Thaçi reagon pas deklaratës së Merkelit për mosndryshim të kufijve

Aktuale August 14, 2018 - 16:00
Lexoni më shumë detaje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka përshëndetur deklaratën e djeshme të kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, kundër ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor.

Në një koment në Twitter, Thaçi megjithatë ka kërkuar nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian që t’i bindin pesë vendet mosnjohëse si dhe Serbinë që ta njohin Kosovën.

“E përshëndes deklaratën e Kancelares Angela Merkel rreth pacenueshmërisë së kufijve në Ballkanin Perëndimor. Krejt çka mbetet të bëhet është që shumica e vendeve të bashkimit Evropian t’i bindin pesë vendetmosnjohëse dhe Serbinë që ta njohin Kosovën me kufijtë që i ka. Sa më shpejt që të arrihet kjo, aq më mirë për rajonin”, tha Thaçi.

Të hënën, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha sot se nuk mund të ketë ndryshime kufijsh në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ajo i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Bosnjës, Denis Zvizdiç, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet në rajon.

Zonja Merkel tha se me mysafirin e saj kanë rënë dakord për disa çështje.

“Çështja e parë është integriteti territorial i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kjo është një gjë e shenjtë, dhe këtë duhet ta përsërisim gjithherë, sepse ka gjithmonë përpjekje për të diskutuar mbi kufijtë. Këtë ne nuk mund ta bëjmë”, ka thënë kancelarja Merkel sipas “Zërit të Amerikës”.

“Nga kjo varet edhe ardhmëria europiane e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor”, shtoi ajo.

Këto deklarata kancelarja gjermane i bëri pas bujës së shkaktuar nga deklaratat e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili është deklaruar për “korrigjim të kufijve” mes Kosovës dhe Serbisë.