Takimi i presidentëve afër, konsensusi larg

Aktuale August 14, 2018 - 08:13
Lexo detajet

Presidentët Thaçi dhe Vuçiq pritet të takohen në fillim të muajit të ardhshëm në Bruksel në kuadër të fazës finale të dialogut me Serbinë, mirëpo partitë opozitare në vend vazhdojnë të jenë kundër formatit aktual të dialogut dhe të mos e pranojnë presidentin e Kosovës për udhëheqës të këtij procesi, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Sikurse dy takimet e kaluara, edhe takimi i cili pritet të mbahet në fillim të shtatorit të këtij viti në Bruksel në kuadër të fazës finale të dialogut pritet ta gjejë palën kosovare pa një konsensus nacional.

LEXO EDHE: Vizat, 'nën hije' të kufijve

Partitë opozitare po vazhdojnë të jenë kundër formatit aktual të dialogut dhe të mos e pranojnë presidentin Hashim Thaçi për udhëheqës të këtij procesi.

Pavarësisht se kreu i shtetit edhe një herë gjatë ditës së djeshme deklaroi se ideja e bashkimit të Luginës me Kosovën duhet ta bashkojë spektrin politik, opozitarët thonë se presidenti aktual është duke luajtur një lojë të rrezikshme me çështjen e territoreve.

Në anën tjetër, pavarësisht që njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se spektri politik në Kosovë mbetet larg arritjes së një dakordimi të plotë rreth negociatave, përfaqësuesit e partive në koalicion shprehen optimistë se opozita do të ndërrojë qëndrim deri në takimin e ardhshëm Kosovë - Serbi.

Thaçi: Bashkimi i Luginës me Kosovën të na bashkojë pa dallime

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe një herë gjatë të hënës është deklaruar për opsionin e bashkimit të Luginës me Kosovën, me ç’rast ka falënderuar qytetarët e Kosovës Lindore për përkrahjen e një ideje të tillë.

“Edhe një herë i falënderoj liderët dhe qytetarët e Luginës së Preshevës që po përkrahin arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta për bashkimin e Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjës me Kosovën në kuadër të korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo e drejtë duhet të na bashkojë pa dallime partiake, ideologjike dhe bindjesh tjera, qoftë nga pozita institucionale e shoqërisë civile ose e opozitës”, ka deklaruar Thaçi.

Ndërkohë gazeta “Zëri” ka dërguar pyetje në zyrën e presidentit lidhur me atë se çka do të diskutohet në takimin e shtatorit dhe nëse çështja e Luginës do të jetë temë e atij takimi, mirëpo nga Presidenca nuk kanë kthyer përgjigje mbi këtë çështje.

Selimi: Koalicioni qeverisës po i kontribuon agjendës së Thaçit dhe të Vuçiqit

Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka vlerësuar se opozita nuk ka qëndrime krejtësisht të njëjta për dialogun, porse ajo që mbetet e sigurt sipas tij është se partitë opozitare s’do ta mbështesin presidentin për kryenegociator e as fazën finale kështu si ka nisur.

“Opozita në fakt nuk ka qëndrim kompakt si opozitë sa i përket dialogut, por një gjë që dihet tashmë është se Thaçi nuk do të mbështetet në iniciativat e tij në raport me Vuçiqin, së paku deklarativisht. Kurse sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje, mbetet e palëkundur në qëndrimet e saj në raport me dialogun me Serbinë”, ka deklaruar Selimi për “Zërin”.  

Për dallim prej kësaj, sipas tij Thaçi ia ka arritur që ta ketë mbështetjen e partnerëve të koalicionit qeverisës.  “Pra, ata e kanë ngrënë karremin e Thaçit dhe kanë shkuar deri në Bruksel. E dyta, ata po vazhdojnë t’i kontribuojnë agjendës së Vuçiqit dhe të Thaçit edhe me indiferencën e tyre, heshtjen e tyre ndaj dialogut”, ka shtuar ai.

Andaj ky format i dialogut sipas Selimit është krejtësisht i papranueshëm dhe i rrezikshëm. “Ne kemi qëndrimet e pandryshueshme sa i përket dialogut, por edhe sa i përket Thaçit”, ka nënvizuar deputeti i LVV-së.  

