Rakiq e porosit Veselin: Nuk do të ndërtosh pallate në tokën serbe në veri

Aktuale August 13, 2018 - 19:30
Lexoni më shumë detaje

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha sot se “në kompetencat e komunave serbe askush nuk guxon të prek, përndryshe përgjigja jonë do të jetë e ashpër dhe e vendosur”.

Duke komentuar paralajmërimin e kreut të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli për investimet në Mitrovicë dhe se plani i tij shtrihet në të dy anët e lumit Ibër, duke ndarë veriun nga Mitrovica jugore, Rakiq tha se Veseli mund të ndërtojë kulla dhe qytete në ‘tokën serbe vetëm përmes neve të vdekur’, dhe paralajmëroi që ‘të mos provojë diçka të tillë’.

LEXO EDHE: Plani i Kadri Veselit për ''Mitrovicën e Re''

“Ne nuk kemi lejuar që përtej Ibrit të kalojnë as tanket në të cilat voziteshin bashkëluftëtarët e Veselit, e nuk do të lejojmë as buldozerët e tij”, tha Rakiq.

“Në vend që të përpiqet përsëri të frikësojë serbët dhe të neglizhojë ekzistencën tonë dhe të drejtat e patjetërsueshme, Veseli do të mund të përkujdesej për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe, e cila, do t’i kujtoj atij, na jep kontroll të plotë në fushën e planifikimit hapësinor”, tha Rakiq, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, lideri i PDK-së, ka ideuar një plan për investime të mëdha në Mitrovicë – të cilat do të shtrihen në të dyja anët e Lumit Ibër.

Projekti “Mitrovica e Re” parasheh renovimin e tërësishëm të stadiumit “Adem Jashari”, zgjerimin e parkingut të tij, ndërtimin e një Aqua-Parku përreth kësaj hapësire, si dhe ndërtimin e objekteve kolektive të banimit përreth liqenit artificial.

Por, pjesa më ambicioze e këtij plani të ideuar nga Veseli – kalon përtej Lumit Ibër. Në fshatrat Suhodoll, Gushavc dhe Vinarc, përskaj Lumit Ibër, por edhe në thellësi të tyre, parashihet të ndërtohen objekte të larta banimi, nga 3 – 7 kate. Gjithashtu, në këtë hapësirë, pritet të ndërtohen edhe shkolla, terren sportive dhe qendra mjekësore.

Projekti parasheh edhe rregullimin e shtratit të lumit Ibër dhe hapësirës për këmbësorë dhe biçikleta. Në njërën anë, ky projekt shtrihet nga Mitrovica – te Mëhalla e Boshnjakëve e Zveçan, dhe në anën tjetër vazhdon deri në Zupç e Koshtovë.

Në mënyrë që ky plan të realizohet, e gjithë zona duhet të shpallet Zonë për Ndërtim të Lartë.