri.

Raporti prej 90 faqesh i përgatitur nga autorët: Miladin Kovaçeviq, Dushan Gavrlioviq, Dragan Popoviq, Milena B. Stevoviq, Liljana Sekuliq dhe Katarina Stançiq, të cilin e posedon Zëri, i shtjellon në mënyrë të detajuar dy skenarë për normalizimin e marrëdhënieve: normalizimi i raporteve midis Beogradit dhe Prishtinës, ku përfshihen edhe skenari për shkëmbimin e territoreve, edhe skenari pa shkëmbim të territoreve, por me zbatim të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe skenari i Status Quo-s, i cili nënkupton mosnormalizimin e raporteve në mes të dyja vendeve.

Ditë më parë politikanët shqiptarë në Luginë të Preshevës kanë alarmuar se presidenti Hashim Thaçi, i cili po flet haptas për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës, nuk guxon të arrijë marrëveshje parciale për Luginën, e cila nënkupton mundësinë që Presheva t’i bashkëngjitet Kosovës ashtu siç rekomandon raporti, ndërsa Bujanoci dhe Medvegja t’i mbeten Serbisë, pasi që, sipas tij, kjo do të shkaktonte tragjedi humanitare.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, dhe zëvendëskryeministri, Ivica Daçiq, po flasin hapur për zgjidhjen e çështjes së kufijve mes shqiptarëve dhe serbëve.

Mirëpo ka qenë kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila gjatë një takimi ditë më parë me kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq, ka deklaruar se nuk ka ndryshim të kufijve në Ballkan.

Serbia në vitin 2060 mund t’i ketë vetëm 3.9 milionë banorë

Sipas këtyre autorëve, Serbia në procesin e integrimeve evropiane ndodhet në udhëkryqin që duhet ta definojë angazhimin e saj të ardhshëm në adresimin e çështjes së normalizimit të raporteve me Kosovën.

Në këtë dokument prej 90 faqesh paraqiten fillimisht pasojat demografike, sociale e ekonomike dhe dy skenarët e mundshëm për zgjidhjen e këtij problemi.

Gjashtë autorët serbë druajnë se Serbia edhe një kohë të gjatë do të përballet me vazhdimin e procesit të shpopullimit, ku nga mbi 7 milionë banorë sa ka aktualisht në vitin 2060 ky shtet sipas variablës konstante mund të bjerë në 3.9 milionë banorë, ose sipas variablës së fertilitetit të lartë do t’i ketë mbi 5.8 milionë banorë.

Edhe sipas variablës së fertilitetit të lartë pas katër dekadave e gjysmë Serbia do të ketë gati 1.5 milion banorë më pak dhe njëkohësisht do të ketë zvogëlim të fuqisë punëtore për mbi 26 për qind.

Ky skenar korrespondon me skenarin e Status Quo-s, në të cilin marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës nuk do të normalizohen.

“Duke supozuar se negociatat midis Serbisë dhe Bashkimit Evropian për anëtarësim do të jenë të pasuksesshme, do të përcillet me zvogëlimin e numrit të banorëve dhe përjashton situatën e favorshme demografike dhe ekonomike”, thuhet mes tjerash në raport.

 “Vetëm Presheva mund të shkëmbehet”

Te skenari i normalizimit të marrëdhënieve nëpërmjet ndërrimit të territoreve, për Republikën e Serbisë autorët vlerësojnë se subjekt i shkëmbimit mund të jenë vetëm tri komuna: Presheva, Medvegja dhe Bujanoci.

Duke u bazuar në disa statistika të regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, të cilin në atë kohë shqiptarët e Luginës së Preshevës e kishin bojkotuar, autorët vlerësojnë se Presheva i ka 29600 banorë, Bujanoci 38300 banorë, ndërsa Medvegja 7400 banorë.

Sipas këtyre statistikave, në Bujanoc jetojnë 20452 shqiptarë, përkatësisht 53,4% dhe 12982 serbë e 4576 romë.

Në Preshevë, sipas këtij raporti, jetojnë 26955 shqiptarë, përkatësisht 91% e numrit të përgjithshëm të qytetarëve, 2294 serbë dhe 271 romë. 

Në raport thuhet se në Medvegjë jetojnë vetëm 531 shqiptarë (7,1%), 6429 serbë dhe 145 romë.

Autorët serbë në raportin e përkrahur nga fondacioni i George Sorosit vlerësojnë se përfshirja e Medvegjës në ndërrim të territoreve me vetëm 7,1% të qytetarëve shqiptarë është zgjidhje e paqëndrueshme.

Ndonëse sipas raportit komuna e Bujanocit ka rreth 54 për qind të qytetarëve shqiptarë, ata vlerësojnë se me gati gjysmën e popullsisë joshqiptare edhe shkëmbimi i komunës së Bujanocit “në aspekt afatgjatë mund të jetë një zgjidhje e paqëndrueshme dhe një vatër për rrezik politik dhe të sigurisë në të ardhmen”.