Pajaziti: Pres reflektim të opozitës

Pavarësisht kësaj, deputeti i PDK-së Zenun Pajaziti ka vlerësuar se kërkesa e opozitës që Thaçi të mos jetë në krye të dialogut nuk i kontribuon aspak procesit të negociatave.

“Mendoj që kushte të tilla nuk i bëjnë mirë këtij procesi. I vetmi kusht që do të ishte mirë të theksohej është që Kushtetuta e vendit tonë të mos cenohet. Në këtë kusht besoj se do të ketë një dakordim të gjithanshëm, ndërsa puna e përfaqësimit e këto të tjerat mendoj se nuk janë serioze në këtë kohë”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, teksa ka folur rreth opsionit të korrigjimit të kufijve Pajaziti ka thënë se këto janë fjalë tryezash. Më tej ai ka vlerësuar se cilësia e dialogut varet nga ajo se sa spektri politik është i koordinuar në këtë proces.

“Cilësia e dialogut varet shumë prej asaj sa jemi ne të koordinuar. Nëse partitë politike dhe institucionet arrijnë që të kenë një ekip përfaqësues dhe një dialog me konsensus sigurisht që rezultati do të jetë tjetër”, ka theksuar ai.

E ndonëse ende nuk ka një konsensus nacional, deputeti i PDK-së është shprehur optimist se gjatë këtij muaji do të ketë reflektim të partive opozitare rreth dialogut.

“Thjesht, pres që të ketë reflektim gjatë këtij muaji derisa të vazhdohet me dialogun, në mënyrë që të gjithë të jenë të përfshirë në këtë proces”, ka potencuar ai.

Kusari-Lila: Thaçi po luan lojë të rrezikshme

Ndryshe nga Pajaziti, deputetja e Alternativës Mimoza Kusari-Lila ka vlerësuar se nuk do të ketë një dakordim të partive politike rreth negociatave me Serbinë.

“Thaçi është duke luajtur me një lojë të rrezikshme me procese të cilat mund të kenë ndikim jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin. Prandaj nuk pres asnjë rezultat dhe nuk pres një strukturë të takimit në muajin shtator, duke e ditur që ka ndodhur një çakordim i agjendës së dialogut”, ka deklaruar ajo.

Aktualisht sipas Kusari-Lilës ka dy grupe në këtë proces, ku në njërën anë bën pjesë presidenti Thaçi bashkë me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiq.

“Fatkeqësisht ne tash kemi një ndarje, ku në njërën anë janë Vuçiqi, Thaçi dhe Daçiqi me idenë e tyre për korrigjim të kufijve dhe në anën tjetër është spektri politik i Kosovës, duke përfshirë edhe një numër të konsiderueshëm të serbëve të Kosovës”, ka potencuar ajo.

Demhasaj: Presidenti s’ka kompetenca të diskutojë për territore

Ndërkaq, ani pse takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi pritet të mbahet gjatë muajit të ardhshëm, Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu” ka vlerësuar se është tejet e vështirë të pritet që deri atëherë të arrihet një konsensus i gjerë mes partive.

“Kuvendi është në pushim dhe nuk ka asnjë përpjekje më të vogël që të bëhet bashkë spektri politik dhe ta gjejë një konsensus sa i përket çështjes së dialogut. Kështu, sipas të gjitha gjasave edhe ky takim, i cili do të mbahet në fillim të shtatorit, me gjasë do të mbahet mes presidentit Thaçi dhe presidentit Vuçiq, pa pasur një kompromis mes partive për përfaqësimin atje”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, sa i përket çështjes së shkëmbimit të territoreve ose korrigjimit të kufijve, Demhasaj ka thënë se Thaçi nuk ka kompetenca të veprojë lidhur me këto çështje.

“Presidenti i Kosovës nuk ka kompetenca të tilla kushtetuese që mund të vendosë, madje as që mund të dialogojë për çështje të tilla derisa Kuvendi i Kosovës është organi më i lartë i këtij vendi dhe ka një qëndrim për këtë çështje”, ka potencuar ai.