Aktuale

Të gjitha sallat në Spitalin e Gjilanit në funksion, largohet bakteri 'Escherichia coli'

Të gjitha sallat në Spitalin e Gjilanit në funksion, largohet bakteri 'Escherichia coli'
14 gusht 2018 • 15 : 17

Lexo detajet

Bakteri “Escherichia coli”, i cili ishte paraqitur në Spitalin e Gjilanit javën e kaluar(08 gusht) dhe si pasojë e të cilit ishin mbyllur edhe disa salla operative, është larguar dhe prej ditës së djeshme të gjitha sallat në këtë spital janë duke punuar.

 “Escherichia coli”, është bakter i cili paraqet komplikime të rënda në sistemin imunitar të njeriut.

Drejtori Klinik i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, në një prononcim për “Zërin” tha se bakteri është evituar me kohë dhe nuk ka lënë ndonjë pasojë të pacientët.

Sipas tij, derisa disa punë ishin ndërprerë për shkak të paraqitjes së këtij bakteri, të gjitha rastet emergjente ishin trajtuar.

“Ka qenë një gjendje momentale e izolimit të një bakteri, por është bërë sterilizimi i sallave dhe është evituar ai. Prej ditës së djeshme të gjitha sallat punojnë me kapacitete të plota. Ka qenë një çrregullim i përkohshëm por fatmirësisht është evituar me kohë dhe nuk ka pas diçka pasoja te pacientët. Ka qenë e ndërprerë vetëm puna e operacioneve efektive, ato emergjente janë kryer”, tha ai.

Hajrullahu tregoi se ky bakter mund të shkaktojë infeksione te pacientët, mirëpo tani ata kanë marrë masa për mbrojtjen nga ai.

“Ai bakter është gjithkund por ndonjëherë ai kalon në formën agresive që mund të shkaktojë infeksione. Nuk lejohet që ajo të shumohet më shumë dhe janë marrë të gjitha masat. Ne e bëjmë monitorimin, nuk është që vetëm tani ka ndodhur, rregullisht merren masat”, shtoi ai./ZËRI

© zëri.info