Kurti: Hasan Prishtina nuk e deshi çlirimin për t’u bërë pasanik, ai i shiti pronat e veta për të çliruar vendin

Aktuale August 14, 2018 - 21:31
Lexoni më shumë detaje

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, ka përkujtuat Hasan Prishtinën në 85-vjetorin e vdekjes së tij, transmeton “Zeri.info”.

Përmes këtij shkrimi, Kurti ka treguar edhe një pjesë të historisë së Hasan Prishtinës.

Kurti në këtë shkrim të tij, po ashtu ka thënë se Hasan Prishtina është figura kyçe në ndërtimin e vetëdijes kombëtare që trashëgon populli ynë, përcjell “Zeri.info”.

Sipas Kurtit, Hasan Prishtina nuk e deshi çlirimin për t’u bërë pasanik, ai i shiti pronat e veta për të çliruar vendin.

“Hasan Prishtina është figura kyçe në ndërtimin e vetëdijes kombëtare që trashëgon populli ynë. Intelektual e luftëtar, politikan e kryengritës, ai e shkriu pasurinë e vet për t’i dhënë popullit armë e shkollë, që të fitohej çlirimi e bashkimi, liria e pavarësia. Ai nuk e deshi çlirimin për t’u bërë pasanik, ai i shiti pronat e veta për të çliruar vendin”, ka shkruar Kurti ndër të tjerash.

Postimi i plotë i Kurtit pa ndërhyrje:

Sot përkujtojmë një ndër figurat kryesore e më të larta të Lëvizjes sonë kombëtare, Hasan Prishtinën, në 85 vjetorin e vdekjes së tij.

Ai ishte një student i shkëlqyer, fillimisht në gjimnazin francez të Selanikut, më pas në shkollën e lartë në Stamboll.

Ai ishte deputet i Kosovës në Parlamentin Osman, ku u shqua si kundërshtues i zëshëm i politikave represive të perandorisë ndaj shqiptarëve.

Ishte anëtar i angazhuar e i shquar i shoqërisë patriotike “Bashkimi” në Stamboll, prej nga kërkuan bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm dhe autonomi të zgjeruar. Kur këto kërkesa nuk u pranuan prej qeverisë otomane, në janar 1912 ai bashkë me Ismail Qemalin, Nexhip Dragën, Myfit Libohovën etj. u përcaktuan për kryengritje të armatosur kundër Turqisë.

Ai e shiti një pjesë të madhe të pronave të veta për të financuar kryengritjen e armatosjen e shqiptarëve dhe shkollimin e të rinjve.

Prej majit e deri në gusht 1912, Hasan Prishtina bashkë me tribunët popullorë të disa krahinave, Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi, Ahmet Delia, Mehmet Deralla, Zejnullah Vuçitërna etj. çliruan dhe pavarësuan prej administratës otomane shumicën e fshatrave e qyteteve të Kosovës, e në 12 gusht 1912 edhe kryeqytetin, Shkupin.

Por fuqitë e mëdha ndërhynë për ta ruajtur perandorinë prej shqiptarëve, e disa muaj më vonë trojet u pushtuan nga aleanca e grekëve, serbëve, bullgarëve e malazezëve. Në tetor të 1912 Hasan Prishtina u arrestua prej serbëve që pushtuan Kosovën, andaj më 28 nëntor ai nuk mundi të ishte përkrah Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë, sepse ishte në burgun e Kalemegdanit në Beograd.

Në 1913 qeveritë e Austro-Hungarisë, Italisë dhe Britanisë i dhanë ultimatum Serbisë për lirimin e tij. Menjëherë ai u bë ministër i brendshëm i qeverisë së Ismail Qemalit, e më vonë edhe i qeverisë së Turhan Përmetit në kohën e princit Ëied.

Gjatë Luftës së Parë botërore ai u kthye në Kosovë për të organizuar popullin në luftë, por edhe për të financuar hapjen e shkollave shqipe. Në 1917 u arrestua nga bullgarët në Shkup, por më vonë u arratis prej burgut. Gjatë Luftës së Parë u dekorua si oficer i lartë nga ushtria Austro-Hungareze.

Në 1918, në Shkodër, ai u bë një nga themeluesit e Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, si dhe delegat i këtij Komiteti në Konferencën e Paqes në Paris, ku i shkroi kërkesë për vetëvendosje presidentit amerikan Ëilson.

Pas hapjes së Shkollës Normale të Elbasanit, ai ua pagoi shpenzimet e studimeve 20 studentëve nga Kosova, gjë për të cilën mori falënderime të veçanta nga drejtori i shkollës, Luigj Gurakuqi.

Gjatë viteve ’20-ta ai ishte një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjës, më pas deputet në Kuvendin e Shqipërisë, e për një kohë të shkurtër kryeministër i Shqipërisë.

Si bashkëpunëtor i të majtës kombëtare, bashkë me Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, Fan Nolin etj. ai u përndoq e u largua nga Shqipëria pas rikthimit të Zogut në pushtet.

Në mërgatë ai vazhdoi angazhimin me Komitetin për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, luftën për bashkim kombëtar por edhe luftën për demokratizim e të drejta shoqërore në Shqipëri.

Ishte Hasan Prishtina ai që mbajti fjalim në ceremoninë e varrimit të Luigj Gurakuqit në Bari të Italisë, dhe pak kohë më vonë, edhe vetë u eleminua nga një atentat i porositur prej të njëjtit porositës. E vranë në qytetin ku kishte kryer studimet e mesme, në Selanik të Greqisë. Ishte atentati i katërt që kryenin ndaj tij

Hasan Prishtina është figura kyçe në ndërtimin e vetëdijes kombëtare që trashëgon populli ynë. Intelektual e luftëtar, politikan e kryengritës, ai e shkriu pasurinë e vet për t’i dhënë popullit armë e shkollë, që të fitohej çlirimi e bashkimi, liria e pavarësia. Ai nuk e deshi çlirimin për t’u bërë pasanik, ai i shiti pronat e veta për të çliruar vendin.

I dekoruar si hero e nder i Shqipërisë, ai e ka vendin e respektin në zemrat e mendjet tona, dhe në panteonin kombëtar. Ideali i tij ende bën dritë të fortë.

Image