E vetmja komunë sipas këtyre autorëve që i plotëson kushtet për shkëmbim të territoreve, duke marrë parasysh pozitën gjeografike dhe strukturën demografike, është komuna e Preshevës me 91% të popullatës shqiptare.

Serbia fiton 2.7 miliardë euro dhe 1000 kilometra katrorë më shumë sipërfaqe tokësore

Në anën tjetër, sipas autorëve serbë subjekt i shkëmbimit mund të jenë katër komunat veriore të Kosovës: Zveçani, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Mitrovica Veriore.

“Komunat e lartpërmendura de facto janë të integruara në sistemin ekonomik të Republikës së Serbisë dhe operacionalizimi i këtij skenari është pa turbulenca të theksuara shoqërore, etnike dhe në vetëqeverisje lokale”, thuhet ndër të tjera në raport.

Katër komunat veriore sipas raportit kanë mbi 42 mijë banorë, ku Zveçani i ka 10974 banorë, Zubin Potoku 6079 banorë, Mitrovica Veriore 11963 banorë dhe Leposaviqi 13005 banorë.

Sipas autorëve serbë, katër komunat veriore të Kosovës kanë rreth 40% më shumë banorë se komuna e Preshevës dhe kanë 1000 kilometra katrorë më shumë sipërfaqe tokësore.
“Diferenca prej 12 mijë banorëve mund të vlerësohet si ‘fitim’ demografik për Republikën e Serbisë në skenarin për ndërrimin e territoreve. Gjithashtu me këtë rast Serbia fiton edhe 1000 km² sipërfaqe tokësore”.

Kur bëhet fjalë për efektet ekonomike, skenari i ndërrimit të territoreve, përkatësisht të katër komunave veriore me Preshevën, përbën një fitim vjetor prej 90 milionë eurosh për Serbinë.

Nëse merret kjo në një perspektivë më afatgjate, përkatësisht për 30 vjet, kjo do të paraqiste një fitim prej 2.7 miliardë eurosh për palën serbe. Nëse i shtohet edhe rritja minimale e GDP-së prej 3% për këtë territor, fitimi potencial i akumuluar do të arrijë në 3.8 miliardë euro.

Skenari i normalizimit pa ndërrimin e territoreve

Marrëveshja e parë mbi parimet e normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës do të mundësonte themelimin e Komunave me Shumicë Serbe me një formë të autonomisë lokale dhe vetëqeverisjes brenda Kosovës, me autonomi dhe me mbikëqyrje në fushën e zhvillimit ekonomik, të arsimit, të shëndetësisë, të urbanizmit dhe të zhvillimit rural.

Sipas autorëve serbë, kjo marrëveshje nënkupton heqjen e strukturave të sigurisë dhe të institucioneve gjyqësore të Republikës së Serbisë në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Autoritetet gjyqësore në komunat me shumicë serbe do të integroheshin dhe do të funksionalizoheshin në kuadër të sistemit të drejtësisë së Kosovës.

Në rastin e skenarit pa shkëmbim të territoreve dhe me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, komunat e veriut të Kosovës, sipas raportit, do të mbeten jashtë sistemit ekonomik të Republikës së Serbisë dhe në këtë aspekt efekti në rritjen e prodhimit të brendshëm bruto të Republikës së Serbisë do të jetë neutral.

Skenari i Status Quo-s, pesimist për Serbinë

Skenari i Status Quo-s supozon se marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit nuk do të normalizohen dhe si pasojë e kësaj ekspertët serbë vlerësojnë se Republika e Serbisë nuk do të jetë në gjendje ta përmbyllë Kapitullin 35 me BE-në, ku flitet për normalizim të raporteve me Kosovën.

“Ky skenar supozon se marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës nuk do të normalizohen. Si pasojë Republika e Serbisë nuk do të jetë në gjendje të mbyllë Kapitullin e Bisedimeve 35, prandaj mund të pritet që bisedimet e Serbisë me Bashkimin Evropian do të jenë të pasuksesshme. Duke pasur parasysh këtë, ne mund ta vëzhgojmë këtë skenar si një variant ‘pesimist’, i cili nënkupton tendencat e ndjeshme socio-demografike dhe ekonomike”.

Përfitimet dhe humbjet

Në përfundim të raportit gjashtë autorët serbë vlerësojnë se skenari i normalizimit të marrëdhënieve në të dyja variantet e tij, me shkëmbimin e territoreve dhe pa të, do të mundësonte shumë më pak humbje demografike dhe ekonomike për Serbinë sesa skenari i mosnormalizimit të raporteve.

Komunat e reja të Kosovës të riintegruara në sistemin ekonomik të Serbisë do të mundësonin rritje adekuate të GDP-së për 90 milionë euro në vit, përkatësisht 2.7 miliardë euro për një periudhë 30-vjeçare.

Edhe me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit pa shkëmbim të territoreve do të kishte efekte pozitive në GDP, derisa e kundërta do të ndodhë me skenarin e Status Quo-s.

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image