Bahtiri fton liderët shtetërorë në tryezë për dialogun me Serbinë

Aktuale August 14, 2018 - 18:05
Ja kur pritet të mbahet kjo tryezë

 

Kreu i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, u ka bërë thirrje publike krerëve institucionalë dhe partiakë që të marrin pjesë në një tryezë të përbashkët ku temë kryesore do të jetë dialogu me Serbinë, raporton “Zeri.info”.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, Bahtiri ka thënë se kjo tryezë do të mbahet më 23 gusht me fillim nga ora 11:00 në ambientet e ndërtesës së komunës së Mitrovicës.

Sipas tij, arsyeja kryesore mbajtjes së kësaj tryeze është për shkak se në këtë proces lidhet ngushtë edhe qyteti i Mitrovicës, përcjell më tutje “Zeri.info”.

Postimi i plotë i Bahtirit pa ndërhyrje:

Të nderuar liderë të institucioneve shtetërore dhe të partive politike,

Ditët që po i kalojmë nën ombrellën e temës së dialogut me Serbinë, nëntemat që do të fliten dhe procesi që do të zhvillohet, neve si klasë politike na obligon të jemi të përgatitur plotësisht.

Duke pasur parasysh se qyteti i Mitrovicës lidhet ngusht me këtë proces, unë si Kryetar i Komunës i bëj thirrje publike të gjithë krerëve partiakë që përfaqesohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës të marrin pjesë në një tryezë të përbashkët me datën 23.08.2018 në ora 11:00 në ambientet e Komunës së Mitrovicës, e që si temë kryesore do të jetë Dialogu me Serbinë.

Unë besoj shumë që secili prej jush është i angazhuar politikisht për zgjidhjen më të mirë të kësaj sfide dhe për atë arsye jam i bindur që do t'i përgjigjeni pozitivisht ftesës sime.

Me respekt,

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri