A do të fillojë mësimi në shtator? Kjo është përgjigjja zyrtare

Aktuale August 14, 2018 - 15:38
Lexo detajet

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) ka paralajmëruar që do të mbajë grevë, nëse Kuvendi i Kosovës nuk e miraton Projektligjin për mësimdhënësit e viteve ’90. Madje, ishte thënë se nuk do të fillojë mësimi në shtator nëse nuk aprovohen kërkesat e Sindikatës, por, kryetari i kësaj të fundit për Express e ka demantuar këtë, duke thënë se mësimi do të fillojë, por nëse institucionet nuk e bëjnë punën e tyre atëherë zgjidhja e vetme mbetet greva.

Tashmë në vendin tonë është bërë traditë që shoqëritë civile apo sindikatat e ndryshme të organizojnë greva për të arritur qëllimet dhe kërkesat e tyre, pasi nëse një gjë e tillë nuk bëhet këto kërkesa hasin në vesh të shurdhër.

Të tilla greva ka organizuar kohë pas kohe SBASHK’u, pasi përmes tyre kanë arritur që të përmbushin kërkesat e mësimdhënësve, por shpesh herë këto greva janë parë si të pa arsyeshme pasi është thënë se ato po dëmtojnë procesin mësimor e sidomos nxënësit.

Kryetari i SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj ka thënë për Express se mësimi do të fillojë në shtator, por sindikata do të presë që Kuvendi pas pushimit veror ta miratojë Projektligjin i cili në lexim të parë është respektuar nga ana e deputetëve.

“SBASHK’u pret me arsye edhe përkundër neglizhencës së Kuvendit, që pas pushimit ky projektligj të miratohet nga deputetët pasi në leximin e parë kanë shprehur respekt për mësimdhënësit e viteve ’90. Për më tepër, ata do të kryejnë një obligim moral që kanë ndaj këtyre mësimdhënësve”, ka thënë Jasharaj.

Mirëpo, ai është shprehur se pritja e tyre nuk do të zgjasë shumë, pasi nëse vazhdon që kjo çështje të lihet në harresë, ata pas sistemimit të mësimdhënësve do të mbajnë grevën, edhe pse kjo sipas tij nuk është dëshirë e tyre.

Ai ka paralajmëruar që në grevë do të marrin pjesë edhe mësimdhënësit e universiteteve që janë pjesë e SBASHK’ut, pasi edhe ata janë të përfshirë në kërkesat e bëra.

“Viti shkollor do të fillojë, nuk do të veprojmë me veprime sindikale menjëherë por do të shikojmë se si do të sistemohen mësimdhënësit. Nëse institucionet hezitojnë ta bëjnë punën e tyre atëherë ne nuk do të kemi zgjidhje tjetër përveç grevës në arsimin para universitar, por edhe Universitetet që janë pjesë të SBASHKU’t do të reagojnë pasi në kërkesat që i kemi janë të përfshirë edhe ata”, ka theksuar Jasharaj.

Për nxënësit, ai ka thënë se po dëmtohen padrejtësisht, pasi ata kanë më së paku faj në këtë mes, prandaj sipas tij shpesh herë grevat e paralajmëruara nuk janë mbajtur dhe Sindikata i ka dhënë rrugë dialogut, vetëm për të mos i dëmtuar nxënësit.

Kujtojmë se SBASHK’u ka mbajtur greva që nga fillimi i këtij viti, dy të tilla ishin mbajtur gjatë muajit shkurt e një në mars, ndërsa për këtë të fundit kishte reaguar Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë duke e konsideruar të paarsyeshme, pasi ata kishin thënë se i kanë kryer obligimet dhe se e ka informuar Sindikatën që Ministria dhe Qeveria janë të vendosur që Projektligji t’i paraqitet sa më herët deputetëve.

E një grevë tjetër e paralajmëruar nga SBASHK’u që do të mbahej me 20 prill të këtij viti, nuk ishte mbajtur, pasi Qeveria kishte kaluar në lexim të parë Projektligjin e mësimdhënësve të viteve të ’90.